Lajme
I dërgoi burrë e grua me mision në Gjermani, Gërvalla tregon “përralla” si do të ndalojë punësimet familjare
Demokracia
20:40 | 23 Prill 2024

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se ka nënshkruar vendimin që ndalon punësimin e familjarëve të afërt të zyrtarëve e diplomatëve në këtë institucion,  për të cilin Demokracia.com ka raportuar javë më parë.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Gërvalla ka thënë se ka pasur të punësuar, motra, vëllezër, gra, burra, kunata e baxhanakë të ministrave e zyrtarëve të tjerë.

“Është i gjatë rrjeshti i familjarëve të figurave politike dhe publike të punësuara në këtë ministri. I motrave dhe vëllezërve, i grave dhe burrave, djemve dhe vajzave, kunatava, kunetërve dhe baxhanakëve të ministrave, deputetëve, pronarëve të mediumeve, gjyqtarëve e prokurorëve. Nuk është i vogël as numri i anëtarëve të ngushtë të familjes të zyrtarëve të MPJD/së. Deri në katër anëtarë nga e njëjta familje kanë qenë të punësuar në këtë institucion. Familjarë të ngushtë janë dërguar të shërbejnë në të njëjtin mision diplomatik”, ka thënë ajo.

Në fund, Gërvalla ka shtuar se beson se vendimi do të hasë në kundërshtime të forta nga ana e qarqeve politike dhe mediale, të mësuara me ndërhyrje të tilla, të cilat e dobësojnë shumë strukturën e ministrisë dhe vullnetin e zyrtarëve për të punuar me përkushtim.

“Ndaj këtij vendimi nuk ka alternativë. Punësimi në MPJD, rekrutimi i diplomatëve të rinj mund dhe do të bëhet vetëm duke u bazuar në meritokraci, në konkurse të hapura për të gjithë dhe të bazuara në kritere profesionale”.

Lexo edhe:

Pasi e bëri “çerdhe” familjare, Gërvalla me një vendim të kontestueshëm pritet t’i ndalojë punësimet familjare në MPJD

Por, duket se ajo ka harruar se jo shumë kohë më parë vetë ka bërë veprime të tlla.

Donika Gërvalla vendosi që t’i dërgonte burrë e grua, punonjës lojalë të saj, në misione konsullore brenda një shteti, me distancë shumë të afërt.

Ajo dërgoi Hamdi Bërbatovcin dhe bashkëshorten e tij Dardanë Çitaku në misione të ndryshme konsullore në Gjermani, por jo shumë larg njëra-tjetrës.

Burrë e grua kanë nisur punën në dy konsullata në Gjermani, të cilat janë në distancë nga njëra-tjetra rreth 200 kilometra.

Për më tepër, në vitin 2022 edhe vajzës së vet të mitur, Donika Gërvalla i kishte lëshuar certifikatë me nënshkrimin e asistentes së saj për nevoja personale në Gjermani, gjoja që kishte kryer praktikë në kabinetin e saj. /Demokracia.com/

DOKUMENTE| Dyshime për shkelje ligjore në MPJD, burrë e grua dërgohen në misione konsullore në Gjermani

 

 

 

Të ngjashme