Lajme
Prej ushtar serb në Rashkë, Nikolla Radomiroviq emërohet drejtor në kabinetin e Lulzim Hetemit
Demokracia
14:57 | 08 Gusht 2023

Share:

Dje e pardje është raportuar për Radojica Radomiroviqin, ish-pjesëtar i Ushtrisë Jugosllave edhe gjatë kohës së luftës së llahtarshme në Kosovë. Sot po raportojmë për të birin e tij, Nikollën. Babë e bir del se kanë dy gjëra të përbashkëta – shërbimin në ushtrinë serbe në të kaluarën e tyre, dhe shërbimin në të tashmen në institucione të Republikës së Kosovës gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.

I biri i Radoica Radomiroviq, Zëvendës-Ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nikola Radomiroviq, u emërua nga Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, drejtor në njërën nga drejtoritë komunale. Kështu kishte njoftuar më 4 korrik Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

“Nga sot, Violeta Sakiç, Nikolla Radomiroviq, Nenad Radosavljevic dhe Miroslav Minic do të jenë pjesë e kabinetit të Kryetarit Lulzim Hetemi,” – pati njoftuar ministër Elbert Krasniqi.

Nikolla Radomiroviq, siç ka kuptuar Nacionale nga burimet e saj, ndryshe (por edhe njëjtë) nga babai i tij, ishte (deri kohëve të fundit para se të bëhej pjesë e kabinetit të Hetemit) pjesëtar i Ushtrisë së Serbisë, përkatësisht i Brigadës së 4’të ushtrisë tokësore, njësi kjo e vendosur në Kazermën e Rashkës.

Por, kjo nuk i ka penguar Qeverisë e Kosovës, Ministrit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqit, e as Kryetarit të Leposaviqit që është i partisë Vetëvendosje, Lulzim Hetemit, që pjesëtari tash i kabinitetit të qeverisjes së këtij të fundit, të ketë qenë edhe pjesëtar profesional i ushtrisë serbe, njësiti i të cilit është i vendosur në Kazermën e Rashkës, mu matanë territorit të Republikës së Kosovës, përkatësisht Komunës së Leposaviqit, rreth 20 kilometra distancë.

Nacionale ka biseduar me Nikolla Radomorivicin se a është më pjesë e ushtrisë serbe dhe kur e ka lënë ushtrinë. Se ka qenë pjesë e ushtrisë serbe, ai as vet nuk e mohon.

Na thotë se ka qenë pjesë e ushtrisë serbe “deri kur u bëra drejtor” në Komunën e Leposaviqit, e një rresht më poshtë na thotë se kam “shërbyer në 2021”.

Nacionale ia shtron pyetjen “a ke shërbyer deri më 2021, në 2021, apo nga 2021?”, por ai na thotë “ju dhash përgjigje të mjaftueshme, kam përkushtime tjera”, dhe nuk kthen më përgjigje.

Biseda me Radomiroviq:

Tani që jeni pjesë e njërës prej drejtorive në komunën e Leposaviqit të udhëhequr nga Ljuljzim Hetemi, po ju shkruaj për t’ju pyetur nëse jeni ende pjesë e Ushtrisë Serbe (Brigada e 4-të e Armatës, njësi e vendosur në Kazermën e Rashkës).

Radomiroviq: Jo nuk jam në ekip.

Kur e keni lënë ushtrinë serbe dhe keni qenë pjesë e ushtrisë serbe deri vonë?

Radomiroviq: Kam shërbyer në ushtri. Para se të bëhesha pjesë e drejtorisë.

A mund të na tregoni datën kur e latë ushtrinë? Para sa kohe?

Kam shërbyer në 2021. Shpresoj t’ju kam dhënë përgjigje të mjaftueshme. Më falni, kam angazhime të tjera.

Pra, ju thoni se keni shërbyer në 2021, nga 2021, apo deri në 2021?

Pas kësaj pyetje të fundit, Nikolla Radomiroviq nuk ka kthyer më përgjigje.

Kujtojmë se ditë më parë është raportuar edhe për zëvendësministrin për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomirovic, i cili kishte shërbyer në ushtrinë serbe në Kazermën e Mitrovicës në vitet 1998-1999, por ky i fundit mohon se ka marrë pjesë “në operacione luftarake” teksa pranon se “po, kam qenë pjesëmarrës në luftë”.

Të ngjashme