Lajme
Haradinaj, opozitari i vetëm që i shkoi në takim Presidentes Osmani
Demokracia
17:55 | 22 Qershor 2023

Share:

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka arritur në objektin e Presidencës së Kosovës për takimin me presidenten Vjosa Osmani, i thirrur nga kjo e fundit.

Haradinaj është i vetmi nga liderët opozitarë i cili do të takohet me presidenten, kjo pasi që kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ai i PDK-së, Memli Krasniqi refuzuan ftesën e presidentes për takim.

Në ftesën e dërguar liderëve të partive politike, presidentja Osmani ka theksuar bindjen se “bashkëpunimi dhe dialogu i hapur ndërmjet institucioneve me partitë politike janë thelbësore për t’i përballur sfidat aktuale dhe për të punuar bashkë drejt arritjes së synimeve të përbashkëta…”.

Në letrën dërguar presidentes Osmani, lideri i PDK-së ka thënë se në tre javët e fundit , situata e sigurisë në Kosovë është përkeqësuar dukshëm dhe në veri të vendit nuk ka normalitet.

“Gjatë këtyre ditëve të vështira për Kosovën, me indinjatë kam vërejtur se presidentja ka qëndruar e heshtur dhe ka neglizhuar obligimin e saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe për të vepruar si institucion mbi palët”, ka shkruar Krasniqi.

Ndërkaq, në përgjigjen e Abdixhikut ndaj Osmanit thuhet se partia e tij ka përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit politike në vend “në veçanti qasjen e papërgjegjshme të Kryeministrit të Kosovës në raport me aleatët tanë, SHBA, BE e NATO”.

Abdixhiku ka theksuar se qasja konfliktuoze e kryeministrit Kurti, veprimet e pakoordinuara dhe papërgjegjësia diplomatike e strategjike, kanë rrezikuar sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Çfarë Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon e pret në këtë kohë është pozicionimi i qartë e kritik ndaj popullizmit të Kryeministrit, që ballafaqimin me aleat po e shndërron në kauzë të sjelljes së brendshme politike, me pasoja afatgjata për sovranitetin e vendit dhe për pozicionin tonë ndërkombëtar”, thuhet në përgjigjen e Abdixhikut ndaj presidentes Osmani.

Takimi i thirrur nga presidentja me kërkesë të kreut të AAK-së sipas njoftimit, ka nisur në ora 17:00.

Të ngjashme