Edhe tani që ka hyrë në vitin e katërt si kryeministër i Kosovës, Albin Kurtin vazhdon ta ndjek pas Zajednica, që fuqinë më të madhe e mori pikërisht prej saj.
Hija e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, vazhdon ta ndjek pas kryeministrin Kurti, që nga dita e parë kur hyri në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Për gati një dekadë, opozitari Kurti ka shtjerrë zërin e tij duke brohoritur nëpër protesta e demonstrata: Zajednica nuk kalon.
Së shpejti, ai pritet ta miratojë në Qeverinë e Kosovës, Statutin për themelimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilin e kundërshtoi aq shumë dhe aq gjatë.
https://demokracia.com/albin-kurti-ati-i-zajednices/
Kurti, që shqiptarëve u kishte dhënë premtimin e madh se me ardhjen e tij në pushtet nuk do ta lejonte kurrsesi themelimin e Zajednicës, tashmë i ka hyrë rrugës përfundimtare të zyrtarizimit të një Zajednice edhe më të rrezikshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Më 3 nëntor 2021, Kurti deklaroi në emisionin HARDtalk në BBC se “populli më votoi të parandaloj bosnjëzimin e Kosovës”. “[Me Zajednicë] donin të përsërisnin Bosnjën në Kosovë. Unë nuk do ta lejojë këtë, qofsha në opozitë, qofsha në Qeveri. Kjo është arsyeja se pse njerëzit më votuan: Për të parandaluar Bosnjëzimin e Kosovës. Beogradi dëshiron të ketë një shtet brenda një shteti. Shteti i Serbisë me pavarësi brenda Kosovës”, deklaronte Kurti.
Por, sipas njohësve të së drejtës ndërkombëtare, Kurti ka kaluar edhe Marrëveshjen 2013/2015, pasi sipas Marrëveshjes Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] të arritur me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, Zajednica do të ketë fuqi ekzekutive dhe parasheh autonomi politiko-territoriale për komunitetin serb në 10 komuna.
Vetë Kurti është lavdëruar për Marrëveshjen Bazë, që ka në brendësi të saj nenin 7, i cili siguron ‘Vetëmenaxhimin’ apo Autonominë për serbët.
“Vitin e kaluar kemi arritur një Marrëveshje të Re Bazike e cila, në njërën anë, sjell njohjen reciproke de facto dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e në anën tjetër, përmes nenit 7, adreson gjetjet e Gjykatës Kushtetuese ndaj ‘Asociacionit’. Serbia, në vend që të pranojë të nënshkruajë Marrëveshjen Bazike të vitit të kaluar të arritur në Bruksel ku e ka nenin 7, po insiston e kërkon ato dy marrëveshjet e viteve 2013 e 2015 që përbëjnë shkelje të dyfishtë”, ka shkruar kryeministri Kurti në Facebook më 19 prill 2024. Mirëpo, për ta zënë në gënjeshtër kryeministrin Kurti, nuk duhet opozita dhe as njohësit e kësaj fushe. Kjo mund të bëhet shumë lehtë përmes njerëzve të afërt të tij, si Glauk Konjufca e Emilija Rexhepi. Kryeparlamentari Glauk Konjufca e quan nenin 7 si “pikë të vendosur në favor të Serbisë”, kurse zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi ka zbuluar në një rast tjetër se Zajednica 2023 e Kurtit është Republikë Serbe.
Fati duket se është i tillë, di të tallet pamëshirshëm me politikanët si Kurti që nuk lënë gurë pa lëvizur me qëllimin e vetëm që të vijnë në pushtet. Dhe nuk është pak kohë që fati sillet kështu me njeriun që mashtroi të gjithë, duke u treguar gati çdo natë dhe për gati një dekadë se çfarë djalli është Zajednica. Sot, Albin Kurti në çdo hap që bënë mundohet të ikë nga Zajednica, por përpjekjet e tij janë dëshpëruese. Po aq të kota janë edhe përpjekjet e tij për t’ia dëshmuar shqiptarëve se “Zajednica 2023” është më e mirë. /Demokracia.com