Lajme
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët, kalohet në seancë private për të identifikuar disa persona
Demokracia
11:23 | 04 Shtator 2023

Share:

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, seanca në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka kaluar në seancë private për të bërë identifikimin e një liste me emra.

Kjo është bërë gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit të 20-të (me kodin 04368), nga mbrojtja e Thaçit, avokatit Gregory Kehoe, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, dëshmitari është pyetur nëse i njeh personat e fshatit të tij, të cilët janë kyçur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ai është përgjigjur ‘‘personat e fshatit tim i njoh’’.

Më tej, ai është pyetur nëse një person me emrin Ramush Krasniqi kishte qenë shok klase me njërin nga vëllezërit e tij dhe se këtë dëshmitari e pohoi.

Por që pas kësaj, nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar është kërkuar të kalohet në seancë private me arsyetimin se mund të dalin emra dhe ekziston frika se mund të identifikohet dëshmitari i mbrojtur.

Për këto arsye, seanca në këto momente po vazhdon në sesion privat.

Të ngjashme