Lajme
Haziri sugjeron të falënderohet Borrelli për njohjen e pasaportave nga Spanja: Asgjë s’ka bërë Qeveria e Kosovës për këtë punë
Demokracia
20:02 | 07 Janar 2024

Share:

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, sugjeroi Qeverinë e Kosovës ta falënderoj shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell – i cili ka mbajtur disa poste ministrore në Spanjë – për njohjen e pasaportave kosovare nga Spanja, ndërsa konsideroi se ekzekutivit kosovar nuk duhet t’i atribuohet asnjë meritë në këtë drejtim.

Numri dy i LDK-së, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielën, ka shkruar se Spanja e ka befasuar edhe vetë Qeverinë e Kosovës, derisa në mënyrë ironike iu është referuar edhe zëvendëskryeministrit kosovar dhe konsulentit të jashtëm të Kosovës, i cili paguhet 7 mijë e 500 euro në muaj për promovimin ndërkombëtar të kulturës kosovare.

“Spanja befasoi qeverinë: Besnik Bislimi dhe Gani Jakupi me super pagë për asgjë, me pranimin e njëanshëm të pasaportës së Kosovës, duke na njoftuar përmes DG Home/BE dhe jo nëpërmjet Ministrisë së Jashtme të Spanjës. Kurrë asgjë nuk keni bërë për këtë punë ju. Nada! Veç thoni faleminderit Borellit”, shkroi ai, derisa uroi tifozët kosovarë të klubeve spanjolle të futbollit: Barcelona dhe Real Madrid.

Ministria e Punëve të Jashtme të Spanjës (MPJ) konfirmoi për “El Pais” njohjen e pasaportës së Kosovës, ndonëse nuk shpjegoi arsyet që kanë çuar në marrjen e këtij vendimi, i cili përfshin modifikimin e rregullores për dokumentacionin, duke u mundësuar qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë në këtë shtet mosnjohës pa pasur nevojë të pajisen me vizë.

Nga katër vendet e tjera të Bashkimit Evropian (BE) që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës (Rumania, Qipro, Greqia dhe Sllovakia), dy të fundit njohin pasaportën kosovare, ashtu sikurse edhe Spanja – përderisa nuk kanë lëvizur drejt njohjes formale, këto vende kanë qenë mjaft konstruktive ndaj Kosovës në aspektin praktik, duke mos u bërë pengesë e proceseve.

Qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtetet e zonës Shengen për qëndrime afatshkurtëra, pas më shumë se një dekadë pritjeje, duke përmbyllur një proces normal për vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, por odiseadë për shtetin më të ri evropian. Vendimi për liberalizimin e vizave në zonën Shengen hyri në fuqi më 1 janar 2024.

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën ishte bllokuar për shkak të shqetësimeve për çështje të ndryshme si krimi i organizuar, korrupsioni dhe migrimi ilegal, por edhe për shkak të mungesës së progresit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda një periudhe gjashtë mujore – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen. Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Premtimet e politikanëve kosovarë në Prishtinë dhe eurokratëve në Bruksel se liberalizimi i vizave do të ndodhte “shumë shpejt”, gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe protestat masive në sheshet kryesore të kryqytetit ishin vetëm disa nga zhvillimet kryesore që kanë karakterizuar procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Të ngjashme