OpEd
Gjermania hyn në mes dashurisë Biden-Europë
Demokracia
13:17 | 24 Janar 2021

Share:

Foreign Policy Magazine, në analizën e vet nxjerr në sipërfaqe një pengesë të madhe në marrëdhëniet mes Amerikës dhe Europës, e për të cilën nuk flitet hapur – përpjekjet e Gjermanisë që të mbetet mirë edhe me Europën e SHBA-në në një anë, por edhe me Rusinë e Kinën në anën tjetër, edhe atëherë kur kjo cenon marrëdhëniet dhe aleancën transatlantike.

Inaugurimi i Joe Biden si pasardhës i Donald Trump, që ishte veçanërisht inatçi kundrejt Gjermanisë, ka sjell një ndjenjë çlirimi në Europë, sidomos në Gjermani, shkruan Foreign Policy, dhe vëren se në Berlin fitorja e Biden u përcoll me fjalime të Kancelares Angela Merkel, Presidneti Frank-Walter Steinmeier, Ministrit të Jashtëm Heiko Maas dhe Ministrit të Mbrojtjtes Annegret Kramp-Karrenbauer që flisnin deri edhe për një “New Deal” trans-atlantik.

Në analizën e saj, Constanze Stelzenmüller vëren se ndonëse në Washington gjërat kanë ndryshuar për të mirë për Europë, megjithatë, as ardhja në fuqi e një administrate pro-Europiane në Washington nuk mund të fsheh shenjat e paevitueshme të çarjeve transatlantike dhe shton se këto çarje e kanë fillin në Gjermani.

Tri zhvillime kontroverse në muajt e fundit tregojnë se ekonomia më e madhe në Europë, Gjermania, e ka të vështirë të tejkalojë shprehinë e saj që të kërkojë marrëdhënie të mira edhe me miqtë edhe me armiqtë.

E para, Gjermania ishte shtytësja kryesore e marrëveshjes kontroverse mes Bashkimit Europian dhe Kinës që sigurisht do të jetë burim i mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes BE-së dhe SHBA-së. Pak para përfundimit të 2020-tës, BE, nën udhëheqjen e Gjermanisë dhe me përfshirje direkte të vet Merkel, nënshkroi Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për Investime (Comprehensive Agreement on Invetment – CAI) me Kinën, që nxiti reagime negative në të dy anët e Atlantikut.

E dyta, zgjedhja e Armin Laschet si pasardhës i Merkel në Paritnë Kristian-Demokratike, duke e bërë atë kandidatin më të mundshëm për kancelar të ardhshëm të Gjermanisë, sinjalizon një burim tjetër të çarjeve transatlantike. Laschet, që aktualisht udhëheq me Nordrhein-Westfalen, një prej landeve kryesore të Federatës Gjermane, është nën llupë për shkak se duket që nuk sheh gjë të keqe te Presidenti rus Vladimir Putin apo diktatori sirian Bashar al-Assad.

Kontradikta e fundit tregon edhe më mirë ndikimin e Rusisë në politikën gjermane dhe potencialin për të futur pyka mes Gjermanisë në një anë dhe partnerëve europiane dhe SHBA-së, në anën tjetër. Manuela Schwesig, që qeveris landin Mecklenburg-Vorpommern, është promovuese e palodhshme e gazsjellësit kontrovers “Nord Stream 2” që kundërshtohet hapur nga SHBA-ja e që duhet të sjell gazin rus në Gjermani nëpërmjet shtetit të saj.

Është lehtë që të tre rastet të shihen si variacione të një motivi të njëjtë: nacionalizmit gjeo-ekonomik të Gjermanisë dhe kërkesës për të mbajtur distancë të barabartë mes Perëndimit, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara; dhe Lindjes që sot do të thotë Rusi dhe Kinë. Por, si gjithmonë, e vërteta është më e ndërlikuar, shkruan Foreign Policy.

Koha kur Putin dhe qeveria e tij ishin të pranueshëm në Berlin ka kaluar, më së shumti për shkak të aneksimit të Krimesë nga Rusia, më 2014, luftës në Ukrainën lindore, sulmit kompjuterik në parlamentin gjerman më  2015, vrasjes së një disidenti çeçen në Berlin më 2020 dhe tash së voni përpjekjes për të vrarë liderin e opozitës në Rusi, Alexei Navalny. Prapa dyerve të mbyllura, politikanë dhe biznesmenë gjermanë e pranojnë se çmimi politik i “Nord Stream 2” është shumë më i lartë se përfitimet ekonomike. Por Gjermania, megjithatë, është vend federal: Schwesig është shtet më i varfër dhe me dëshpërim kërkon çfarëdo investimi nga jashtë; në të njëjtën kohë, autoriteti i Merkel sa vjen e zbehet me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen në shtator. Presioni nga SHBA-ja, në anën tjetër, vetëm sa i ka bërë gjermanët që të mbyllen edhe më shumë.

Laschet, si kancelar i mundshëm i Gjermanisë, mund të jetë arsye për shqetësime më të mëdha transatlantike. Ai shpesh përshkruhet si versioni “mashkullor” i Merkel, por kjo është e pasaktë. Merkel e ka ndryshuar në mënyrë radikale politikën gjermane. Laschet, në anën tjetër, është kthim në politikën gjermano-perëndimore të para-unifikimit. Bindja që përfaqëson ai, se Gjermania mund të jetë plot pasion për Europën dhe transatlantiken derisa në të njëjtën kohë mban marrëdhënie të afërta me Rusinë dhe Kinën, është vazhdim i dëshirës së vjetër të Gjermanisë Perëndimore që të balancojë mes Perëndimit dhe Lindjes – politikat Westbindung dhe Ostpolitk të kohës së Luftës së Ftohtë. Është e paqartë se pse Lashcet nuk ndien nevojë që të përditësojë gjuhën e tij për politikën e jashtme dhe të flasë për përkeqësimin e ambientit strategjik europian, ku përpjekjet për balancë të tillë gjithnjë e më shumë kontestohen nga partnerët e Gjermanisë.

