Lajme
Haxhiu: Ata që janë kundër Kodit Civil, duhej të na tregonin para se të anëtarësoheshin në VV
Demokracia
15:46 | 08 Shtator 2023

Share:

Kodi Civil vazhdon të ngjall debat të madh në vendin tonë. Kjo, duke qenë që në herën e parë kur ishte për votim në Kuvendin e Kosovës, nuk pati kaluar edhe shkaku i kundërshtimeve të një pjesë të deputetëve të shumicës (VV dhe Guxo). Por, ministrja Albulena Haxhiu, në intervistën e fundit për Context në ATV, ka paralajmëruar se në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit tjetër, ekspertët e angazhuar nga Këshilli i Evropës për të drejtat e njeriut në vendin tonë, kanë takime me krerë shtetërorë për këtë temë.

Haxhiu e quajti të padrejtën kundërshtimin që vjen nga pjesë e deputetëve të partisë Vetëvendosje, lidhur me Kodin Civil.

Ministrja e Drejtësisë, thotë se ‘ata është dashur të tregojnë qëndrimin për Kodin Civil, para se të anëtarësoheshin në Vetëvendosje”.

“Është shumë i rëndësishëm provokimi i debatit për të cilën disa nuk kanë dëshirë as me dëgju.

Unë ndjek festivale që trajtojnë tema të tilla, kryesisht me komunitetin LGBT, dhunën në familje, krimet e luftës, gratë në përgjithësi.

Por me pjesëmarrjen tonë, kryeministri Kurti ka qenë edhe në DokuFest edhe në Anibar dhe ministrat tjerë dhe qëndrimet tona i kemi bërë publike.

Por unë megjithatë mendoj, ata të cilët e kanë kundërshtuar këtë Kod, kanë mendime të tilla për Kodin Civil, e kanë ditë që kur janë anëtarësuar ne Vetëvendosje që VV është subjekt progresist, social-demokrat dhe nuk e kuptoj pse nuk na kanë treguar çka mendojnë për këtë çështje, për sa kohë ne i kemi pasur të hapura mendimet tona dhe mendoj që kjo nuk është e drejtë.

Uroj që para se të anëtarësohemi në Këshillin e Evropës, gjegjësisht para fazës për anëtarësim, ta kemi të miratuar në Kuvend Kodin Civil.

Në fund të shtatorit apo në fillim të tetorit, presim ekspertët nga KE që janë të angazhuar në Republikën e Kosovës. Ne do të takohemi me ta, do ta trajtojmë temën e të drejtave të njeriut”, tha Haxhiu.

Të ngjashme