Lajme
“Harron” se është ministër| Sveçla thotë se ishte mendim personal kundërshtimi i ambasadorit amerikan për zgjedhjet në veri
Demokracia
18:55 | 07 Dhjetor 2022

Share:

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sot nga Ura e Ibrit u trimërua dhe e kundërshtoi ambasadorin amerikan në Prishtinë. Ai hodhi poshtë paralajmërimet e ambasadorit, Jeff Hovenier, i cili tha se për momentin nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore.

Hovenier ka thënë se ky fakt është shqetësues për ta, teksa kërkoi nga palët të tregohen të vetëpërmbajtura.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për faktin se për momentin nuk janë krijuar kushtet që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen”, shkroi Hovenier.

Nga Mitrovica, Sveçla u ka thënë gazetarëve se institucionet janë të gatshme që t’i mbajnë zgjedhjet në veri. “Absolutisht që po, absolutisht ne kemi kapacitete me i mbajt zgjedhjet”, ka thënë Sveçla i pyetur për qëndrimin e ambasadorit amerikan.

Por, kur u kthye në Prishtinë në një konferencë me gazetarë, Sveçla u tregua më i butë. Ai tha se ky ishte mendimi dhe përshtypja e tij personale, shkruan Demokracia.com.

“Unë mund të ju them përshtypjet, por edhe bindjen time personale. Unë jam i bindur që Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet e nevojshme që të garantoj të gjitha proceset demokratike në Republikën e Kosovës. Për më shumë natyrisht se janë institucionet përgjegjëse të cilat marrin vendimet, është presidenca, është KQZ ai I cili e përgatit planin dhe I drejtohet presidentes për cfarëdo alternative të cilën ata mund ta prezantojnë. Për sa me takon mua, PK-ja po dëshmohet një polici e aftë që të kryej detyrat e saja ligjore. Policia e Kosovës bën vlerësimet e duhura, ata marrin vendime në bazë të këtyre vlerësimeve. Policia e Kosovës tërë kohën ka qenë në territorin e kësaj komune, ka qenë e angazhuar që të ofrojë siguri për qytetarët”, ka deklaruar Sveçla. /Demokracia.com/

Të ngjashme