Lajme
Grupi nismëtar i serbëve në Mitrovicë të Veriut nuk ka njoftuar se ku do ta mbajnë peticionin
Demokracia
16:28 | 26 Dhjetor 2023

Share:

Të premten ka nisur afati 30 ditor për organizimin e peticionit për rrëzimin e kryetarit të komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. Mirëpo, grupi iniciues atje nuk e ka informuar ende kryesuesin e kuvendit komunal për vendin se ku do ta mbajnë peticionin. Uglanin tha se pret që një informatë të tillë do ta marrë deri të premten.

Qytetarët serbë në Mitrovicë të Veriut kanë kohë 30 ditë për organizimin e peticionit për shkarkimin e Atiq. Ky afat ka nisur të premten e 22 dhjetorit.

Mirëpo, kryetari i kuvendit komunal, Nexhat Uglanin, ka thënë se ende nuk është njoftuar se ku do të mbahet peticioni, derisa shtoi se pret që deri të premten të njoftohet për këtë.

Sipas tij një gjë e tillë është e paraparë me udhëzim administrativ.

“Nuk më kanë njoftuar ende se ku do të mbahet, në cilën hapësirë publike. Se ashtu janë të obliguar sipas udhëzimit administrativ, por deri të premten sigurisht do të më njoftojnë”, tha ai.

Të premten Uglanin tha se është njoftuar nga iniciuesit e peticionit dhe të njëjtëve ua ka dorëzuar formatet, pas dritës së gjelbër që ka marrë nga Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal.

“Në konsultime me MAPL, sot e kam marrë njoftimin, ata janë të regjistruar, i kam marrë formatet, për nismën e procedurës, dhe nisma e procedurës është njoftimi i Kryesuesit të Kuvendit Komunal për nismën e peticionit dhe objekti ku do të mbahet peticionit. Prej sot fillon afati prej 30 ditësh”, ka thënë Uglanin.

Çka tha Lajçak për zgjedhjet në veri?

Zgjedhjet në Veri ka qenë njëra nga temat për të cilat ka folur Përfaqësuesi Special i BE’së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express.

Ai tha mbledhja e nënshkrimeve është hap pozitiv për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

“Që kur serbët e Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës në nëntor të vitit 2022, ne kemi kërkuar vazhdimisht që serbët t’i përmbushin obligimet e tyre prej Dialogut dhe të kthehen në institucione dhe që Kosova të mundësojë që ky kthim të ndodhë. Mbledhja e nënshkrimeve si fillim është një hap pozitiv për të mundësuar që ky rikthim të ndodhë më në fund.”

Ai shtoi se “rezultati i zgjedhjeve lokale të 23 prillit ka treguar se sa komplekse dhe e brishtë është situata”.

“Mungesa e vazhdueshme e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës dhe vakuumi që ata lanë nuk është i qëndrueshëm dhe nuk është i favorshëm për stabilitetin në veri të Kosovës dhe përfaqësimin e institucioneve të Kosovës. Është shumë e rëndësishme që të kthehemi në një situatë në të cilën serbët e Kosovës marrin pjesë aktivisht në procesin zgjedhor, në qeverisjen lokale, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës, siç ka qenë në të kaluarën. Ne kemi nevojë që të dyja palët ta luajnë rolin e vet për këtë”, tha Lajçak në një intervistë për Express.

Kur u pyet se a ka lidhje asociacioni me mbajtjen e zgjedhjeve në veri, ai tha se procesi i ri zgjedhor duhet të vazhdojë në mënyrë të pavarur dhe para themelimit të Asociacionit.

“Themelimi i Asociacionit sigurisht që do të ndihmonte, por procesi i ri zgjedhor duhet të vazhdojë në mënyrë të pavarur dhe para themelimit të Asociacionit”, tha ai.

Bashkësia ndërkombëtare ka rekomanduar dorëheqjet e tyre që të organizohen zgjedhje më të shpejta, mirëpo Qeveria ka insistuar në opsionin për peticion, për çka më pas u hartua udhëzimi administrativ.

Ky udhëzim parasheh që kryetarët të shkarkohen pas nisjes së peticionit nga qytetarët.

Sipas këtij udhëzimi, grupi nismëtar para se të nisë mbledhjen e nënshkrimeve duhet ta njoftojë kryesuesin e kuvendit komunal dhe mund ta njoftojë KQZ’në.

Erden Atiq, Izmir Zeqiri, Lulzim Peci dhe Ilir Peci u zgjodhën kryetarë pasi fituan zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u karakterizuan me dalje të ulët të qytetarëve.

Pasi ata hyrën në objektet komunale në Veri pati protesta të dhunshme që çuan në lëndime të pjesëtarëve të KFOR’it, Policisë e gazetarëve. /GazetaExpress/

Të ngjashme