Intervista
​Ibishi: Tërheqja e Jabllanoviqit nga zgjedhjet, kërcënim direkt i regjimit të Beogradit
Demokracia
12:32 | 23 Prill 2023

Share:

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi nuk pret që zgjedhjet e sotme në katër komunat me shumicë serbe nuk është të zgjidhin problemet e qytetarëve andej si pasojë e presionit të bandave kriminale pas të cilave qëndrojnë Milan Radojiçiq dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq. Kjo pasi, siç thotë ai, strukturat ilegale kanë rritur trysninë ndaj serbëve të Kosovës.

Në një intervistë për KosovaPress, Ibishi thekson se kërcënimin direkt të Beogradit, e dëshmon edhe tërheqja e kryetarit të Partisë të Serbëve të Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, nga gara për kryetar të Leposaviqit.

“Ai edhe vet është deklaruar dhe mendoj se kjo është me trysni, si kërcenim direkt regjimi i Beogradit në krye me Vuçiqin dhe ekstremistët serbë dhe është ndjerë i rrezikuar dhe momentin e fundit është tërhequr”, thotë Ibishi.

Derisa kanë kaluar rreth pesë orë nga hapja e qendrave të votimit, ai e vlerëson të qetë gjendjen e sigurisë në veri të vendit, për të cilën meritore e bën Policinë e Kosovës.

Pavarësisht paralajmërimeve nga ekstremistët serbë, Ibishi nuk pret që në zgjedhjet e 23 prillit të ndodhë ndonjë incident.

“Me gjithë atë që po duket se do të këtë pak votues, në bazë të paralajmërimeve dhe daljes deri tashmë. Institucionet e sektorit të sigurisë, Policia ka ndërmarrë të gjitha masat me qëllim të sigurimit të qetësisë, dhe pa kërcënimeve që kanë paralajmëruar ekstremistet serbë, por edhe presidenti Vuçiq, kinse gjithë kjo do të ketë rreth 100 votues. Por, sido që të jetë mendoj se ne institucionet e Kosovës kanë bërë punën e duhur dhe kjo mbetet në fund të ditës të shihet se sa ka qenë dalja dhe sa do të jenë ato legjitime… Policia ka bërë planin operacional dhe po i ndërmerr të gjitha veprimet, duket edhe me prezencën në vendvotime, por edhe gjithandej, si në pjesët urbane, rurale, por edhe në pjesët e rrugëve. Mendoj se nuk duhet të ketë incidente nga ajo sikur është paralajmëruar edhe nga ‘Lista Srbska’ dhe ekstremistët serbë që do të bëjnë trysni që komuniteti serb të mos del, dhe t’i bojkotojë këto”, thotë Ibishi.

I pyetur nëse zgjedhjet në veri mund të shihen si mundësi që qytetarët serbë të çlirohen nga presioni i Radojiçiqit dhe Vuçiqit, Ibishi thotë se për këtë nevojitet kohë.

“Kjo do të merr kohë, duke pasur parasysh se është kërcënimi i vazhdueshëm dhe kemi parë në rastet para zgjedhjeve që i paraprin me djegien e automjeteve, sulmet, arrestimet në Serbi, në një vend fqinj. Edhe ato kërcënime që kanë shkuar direkt, jo vetëm për qytetarët e komunitetit serb që të mos votojnë, por edhe kandidatët siç ishte rasti i Jabllanoviqit. Duhet kohë që Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet të jenë më shumë prezente në veri, të kenë më shumë komunikim në të gjitha format që janë në hall me sulmet, kërcënimet e vazhdueshme nga ekstremistët serbë në veri”, thotë Ibishi për KosovaPress.

Eksperti i sigurisë, në intervistën për KosovaPress, komenton edhe prezencën e përfaqësuesve të Listës Serbe, Milan Radojiçiqit dhe Millorad Dodik-ut në Aeroportin e Batajnicës, me rastin e prezantimit të kapaciteteve të ushtrisë serbe.

Sipas tij, demonstrimi i aftësive të pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe armëve të reja, në vendin ku janë zbuluar 744 trupa të civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë, përbën provokim dhe se në një situatë të tillë do të duhej të reagonte Bashkësia Ndërkombëtare.

“’Tash po i presim’, thoshte edhe një kryeministër i vendit, Bashkimit Evropian, pra është kryeministri hungarez Orban, një person autoritar që mundohet nganjëherë del edhe jashtë suazave të BE-së me deklaratat e tij. Ai duhet të mendojë shumë lidhur me prezencën të një regjimi, gjegjësisht të një presidenti serb, i cili demonstron në vendin ku janë fshehur kufomat e ekzekutuara nga regjimi serb gjatë luftës në Kosovë, pra 744 trupa janë fshehur mu në këtë rajon të batajnicës ku u zhvillua ky prezantim i mjeteve luftarake dhe forcës policore e ushtarake. Përveç Vuçiqit, Dodikut dhe estabilishmentit të vet, vjen edhe një kryeministër i një vendi të BE-së, pra Orban”, potencon Ibishi.

Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, sot po mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale, ku janë planifikuar të hapen 19 qendra të votimit, prej të cilave 13 do të jenë alternative apo të ashtuquajtura “kontejnerë”. Në zgjedhjet e 23 prillit, në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantiq, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit, kanë të drejtë vote gjithsej 45 mijë e 95 qytetarë.

Të ngjashme