Lajme
Gjithçka çfarë ndodhi gjatë kësaj jave në Kosovë
Demokracia
07:58 | 21 Mars 2021

Share:

Gjatë kësaj javë në Kosovë pati zhvillime të rëndësishme. Nga ngjarjet politike, reforma, konsultime e provokime, të gjitha këto ndodhen brenda shtatë ditëve. Demokracia.com në përmbledhjen e saj javore ju sjell ngjarjet më të rëndësishme të javës.  

E hëna nisi me një ngjarje që u shënua jashtë Kosovës, por që ndërlidhej me vendin tonë.

Më 15 mars u bë përurimi i hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem dhe në ceremoni kanë marrë pjesë E ngarkuara me Punë e Republikës së Kosovës në Izrael, Ines Demiri dhe Shefi i Protokollit të Shtetit i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit, Gil Haskel.

Haskel përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, e quajti privilegj pjesëmarrjen në përurimin e Ambasadës, përcjell Demokracia.com.

“Ishte një privilegj sot për ta përuruar zyrtarisht Ambasadën e parë ndonjëherë të Republikës së Kosovës në Izrael, në zemër të kryeqytetit tonë, Jerusalemit. Urime për Ines Demirin, Shefen e parë të Misionit”, ka shkruar Haskel.

Përurohet Ambasada e Kosovës në Jeruzalem

Në po këtë ditë, në Prishtinë nisën bisedimet e pretendentëve për pozitat më të larta shtetërore, Albin Kurti dhe Vjosa Osmanit, me krerët e partive parlamentare.

Kurti e Osmani fillimisht u takuan me kreun e PDK-së, Enver Hoxhaj.

Demokracia.com raportoi ekskluzivisht për takimin mes dy palëve që në politikë nuk kanë raporte edhe aq të mira me njëra-tjetrën.

Në takim, Hoxhaj ka pyetur Kurtin lidhur me parimet e tij për qeverisjen e ardhshme, teksa ka konfirmuar edhe një herë se PDK-ja do të qëndrojë në opozitë.

Hoxhaj me “kërkesa të rënda” për Kurtin e Osmanin

E marta në vendin tonë nisi me mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

Këta të fundit, morën një vendim të rëndësishëm.

Më 22 mars, të hënën do të mbahet seanca për konstituimin e Legjislaturës së Tetë, ndërsa pas kësaj, edhe ajo për formimin e Qeverisë së ardhshme të vendit.

Seanca për konstitutimin e Kuvendit mbahet të hënën

Të martën, pati edhe ngjarje të tjera.

Përgjatë gjithë ditës vijuan takimet e Kurtit dhe Osmanit me partitë politike në vend.

Kësaj radhe, u takuan me partitë e komuniteteve pakicë. Thuajse të gjithë përfaqësuesit e këtyre të fundit, janë shprehur të gatshëm për bashkëpunim me Kurtin.

Megjithatë, nga Partia Demokratike Turke kanë deklaruar se kanë disa kushte dhe kërkesa për Kurtin.

Deputetët turq nuk kanë vendosur se a do ta votojnë Qeverinë Kurti, kanë kërkesat e tyre

Tjetër ngjarje që mori vëmendje në vendin tonë gjatë kësaj jave ishte edhe rasti i vrasjes së një të riu nga Deçani gjatë vitit 2018.

Agonis Tetaj, 29-vjeçar nga Deçani, u vra më 2018 nga djali i punëdhënësit të tij. Për këtë rast, babai i tij, Isuf Tetaj në një letër publike po e akuzon prokurorin e rastit, Agron Uka, se është duke manipuluar me rastin e vrasjes së djalit të tij.

Të martën është bërë rikualifikimi i veprës në rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj nga Deçani, nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje nga pakujdesia”.

Ndërkaq, të premtën, Gjykata Themelore në Pejë ka marrë vendim që ta rihap rasten për vrasjen e Agonis Tetaj.

Publikohet video e plotë e vrasjes së të riut në Deçan, babai i tij kërkon drejtësi

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq gjatë kësaj jave publikoi një foto-montazhë në llogarinë e tij në Instagram, përmes së cilës provokoi Kosovën dhe shqiptarët.

Në këtë fotografi, paraqitej harta e Kosovës dhe flamuri serb.

Përdorues të shumtë të rrjeteve sociale kanë nisur peticion për të hequr fotografinë e publikuar nga Vuçiq në Instagram.

Ndërkaq, edhe liderë të ndryshëm në vend kanë reaguar ndaj këtij veprimi që u cilësua si provokim.

Vuçiqi provokon me fotomontazh, Kosovën e mbulon me flamurin serb

Java në vendin tonë përfundoi përsëri me zhvillime në LDK.

Të shtunën kjo parti mblodhi Këshillin e Përgjithshëm dhe vendosi për kryesinë e re.

Ajo që befasoi ishte përjashtimi i “Gardës së Vjetër” nga kryesia e partisë, duke përfshirë këtu edhe emra të njohur në këtë subjekt si Agim Veliu dhe Haki Rugova.

“Garda e vjetër” e LDK-së mbetet edhe jashtë kryesisë

Këto ishin disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të kësaj jave. Lexoni Demokracia.com për t’u informuar për zhvillimet e rëndësishme që presin vendin në javët në vazhdim.

Të ngjashme