Lajme
Hipokrizia e Presidentes | Nga “kush do betejë me mua, betejë do të ketë”, në “dua t’i dëgjojë edhe partitë opozitare”
Demokracia
09:21 | 07 Dhjetor 2023

Share:

“Së shpejti do t’i thërras edhe partitë opozitare ne takim që të dëgjoj, se cilat janë vlerësimet e tyre [për draftstatutin e Zajednicës]”.

Kjo është një deklaratë e presidentes Vjosa Osmani, e dhënë më 6 dhjetor 2023, që e shpërfaq atë të transformuar krejtësisht, shkruan Demokracia.com.

Papritmas, politikanja me gjuhën e mbushur vrerë e kërcënime për opozitën, kërkon të dëgjojë partitë opozitare se çfarë kanë për të thënë për draftstatutin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilin e ka pranuar më 21 tetor 2023 kryeministri Albin Kurti.

Mjafton të hidhet shikimi pas, në mesin e muajit tetor, kur opozita kishte për të thënë “diçka” edhe për rastin e mosdekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit nga presidentja Osmani, por e para e shtetit nuk kishte shfaqur vullnetin e njëjtë për t’i dëgjuar.

Përkundrazi, nga Presidenca ajo kishte lëshuar kërcënimin për deputetët opozitarë, disa prej të cilëve kishin paralajmëruar se mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për mosdekretimin e kryeprokurorit nga Osmani.

“Nëse për arsye politike zgjedhin një rrugë të tillë [dërgimi në Gjykatë Kushtetuese], atëherë kjo për mua është vetëm betejë politike e jo ligjore dhe kushdo që do betejë politike me mua, betejë politike do të ketë”, kërcënonte Osmani më 17 tetor 2023.

‘Nxehet’ pak Presidentja, u çon mesazh opozitës: Kush do betejë poltike me mua, betejë do të ketë

Përmes kërcënimit të tillë, presidentja Osmani po vepronte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, duke ndërhyrë drejtpërdrejtë dhe publikisht në punën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët sipas nenit 70 të Kushtetutës “nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues”.

Megjithatë, Osmanin e shpëtoi ish-partia e saj, LDK-ja, pa e dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk i dha nënshkrimet e deputetëve të vet, duke pamundësuar kështu dërgimin e rastit në këtë gjykatë.

Por, kjo nuk ishte aspak problematike, pasi Osmani asnjëherë nuk ka qenë e shqetësuar nëse po arrin të përfaqësojë unitetin e popullit dhe me shumë dëshirë ajo është bërë palë politike, duke mbajtur anën e kryeministrit Kurti dhe partisë së tij, Vetëvendosjes.

“Kush do betejë politike me mua, betejë do të ketë” | Presidentja Osmani i kërcënon deputetët, i jep fund përfaqësimit të unitetit të popullit

Kryeministri Kurti ka filluar procesin e themelimit të Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas Nenit 7. Më 21 tetor 2023, Kurti ka pranuar edhe draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin ia kanë dorëzuar 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, si dhe më 26 tetor 2023 ka shprehur gatishmëri para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) që të njëjtin ta nënshkruajë. /Demokracia.com/

Të ngjashme