Lajme
Haraçi i ngritjes enorme dhe të përditshme të çmimeve në Kosovë
Demokracia
23:13 | 03 Mars 2023
Ilustrim

Share:

Pos rrezikut kryesor për sigurinë kombëtare që vjen nga rritja e madhe dhe e përditshme e çmimeve të të gjitha produkteve thuajse, sipas vlerësimeve të qytetarëve të vendit, pasojat e tjera nga rritja e egër e çmimeve vijojnë zinxhir: varfëria e Kosovës vazhdon të rritet, sikundër dita ditës po rritet numri i familjeve që kërkojnë ndihmë sociale, numrin i të papunëve, i të ikurve nga Kosova, vazhdon të vështirësohet jeta e mbi 140 mijë pensionistëve që kanë pensionin mujor gjithsej 100 euro.

Vlerësimet e qytetarëve të Kosovës se rreziku kryesor për sigurinë kombëtare në vend vjen nga rritja e çmimeve të mallrave, duke e lënë si rrezik më pak të përfillshëm për sigurinë kombëtare të vendit trafikimin e drogës, krizën energjetike dhe krizën ekonomike, të bëra publike nga të dhënat e një raporti të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), tregon qartë për shqetësimet tronditëse të kosovarëve për kërcënimet që shkakton rritja e pandalur, e egër dhe jashtë çdo logjike të tregut, e çmimeve.

Nuk është fare ndonjë satisfaksion se sipas këtij raporti, ngjashëm del të jetë edhe në Shqipëri dhe Serbi, ku, po kështu, rritja e çmimeve të mallrave dhe kriza ekonomike shihen si rreziqe kryesore. Kosova e varfër, me numër shumë të madh të banorëve ekstremisht të varfër, me numër enorm të familjeve që kërkojnë ndihmë sociale, me shifra rekorde për rajonin për numrin e të papunëve, me mbi 140 mijë pensionistë që kanë pensionin mujor gjithsej 100 euro, po vazhdon të varfërohet edhe më për shkakun e ngritjes enorme të çmimeve. Dhe për shkakun e abuzimeve të tregtarëve manipulator, që me çdo kusht duan të pasurohen shpejtë e shpejtë, brenda natës, Kosova sot ka çmime enorme thuaja të të gjitha produkteve, e sidomos të atyre elementare ushqimore që tejkalojnë ato edhe të shteteve më të pasura të Evropës dhe të rajonit po se po.

Qytetari i Kosovës sot paguan më shtrenjtë se në shumicën e vendeve europiane dhe të rajonit çmimin e vajit, miellit, sheqerit, bulmetrave, të gjitha produktet e higjienës. Prandaj, ngritja e vazhdueshme e çmimeve për produktet e konsumit është bërë sfidë për qytetarët e vendit tonë.

Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, edhe në muajin janar të këtij viti, inflacioni ishte 0.9 për qind më i lartë se muaji dhjetor 2022, derisa krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, inflacioni, siç dihet, ka arritur në muajin e parë të 2023-tës në 12.1 për qind. Raporti ASK-së thekson se rritje të çmimeve ka pasur në pothuajse të gjitha produktet bazike të konsumit.

Dea Fetiu, nga QKSS-ja, thotë për medie se shqetësimi për rritjen e çmimeve është kaq i theksuar, për shkak të rreziqeve që mund të pasojnë.

“Kjo mund të çojë në një krizë ekonomike dhe në një varfëri edhe më të madhe, e cila, pastaj, bashkë me papunësinë dhe disa rreziqe të tjera, bëhet shumë e rrezikshme për sigurinë kombëtare”, ka thënë Fetiu për REL-in.

Dhe, përkundër këtyre fakteve, anarki dhe kaos po mbretëron edhe këtyre ditëve në fushën e çmimeve. Tregtarët e pandërgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm të Kosovës, po ngarendin të shfrytëzojnë situatën, përqendrimin e krerëve shtetërorë në gjendjen aktuale politike dhe mosangazhimin total, neglizhencën e paparë të autoriteteve në krye të shumë dikastereve kompetente, si pasojë e moskontrollit fare të tyre, për të kryer detyrat për çka marrin pagë nga taksapaguesit kosovarë. Po del të jenë vetëm fjalë, sado që të shkruara e zeza në të bardhë, masat e qeverisë të bëra publike gjatë tërë vitit 2022 për frenimin e shpërthimit egërsisht të ngritjes së çmimeve, sidomos të produkteve elementare ushqimore.

Dhe ky trend i shpërthimit të egër të çmimeve ka vazhduar deri më sot, kur temperaturat ekstreme të ftohta për sivjet përfshinë edhe vendin tonë dhe kur ky i ftohtë sa çel e mbyllë sytë u mor si pretekst për të ngritur çmimin edhe të shumë produkte të fushës, duke çuar kostot e tyre deri këtyre ditëve goxha stabile, në nivele të pakapshme për konsumatorin e rëndomtë kosovar, raporton Buletini Ekonomik.

Në Kosovë, pra po ndodhë edhe e kundërta e parashikimeve të institucioneve monetare ndërkombëtare, të cilat kishin paraparë që më 2023 të nis trendi i uljes së çmimeve të shumë produkteve dhe bashkë me këtë edhe ulja e përqindjes së lartë të inflacionit. Praktikisht, institucionet e Republikës dhe autoritetet zyrtare, po dëshmohen të pafuqishme totalisht kundrejt tendencave të tejdukshme, që siç po duket, janë edhe të nxitura dhe të aplikueshme nga tregtarët abuziv dhe që kanë synim të vetëm pasurimin e vet pa zgjedhur mënyra dhe rrugë dhe pa përfillur asnjë normë, as ligjore, as morale.

