Lajme
Deputetja e LVV-së kishte kërkuar çekiç për ta rrënuar vetë objektin e “Abi Çarshisë”, e dëmtuan rreth 70 mijë euro
Demokracia
14:32 | 17 Maj 2022

Share:

I dëmtuari Irfan Fusha nga qeverisja e Mytaher Haskukës, si bashkëpronar i objektit “Abi Çarshia”, kishte deklaruar se Jetmire Vrenezi kishte kërkuar me çdo kusht që të rrënohej aneksi i objektit të “Abi Çarshisë” në Prizren.

Gjatë një seance në Gjykatën Themelore në Prizren në vitin 2021, i dëmtuari Fusha kishte deklaruar se i akuzuari Islam Thaqi e kishte lutur atë që të hyjnë brenda dhe ta kryejnë rrënimin e objektit, të cilin rrënim tha se e akuzuara Jetmire Vrenezi e kishte kërkuar me çdo kusht.

“Kam tri sqarime, e të cilat janë: pyetja që më ka bërë më herët avokati e për të cilat deklaroj se kush kanë qenë prezent në ditën e rrënimit që kanë apllauduar në objektin e “Abi Çarshisë” para rrënimit. Kanë qenë disa persona që kanë apllauduar kur ka filluar rrënimi. Janë edhe incizimet. Në ditën e hapjes, në ditën kritike, nga ana e inspektoratit kanë ardh dhe kanë ndaluar që të bëhet hapja e objektit “Abi Çarshia”, në të cilin kanë qenë të pranishëm me mijëra persona. Ditën e rrënimit, diçka që më ka prekë kur erdhën për rrënim, zotëri Islami, drejtori i inspektoratit, më ka lutë dhe më ka thënë më lejoni të hyjmë të rrënojmë pak dhe ta kryejmë urdhrin, por urdhrin e kujt nuk e di”, kishte deklaruar Fusha.

“Në ndërkohë zonjusha Jetmira ka thënë që ju në rast se nuk e rrënoni, ju më jepni çekiçin, unë do ta rrënoj vetë. Ka aty persona që e kanë dëgjuar këtë, ka qenë ditë pune, kanë filluar rrënimin, pa e ndërprerë rrymën, pa e ndërprerë ujin dhe kanë qenë një masë e madhe e njerëzve brenda nëpër lokale. Konsideroj se me këto veprime kanë shkaktuar rrezik”, kishte deklaruar Fusha.

“A e keni dëgjuar ju vetë personalisht këtë fjalë të thënë, siç e cekët me lartë, që e ka thënë e pandehura Jetmire?”, ishte pyetja e mbrojtësit të të akuzuarës Vrenezi, avokatit Ardian Morina, për të cilën Fusha u përgjigj: “E kam dëgjuar edhe vetë, por edhe kolegët e saj e kanë dëgjuar”.

Në fillim të dëshmisë së tij, Fusha kishte thënë se që kur e njeh të akuzuarin Islam Thaqi, që nga koha kur ka qenë drejtor i Inspektoratit nga të gjitha takimet që ka pasur me të, asnjëherë nuk është ndier i kërcënuar nga ai. I dëmtuari Fusha kishte shtuar se ka pasur shumë takime me të akuzuarin Thaqi dhe se nuk i kujtohet ai i 14 korrikut 2018, që sipas të akuzuarit, ishte takimi i tyre i parë.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, kishte ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqit, Jetmire Vrenezit, Egzonë Morina -Thaqit, Arian Tarakut dhe Isë Bislimajt, për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në aktakuzë thuhej se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimtarisë, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj zyrtarë në drejtorin e Inspektoratit dhe Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, në cilësinë e personave zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SHPK në Prizren.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim. Të njëjtit veprojnë në kundërshtim me ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat janë anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas Prokurorisë këto vendime obligojnë organet Komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa leje dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi me ç’rast gjatë rrënimit të aneksit të “Abi Çarshia”, “Abi” SHPK, në Prizren i shkaktojnë dëm në shumën prej 69,729 euro.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ishin ngarkuar se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Të ngjashme