Lajme
“Hyrje në BE pa normalizim nuk ka”: BE ia pret në start Kurtit e Bislimit kërkesën për “ndarje të rrugës evropiane nga dialogu”
Demokracia
22:09 | 24 Janar 2024

Share:

Edhe për njohësin më të të cekët të çështjeve të politikës së jashtme të Kosovës është mëse e ditur se procesi i integrimeve të Kosovës në institucionet më të larta evropiane është i pashkëputshëm nga dialogu me Serbinë – në rend të parë dhe kryesisht për faktin e thjeshtë se janë edhe pesë vende mosnjohëse në unionin njëzet e shtatë shtetësh evropian; e ku në instancat më të larta vendimet merren me uninamitet. Këta pesë shtete (e që besa praktikisht me raste dalin gjashtë, shto qëndrimet refuzuese të Hungarisë) kaherë shprehen se presin “rezultatin dhe konkluzionin e dialogut” Kosovë-Serbi për të rivlerësuar qëndrimin e tyre mosnjohës ndaj Kosovës.

Përtej çdo qëndrimi publik e të dokumentuar të bllokut evropian, në vizitën e parë të tij në rajon më së preri e kishte artikuluar kancelari federal gjerman, Olaf Scholz, se sa i përket Kosovës dhe Serbisë dhe eventualitetit të anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian kjo gjë “është e pamendueshme” pa njohje të ndërsjellë; ngase unioni evropian nuk importon telashe të huaja, territoriale e politike, brenda bllokut.

Për më tepër, për vetë Serbinë është praktikisht edhe ligjërisht e pamundshme që ndoherë të futet në Bashkimin Evropian pa një marrëveshje gjithpërfshirëse dhe ligjërisht e ndërkombëtarisht e obligueshme – që implicit e eksplicit i bie njohja juridike e pavarësisë së Kosovës.

Për më tepër, Marrëveshja e Ohrit e ka të shkruar me germë këtë gjë – si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, përkatësisht në paragrafin e tretë se “Palët mbajnë shënim se Marrëveshja dhe Aneksi Zbatues i saj do të bëhet pjesë integrale e proceseve përkatëse anëtëruese në BE, të Kosovës dhe Serbisë”.

Përfaqësusesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell qysh më 17 mars të vititë të kaluar, pas konkludimit të tekstit të Aneksit të Zbatimit të Ohrit, kishte thënë para gazetarëve se “(…) Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit, do të bëhet pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse në BE”.

Dhe për ta bërë shumë konkrete, do të nis punën menjëherë për të përfshirë zyrtarisht amendamentet përkatëse në Kapitullin 35 të Negociatave të Kornizës së Negociatave të Serbisë me BE-në dhe në agjendën e Grupit Special të Kosovës për Normalizim. Në këtë mënyrë, të dyja palët do të jenë të detyruara nga Marrëveshja e cila do të jetë pjesë e rrugës së tyre në Bashkimin Evropian”.

Ndërkaq, ndërmjetësi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë kohëve të fundit për Gazetën Expres, konfirmoi atë se Serbisë marrëveshja do t’i amandamentohet Marrëveshja Bazike dhe e Ohrit në Kapitullin 35 të saj të procesit anëtarësues në BE: “(…) para fundit të janarit 2024. Pra, këtu kemi një afat të qartë kohor për formalizimin e Marrëveshjes si pjesë e marrëveshjes kontraktuale me BE-në dhe e kritereve të anëtarësimit të Serbisë”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili është prej më të zëshmeve dhe këmbëngulësve që Marrëveshja Bazike – e cila është ndërkombëtarisht dhe ligjërisht e obligueshme – të firmoset me doemos, për habinë e shumëkujt duke folur nga Shkupi e konsideroi “jo fer” që Kosovës t’i ndërlidhet rruga drejt BE-së me dialogun me Serbinë, kur e ka në vetë Marrëveshjen Bazike të njëjtën gjë.

Ndërkaq të njëjtën linjë e ndoqi zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin çek për çështje evropiane, Martin Dvorak, ku tha se “është e rëndësishme është që procesi i dialogut të ndahet nga procesi i integrimit në BE”; ndërsa Dvorak ia ktheu se në fakt “procesi i integrimti të Kosov është ngushtë i lidhur me dialogun me Serbinë”.

Shprehja e miqësisë përfshin edhe të qenit i hapur e i sinqertë. Integrimet e mëtutjeshme të Kosovës në BE janë të lidhura ngushtë me dialogun me Beogradin”, ka thënë Dvorak.

Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj kërkesave të Kurtit dhe Bislimit, dhe atë në një gjuhë tejet të prerë duke e dhënë për punë të kryer të kundërtën.

Politika e BE-së ka qenë e qartë me vite. Rruga evropiane për Kosovën dhe Serbinë, lëvizë nëpërmjet dialogut të normalizimit.Pa normalizim nuk ka aderim në BE. Nga parimet themelore të aderimit në BE, jo vetëm për Kosovën e Serbinë, por të gjithë, për vendet që janë anëtare tash, për Kroacinë dhe Slloveninë më parë, për Hungarinë dhe Sllovakinë më parë, parimi themelor është pajtimi, marrëdhëniet e mira fqinjësore, dhe zgjidhja e të gjitha problemeve nga e kaluara, që mos t’i sjellim në BE”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Të ngjashme