Lajme
Përurohet Ambasada e Kosovës në Jeruzalem
Demokracia
16:27 | 15 Mars 2021

Share:

Sot është bërë përurimi i hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem dhe në ceremoni kanë marrë pjesë E ngarkuara me Punë e Republikës së Kosovës në Izrael, Ines Demiri dhe Shefi i Protokollit të Shtetit i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit, Gil Haskel.

Fotografië e ceremonisë janë publikuar nga Demiri dhe nga Haskel. Ky i fundit, përmes një shkrimi në rrjetin social Twitter ka thënë se ishte privilegj pjesëmarrja e tij në ceremoninë e hapjes zyrtare të Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem.

“Ishte një privilegj sot për ta përuruar zyrtarisht Ambasadën e parë ndonjëherë të Republikës së Kosovës në Izrael, në zemër të kryeqytetit tonë, Jerusalemit. Urime për Ines Demirin, Shefen e parë të Misionit”, ka shkruar Haskel.

 

E Ngarkuara me Punë e Republikës së Kosovës në Izrael, Ines Demiri, gjithashtu ka shkruar në Twitter duke thënë se hapja e Ambasadës është nderi më i madh i jetës së saj.

“Një moment vërtet krenar dhe historik për marrëdhëniet e Kosovës dhe Izraelit. Republika e Kosovës sot zyrtarisht hapi Ambasadën e saj në Jeruzalem! Nderi më i madh i jetës sime është të kem këtë mundësi për të hapur Ambasadën dhe t’i shërbej me krenari vendit tim në Izrael”, ka shkruar ajo.

Dje, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Izrael me seli në Jerusalem, si pjesë e Marrëveshjes së arritur në Washington, të nënshkruar në shtator të vitit që shkoi./Demokracia.com/

Të ngjashme