Intervista
Hajrullahu: Rusia mund të shfrytëzojë Kosovën për të larguar vëmendjen nga lufta në Ukrainë
Demokracia
16:44 | 24 Shkurt 2022
Ilustrim

Share:

Ofensivën ruse në Ukrainë profesori universitar Arben Hajrullahu e sheh të rrezikshme për Ballkanin Perëndimor, veçmas Kosovën. Sipas tij, Rusia mund të shfrytëzojë Kosovën për të larguar vëmendjen nga fronti i vërtetë i luftës.

Hajrullahu në një intervistë për KosovaPress thotë se Rusia mund të shfrytëzojë zgjedhjet në Serbi, për të shkaktuar trazira në Kosovë. Porse, thekson se BE dhe shtetet perëndimore, duhet të jenë të vëmendshme për të mbajtur secilën palë përgjegjëse për veprimet ose mosveprimet për këtë situatë krize të sigurisë të perimetrit global.

Sipas tij, situata në Ukrainë paraqet një rrezik real, pasi që siç thotë ai, presidenti rus Vladimir Putin tenton që t’i ndërrojë të gjitha rregullat e arkitekturës në Evropë dhe në botë.

“Prej Luftës së Ftohtë nuk njeh në këtë masë, me një fjalë kemi të bëjmë me një agresion klasik të një shteti sovran të një shteti sovran tjetër, që e ka emrin luftë agresive kundër shtetit sovran të Ukrainës… Rreziku është bukur real, Perëndimi dhe bota është vënë para një sprove shumë reale se si të veprohet me një regjim, me një lider siç është në këtë rast presidenti Putin, i cili e sfidon dhe tenton që t’i ndërrojë të gjitha rregullat e arkitekturës të sigurisë në Evropë dhe në rrafshin global. Pra, sipas të gjitha gjasave bota nuk do të mund më të jetë e njëjtë sikurse që ka qenë nga përfundimi i Luftës të Ftohtë me rënien e komunizmit e deri më tani, meqenëse kemi një lider i cili është në krye të një shteti që është fuqi bërthamore dhe tenton që ta rikthejë një perandori totalitare siç ishte ish-Bashkimi Sovjetik, prapë në skenën e ndikimit të madh të politikave botërore që zhvillohen duke përdorur ndër të tjera edhe energjinë si armë pas krijimit të një varshmërie të madhe të shumë shteteve perëndimore në burimet e energjisë Ruse”, thotë ai.

Ndërkohë që ShBA dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, Hajrullahu thotë se nevojitet kohë e gjatë që Rusia t’i ndjejë ato, derisa shton se pasojat e luftës në Ukrainë do të jenë shumë të mëdha.

Ai pohon se ngjarjet në Ukrainë mund të rritin tensionet në Ballkan.

“Në aspektin ekonomik do të ndjehen pasojat, jo vetëm në Ballkan e Evropë, por gjithandej botës. Mirëpo, në rajonet fragjile, siç është ky i yni, që ka aksione hibride nga Federata ruse dhe një formë tjetër, sateliti i saj në rajonin tonë, shteti i Serbisë, atëherë pritet dhe ka rreziqe reale dhe mund të ketë shpërqendrim të vëmendjes prej frontit të luftës, apo edhe për realizimin e qëllimeve të ndryshme që mund t’i kenë… Rreziku është real, që eventualisht tentohen të organizohen masa destabilizuese, të iniciohen në Kosovë por edhe në rajone tjera të rajonit të Ballkanit me qëllim të shpërqendrimit të vëmendjes të asaj se çfarë është duke implementuar në frontin e luftës Federata Ruse kundër Ukrainës”, thotë ai.

Serbia pritet të mbajë në prill zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, ndërkohë që kjo e fundit ka deklaruar se pret që zgjedhjet t’i organizojë edhe në territorin e Kosovës, ani pse Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër.

Sipas Hajrullahut, kjo situatë mund t’i shërbejë Rusisë që përmes trazirave, të largojë vëmendjen nga fronti i vërtetë i luftës. Derisa thekson se të gjitha argumentet janë në anën e Qeverisë së Kosovës.

Profesori universitar flet edhe për gjendjen ndërhyrjen e Rusisë në këto zgjedhje, pasi thekson se rusëve iu konvenon mbajtja në pushtet e një autokrati siç është Vuçiqi.

“Rusia mund të tentojë që të ndërhyjë në zgjedhjet në Serbi, siç ka tentuar dhe ka ndërhyrë në zgjedhje dhe në proceset politike gjithandej nëpër botë. Në Kosovë, vetëm të sqarohet që nuk i mohohet asnjë qytetari, në çfarëdo cilësie që është, e drejta e votës. Shpeshherë deklarohet se ‘po iu mohohet e drejta e votës serbëve kosovarë’, kjo nuk është, as nuk ka ndodhur asnjëherë. Mirëpo, me referendumin e fundit është ndërprerë praktika e tillë që shteti i Serbisë të organizojë zgjedhje, referendume e të tjera në shtetin e Kosovës. Përfaqësues të institucioneve të Kosovës do të qëndrojnë e do të argumentojnë që të gjitha argumentet janë në anën e tyre… aq më pak zgjedhje të një shteti, i cili ta mohon ekzistencën, siç është Serbia”, thotë profesori universitar.

Ai komenton për KosovaPress edhe deklaratën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq se i nevojiten 48 orë për të dalë me qëndrim rreth Ukrainës. Derisa shton se “këto 48 orë i nevojiten presidentit të Serbisë që të konsultohet me tutorët e vet në Moskë”.

“Unë pres që Serbia, nuk është asgjë e re, tenton të ruajë njëfarë lloj neutraliteti dhe të provojë prapë që të mos pozicionohet. Dhe, në qoftë se detyrohet të pozicionohet në një formë ose tjetër, atëherë pritet që deklarimi të jetë tjetër e veprimi diçka tjetër. Kështu që shpresoj shumë që BE por edhe shtetet perëndimore, vërtet do të ndajnë një herë e mirë ‘shapin prej sheqerit’, se kush dhe me kë të mbahet secila palë përgjegjëse për veprimet ose mosveprimet për këtë situatë krize të sigurisë të perimetrit global”, thekson Hajrullahu.

Profesor Hajrullahu tregon se ka një kampanjë dezinformomi nga pala serbe, e cila e preferon gjithmonë rolin e viktimës duke thëne se kinse po ju mohohet e drejta e votës qytetarëve serbë në Kosovë, çka siç thotë ai, është plotësisht e pavërtetë.

Në orët e para të mëngjesit, trupat ruse u futën në Ukrainë, ndërsa shpërthime të shumta u dëgjuan në qytete të ndryshme të vendit, përfshi edhe Kievin.

Presidenti Volodymyr Zelensky konfirmoi raportimet për sulm me predha në vendin e tij. Ai tha se Rusia ka sulmuar rojet kufitare dhe disa infrastruktura të Ukrainës

Të ngjashme