Lajme
Hoxha i LVV-së del me shtatë pika: Kritikon KFOR-in, shtete të BE-së, dialogun, investitorë
Demokracia
10:14 | 25 Dhjetor 2022

Share:

Anëtari i Kryesisë së Vetëvendosjes, Elvis Hoxha, ka treguar se çka duhet të ndryshojë për të qenë të “drejtë” Brukseli zyrtar.

Hoxha ka renditur shtatë pika në të cila shpejgon se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të bëjnë zyrtarët e BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në njërën kërkesë, Hoxha ka kundërshtuar edhe kryediplomatin e BE-së, Josep Borell dhe emisarin për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke thënë se negociatorët duhet të jenë nga shtetet që e njohin Kosovën.

“5 shtetet që nuk kanë njohur ende Kosovën, janë shtete që në thelb mbështesin, me dashje apo pa dashje, interesat gjeopolitikë dhe gjeoekonomikë të Rusisë, sidomos në realitetin e agresionit rus mbi Ukrainën”, është një pikë tjetër e Hoxhës.

Postimi i plotë i Hoxhës, pa ndërhyrje:

Ndryshimi i drejtë i sjelljes së Brukselit mund të përcaktohet shkurt në pak linja:

– Negociatorët e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vijnë nga shtete që e njohin Kosovën, pasi këta janë 80% e shteteve të BE.

– Duhet të jetë e qartë një herë e mirë se Vuçiçi bashkë me udhëheqjen e Serbisë nuk kanë ndryshuar as në aspektin e të drejtës dhe as në atë të regjimit.

– Shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të integrohen njëkohësisht me kushtin e njohjes së tyre të ndërsjellë.

– Nuk duhet të ketë relativizim të vendimeve të GjND në horizontin e dialogut dhe as në gjendjen faktike të shteteve të Kosovës dhe Serbisë.

– Shtetet që ndihmojnë Serbinë me investime, vetëm mirëmbajnë politikën ruse në Ballkan, pra në thellësi të Evropës.

– 5 shtetet që nuk kanë njohur ende Kosovën, janë shtete që në thelb mbështesin, me dashje apo pa dashje, interesat gjeopolitikë dhe gjeoekonomikë të Rusisë, sidomos në realitetin e agresionit rus mbi Ukrainën.

Sa për KFOR-in, ky duhet të kuptojë se nuk është aty për të legjitimuar kërkesat e Beogradit, por për të ruajtur stabilitetin, i cili mund të vihet në rrezik vetëm prej Serbisë.

Të ngjashme