Intervista
HOLOKAUSTI I KOSOVËS | Shtëpia në Poklek që ende mban gjurmët e 53 shqiptarëve të masakruar dhe të djegur
Demokracia
16:24 | 18 Shkurt 2022

Share:

Ishte ndër masakrat më të mëdha në Kosovë. 53 shqiptarë u masakruan dhe më pas u dogjën nga forcat serbe brenda një shtëpie në fshatin Poklek i Vjetër të Drenasit. Më 17 prill të vitit 1999, fëmijë, gra, pleq e burra të tri familjeve Muqolli, Elshani dhe Carraku, u shuan përgjithmonë vetëm pse ishin shqiptarë.

Demokracia.com ka qëndruar në vendin ku ishte kryer kjo masakër e tmerrshme, në shtëpinë që tashmë është kthyer në muze, ku gjurmët ende duken të freskëta.

Në një rrëfim ekskluziv për tmerrin e 17 prillit të vitit 1999, ish-luftëtari i UÇK-së, Fadil Muqolli, për Demokracia.com ka folur për 53 të vrarët që fillimisht u ekzekutuan e më pas u dogjën trupat e tyre.

Ajo që ndodhi dy dekada më parë nuk mund të harrohet. Dëshmitë e krimeve të Serbisë janë të ruajtura në këtë shtëpi ku 53 anëtarë të familjeve Muqolli, Elshani dhe Carraku u ekzekutuan. Unë i kam humbur 14 anëtarë të familjes së ngushtë, babën, nënën, bashkëshorten, vajzën dhe 3 djemtë”, tregon Muqolli mes lotëve tmerrin e asaj dite.

Shtëpia muze e Fadil Muqollit është e mbushur me historinë më të tmerrshme të krimeve serbe, ku gjaku në mure, rrobat e familjarëve, fletoret, librat e çanta e djalit të tij ende ruhen. Aty ende qëndron karroca e foshnjës, si dhe shumë fakte tjera që janë pjesë e këtij muzeu, si dëshmi e përjetshme e krimit të forcave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë.

Fadil Muqolli më shumë dashuri e ruan edhe fletoren e vajzës së tij, ku në njërën faqe është shkruar eseja e saj për pranverën e thyer të vitit 1999.

Në këtë masakër u vranë pleq, burra e gra, por në mesin e tyre ishte edhe foshnja e familjes Muqolli, Liria, e cila përkundër emrit të saj nuk arriti ta kuptoi vlerën e emrit që e mbante.

Fadili shpreson se dhoma e mbushur me fotografitë e të masakruarve, dëshmitë e eshtrave të familjes Muqolli, Carraku, Elshani, do të shërbejnë për vetëdijesimin e të gjithëve për krimet e kryera nga Serbia.

Për 23 vjet nuk pati drejtësi për këtë masakër, sepse nuk i besoj as bashkësisë ndërkombëtare. Nuk po gjykohen kriminelët serbë dhe as drejtësia në Kosovë nuk ka mundësi që t’i hetoj këto krime. Gjurmët, faktet e dëshmitë e luftës po zhduken. Po vdesin dëshmitarët e gjallë e historinë ku e kemi?”, thekson Fadili i mërzitur.

Ai i bën apel institucioneve të Kosovës qa ta vizitojnë këtë dëshmi të luftës dhe të hetohen krimet serbe të kryera në Kosovë.

I bëjë apel institucioneve që ta vizitojnë këtë masakër të familjes sime, jemi harruar nga institucionet, askush nuk na viziton vetëm në përvjetore vijnë. Përpos gazetarëve që na vizitojnë”, thotë Muqolli. /Elmedina Ballazhi – Demokracia.com/

Të ngjashme