Lajme
Guxo ‘s’guxon’ të flas për qortimin amerikan: Del me deklaratë për veriun, mbështet Qeverinë
Demokracia
21:31 | 31 Maj 2023

Share:

Partia “Guxo”, që është pjesë e koalicionit qeverisës me LVV-në, ka lëshuar një komunikatë rreth zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës. Këtë deklaratë e ka shpërndarë edhe Blerim Gashani, zëvendësministër në Ministrinë e Brendshme, e të cilën e ka shpërndarë pastaj edhe faqja zyrtare e partisë Guxo.

Në këtë deklaratë të gjatë, Guxo thotë se po i përcjell me vëmendje zhvillimet më të reja në vend, duke thënë se vendosja e kryetarëve në objektet komunale është obligim ligjor.

“Grupet e dirigjuara ekstremiste kriminale plasuan kërcënime publike dhe më 26 maj 2023 bllokuan hyrjen në objektet komunale. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kërkoi asistencë dhe Policia e Kosovës, në kuadër të kompetencave të saj ligjore, u detyrua të ndërmarrë masat e nevojshme për shpërndarje të turmës, pasi paraprakisht kishin kërkuar nga protestuesit të lirojnë hyrjet në objekte. Turma e ekstremistëve ka reaguar me dhunë në të tri komunat (Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok), por më së shumti në Zveçan, dhe nga sulmet me mjete të ndryshme, janë lënduar 5 zyrtarë policorë si dhe janë shkaktuar dëme materiale. Kryetarët e Komunave janë vendosur në zyrat e tyre sipas kërkesës së MAPL-së”, shkruhet aty.

Guxuo nuk e ka përmendur farë çështjen e sanksioneve nga ana e ShBA-së. Megjithatë, aty shrkuhet se Guxo e mbështet bashkëpunimin me ShBA-të.

“Po ashtu, Partia Guxo mbështet komunikimin e sinqertë e të vazhdueshëm, bashkërendimin e bashkëpunimin e ngushtë të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës me misionet e me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin partneritet e bashkëpunim vëllazëror, Republika e Kosovës ka trasuar e ndërtuar rrugën e vet drejt lirisë, pavarësisë, demokracisë e zhvillimit të saj si shtet i pavarur, sovran e unik.” – shkruhet tutje.

Të ngjashme