Lajme
Hetimet për zhdukjen e mostrave të Deharit, Prokuroria hesht
Demokracia
14:33 | 28 Korrik 2023

Share:

Ende nuk dihet asgjë sa i përket hetimeve që Prokuroria Speciale kishte nisur lidhur me rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë. Përveç raportimeve në media, s’ka pasur ende konfirmim nga institucionet nëse janë gjetur këto mostra. Misteri vazhdon…

Më 8 dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale kishte nisur hetimet për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikolgjisë, që funksionon në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Nisjen e hetimeve e kishte konfirmuar Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

‘’Kemi pranuar raportin informues dhe kemi filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore dhe brenda një afati të arsyeshëm besoj do të dalim me gjetje”, kishte deklaruar Isufaj.

Për rrjedhën e këtyre hetimeve, përveç një deklarate më 15 shkurt se s’ka ende ndonjë të dyshuar, Prokuroria s’ka njoftuar më.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale për të marrë vesh se çfarë ka ndodhur me këto hetime dhe nëse ka ndonjë të dyshuar për rastin, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka marrë përgjigje.

Zhdukjen e mostrave të Deharit e kishte kumtuar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, më 8 dhjetor të vitit 2021.

Në atë konferencë, Haxhiu kishte deklaruar se në atë hapësirë të IML’së ku ruheshin mostrat kishin qasje vetëm tre persona. Ishte zotuar se autorët që kanë zhdukur mostrat nga laboratori i IML-së, do të gjinden dhe se rasti do të zbardhet.

“Në mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe 1 epruvetë e lukthit. Nga këto dy epruveta ia kanë dhënë Institutit Zviceran dhe një policisë për ADN. Aktualisht sipas informacioneve, mungojnë 12 epruveta me gjak, 1 e urinës dhe 1 e lukthit. Në vendin ku rrinë epruvetat kanë qasje vetëm 3 persona, pra vetëm 3 persona i kanë çelësat ku ruhen mostrat”, kishte thënë Haxhiu.

Rreth një muaj pas deklaratës së Haxhiut, dy mediume kishin raportuar duke u thirrur në burime brenda IML’së, se janë gjetur mostrat e lukthit dhe të urinës.

Sipas këtyre raportimeve, mostrat ishin gjetur në objektin e IML’së dhe ishin kthyer ku kanë qenë më herët.

Këto raportime s’janë konfirmuar deri tash asnjëherë nga institucionet. Gazeta Express ka pyetur disa herë Prokurorinë e Ministrinë e Drejtësisë, por asnjëherë s’ka marrë përgjigje.

As kryeministri Albin Kurti s’kishte pranuar të flasë nëse janë gjetur mostrat apo jo. Para gazetarëve shkurt kishte thënë se përgjigjen duhet ta jap Ministria e Drejtësisë.

“Më besoni, Ministria e Drejtësisë duhet ta jap përgjigjen adekuate për këtë”, kishte thënë Kurti në muajin mars.

Pas raportimeve për gjetjen e mostrave, nëna e Astritit, Xhemile Dehari, kishte drejtuar akuza në drejtim të prokurorit të rastit, Afrim Shefkiut.

Sipas saj, mostrat i ka pasur vetë Shefkiu.

“Po pse po na thirrni neve, thirrne Afrim Shefkiun, ai i paska marr, ai i paska pru, thirrne prokurorin ai e din se ku i ka pas. Na as s’i kemi hup as s’i kemi çu. Ai i paska pas vet i paska pru”, kishte thënë Xhemile Dehari.

Ndryshe, për këtë rast, Ministria e Drejtësisë kishte pezulluar nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ata që u pezulluan ishin Nardi Sheqergjiu, toksikolog mjekoligjor, Flutura Goga, udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë, Anila Lakna, teknike e Laboratorit të Toksikologjisë dhe Ilirjana Shala, kimiste në këtë Institut.

Të njëjtit janë kthyer sërish në punë, me një vendim të Komisionit të Ankesave brenda IML-së.

Ndërsa dorëheqje dha zëvendësdrejtori i IML’së, Naim Uka. Uka i kishte thënë Gazetës Express se dorëheqja ishte morale.

“Kam dhënë dorëheqje morale dhe të parevokueshme nga pozita e zv. Drejtorit te IML-së”, kishte deklaruar Uka.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, që po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, kishte vdekur në rrethana ende të pasqaruara në nëntor të vitit 2016.

I ndjeri se bashku me pesë aktivistë të tjerë të LVV-së, po hetohej nën dyshimin se kishin planifikuar dhe organizuar sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës me datën 4 gusht 2016.

Të njëjtit janë liruar nga akuza më 27 dhjetor të vitit të kaluar.

Të ngjashme