“Rritja e çmimeve që ka ndodhur gjatë dy viteve është diçka që nuk ka ndodhur asnjëherë më pare”, ka konstatuar kohë më parë lideri i LDK-së opozitare.

Sipas tij, “përgjatë dy viteve të shkuara, norma mesatare e inflacionit në Kosovë ka arritur në mbi 20 për qind, përderisa çmimet e produkteve bazike janë rritur për mbi 50 për qind. Kaq shumë ndryshim në kaq pak kohë, nuk ka pasur asnjëherë. Pavarësisht kësaj rritjeje, Qeveria nuk ka ofruar asnjë zgjidhje dhe jetën e dinjitetshme që familjet kosovare e meritojnë”.

Por, ngritjen egërsisht të çmimeve të produkteve elementare ushqimore po e ndiejnë në supet e tyre qytetarët e Kosovës. Edhe më shumë, ata, të varfëritë që janë numerikisht shumicë në këtë vend. Ata, tashmë thënë shkurt e shqip, janë lodhur dhe mezi po e përmbyllin muajin me muaj. Ka rënë pa diskutim fuqia blerëse e kosovarëve në përgjithësi, e në veçanti e të skamurve, edhe për pasojë se në këtë fillim vit të 2023-tës familjet kosovare pothuajse çdo produkt po e blejnë më shtrenjtë.

Ngritja e pakontrolluar, në përqindje kaq të madha dhe rekorde e çmimeve të produkteve bazike ushqimore e vështirëson shumë jetën normale të kosovarëve shumicë. Dhe me këtë “rënie të lirë’ të çmimeve, ç’është më keq, nuk ndalet dot inflacioni, që po zhvlerëson në përmasa shqetësuese edhe potencialin financiar të vendit.

Në këtë mënyrë, pra me ngritjen e përditshme të çmimeve, që siç kanë konstatuar të shqetësuar qytetarët e Kosovës të shprehur në anketën e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), shpërfaqet rreziku më i madh i sigurisë kombëtare. Por, rritja e përditshme e çmimeve realisht po e thellon në përmasa të pakonceptueshme varfërinë e shumicës së kosovarëve. Sepse, Kosova tashmë është realisht e varfër. Është më e varfëra në rajon. Vetëm Shqipëria është shumë pranë, madje thuaja ngjitas, për nga varfëria.

Më konkretisht, edhe sipas të dhënave për renditjen e shteteve të botës nga i pasuri tek më i varfëri për 2022-ën, Kosova del të jetë shteti më i varfër në rajon, duke u renditur në vendin e 105-të në botë me 13,964 dollarë të ardhura për kokë banori. Revista “Global Finance” e cila ofron raporte ekonomike, listime apo edhe lajme financiare, ka publikuar renditjen e shteteve të botës nga më i pasuri tek më i varfëri për vitin 2022. Shifrat i referohen Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në publikimin “Prespektiva Ekonomike Botërore, prill 2022”. Sipas këtyre të dhënave, për vitin 2022 Kosova del të jetë shteti më i varfër në rajon, duke u renditur në vendin e 105-të në botë me 13,964 dollarë të ardhura për kokë banori. Shqipëria renditet e 90-ta mes 192 vendeve në total të marra në analizë me PBB për frymë me 17,383 dollarë. Matja e vendeve të pasura dhe të varfër bëhet referuar PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse.

Sipas Agjencisë së Statistikave (ASK), papunësia në Kosovë është mbi 25 për qind. Të dhënat e fundit të ASK-së për tregun e punës tregojnë se nga mbi një milion qytetarë në moshë pune në Kosovë, mbi 350 mijë janë të punësuar, ndërsa mbi 120 mijë janë të papunë. Gjithnjë sipas ASK-së, rreth 750 mijë qytetarë janë ekonomikisht joaktivë, që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.

Për varfërinë reale të Kosovës flasin edhe këto fakte: Të dhënat më të fundit nga ASK-ja rreth statistikave të mirëqenies sociale në Kosovë, tregojnë se në janar të këtij viti (2023), kanë qenë të regjistruara mbi 22 mijë familje (saktësisht 22 mijë e 571 familje) në skemën e ndihmës sociale (raste sociale, pra), me gjithsej 89 mijë e 318 anëtarë familjesh, përcjell Buletini Ekonomik. . Numri i familjeve me gjendje të rëndë ekonomike, e që marrin asistencë sociale çdo muaj nga buxheti i Kosovës, aktualisht është 22 mijë e 571. Vetëm në muajin janar të këtij viti, siç transmeton Buletini Ekonomik, nga skemat e ndihmave sociale të Kosovës kanë përfituar gjithsej 89 mijë e 318 anëtarë. Këto të dhëna flasin vetëm pjesërisht për pasojat evidente të rritjes abusive të përditëshme të çmimeve në Kosovë. Përmasat e pasojave janë gjithsesi edhe më alarmuese dhe më tronditëse, po qe se saktësohen, detajizohën dhe analizohën ç’ekuilibrimin derekt dhe të tërthortë që vije gjithherë nga ngritja manipulative e çmimeve, siç vazhdon të ndodhë te ne.

Të ngjashme