Edhe pikëpamjet për Kinën nën Presidenti Xi Jinping, në Berlin janë ashpërsuar, kryesisht për shkak të sjelljes gjithnjë e më agresive dhe eksploative të Beijingut kudo në botë, përfshirë edhe Europën. Megjithatë, derisa marrëveshja e BE-së me Kinën, në Kinë po përshëndetet si fitore strategjike e Beijingut, diplomatët në Bruksel dhe Berlin po e mbrojnë “CAI”-n si sukses në bindjen e Kinës që të pranojë më shumë transparencë dhe më shumë standarde ndërkombëtare, për fuqinë punëtore, edhe pse ky vend nuk duket se u qëndron prapa këtyre zotimeve. Europianët thonë se marrëveshje të ngjashme me Kinën ka bërë edhe administrata e Trump dhe një grup i qeverive aziatike dhe thonë se me këtë vetëm po sigurojnë mundësi të barabarta edhe për kompanitë europiane që dëshirojnë të hyjnë në tregun kinez. Merkel kishte nevojë për një fitore për auto-industrinë gjermane të varur shumë nga eksportet dhe të goditur nga pandemia. Ndonëse ajo arriti të sigurojë përkrahjen e Presidentit francez Emmanuel Macron, mësohet se qeveritë e plot vendeve tjera europiane janë të shqetësuara dhe kritike. Kritika të zëshme janë dëgjuar edhe në Parlamentin Europian që duhet të miratojë marrëveshjen.

Nuk është ende vonë që të përpilohet një strategji europiane karshi Rusisë e Kinës

E përbashkëta e këtyre tre episodeve nuk është as nacionalizëm gjeo-ekonomik e as naivitet strategjik por mbi të gjitha shkurtpamësia. Të pretendosh se Europa dhe Shtetet e Bashkuara në një anë dhe Rusia e Kina në anën tjetër munden disi të trajtohen; apo të thuash se projektet si “Nord Stream 2” dhe marrëveshja si “CAI” janë ekonomike e reciproke, kur në fakt janë të disejnuara nga Moska dhe Beijing që të përdorin si armë ndërvarshmërinë – kjo e cenon unitetin europian dhe kohezionin transatlantik, duke larguar nga Gjermania partnerët dhe aleatët e saj. Më shumë se çfarëdo tjetër, këta janë auto-gola që nuk janë as në vet interesin e Gjermanisë.

Megjithatë, nuk është ende shumë vonë që të përpilohet një strategji europiane, më gjithëpërfshirëse dhe më e sinqertë karshi Rusisë dhe Kinës, strategji në të cilën Gjermania si strumbullar i ekonomisë europiane do të luante rol vendimtar.

Një politikë e tillë nuk do të thotë përjashtim i bashkëpunimit me Rusisë e Kinën në çështjet trans-nacionale si pandemia dhe ndryshimet klimatike. Do të pranonte ndërvarësinë si realitet gjeografik, ekonomik dhe teknologjik. Por, do të vendoste fuqishëm bashkëpunimin ekonomik dhe qeveritar në kontekstin e rivaliteteve sistemike, duke insistuar në reciprocitet dhe linja të kuqe të qarta, dhe do të kishte vullnet të shfrytëzonte më fuqishëm forcën e konsiderueshme ekonomike e politike të Europës. Një politikë e tillë do të pranonte se përkrahja e Rusisë për diktatorët në Bjellorusi e Siri; dhe presioni i Kinës mbi fqinjët demokratikë si Koreja Jugore e Taiwani, prekin vlerat dhe sigurinë e Europës. Dhe në fund, do t’u jepte fund ëndërrallave për autonominë europiane përballë Rusisë e Kinës, fjalë këto të thëna si lavdata jo vetëm në Berlin por edhe në Paris.

Këtu vjen në shprehje roli i administratës së Biden. Europianët kanë nevojë që të kenë prapa tyre fuqinë amerikane që t’i mbrojë nga Rusia e Kina – dhe besimi se e gëzojnë këtë përkrahje është lëkundur keqas në katër vitet e fundit. Shtetet e Bashkuara, në anën tjetër, kanë nevojë për peshën diplomatike, ekonomike e rregullative të BE-së. Por ekipi i Biden – ndoshta më pro-europiani që disa dekada – është i ndarë mes optimistëve dhe pesimistëve kur është në pyetje bashkëpunimi me Europën, veçanërisht kur është në pyetje shqetësimi më i madh i tyre, Kina.

“Nord Stream 2” dhe “CAI” e hedhin barrën e përgjegjësisë tek Brukseli, e veçanërisht te Berlini, që të dëshmojnë se e kanë seriozisht kur flasin për qasje më strategjike e gjithëpërfshirëse karshi fuqive autoritare që sfidojnë Perëndimin dhe rendin global.

Por, a janë politikë-bërësit gjermanë të gatshëm dhe të vullnetshëm që të bashkëpunojnë me homologët amerikanë në këto çështje? Thuhet se Yasser Arafat asnjëherë nuk e ka humbur rastin që të humbasë rastin. Do të ishte për keqardhje nëse Gjermania e humb rastin në Washington, sidomos pasi hapësira për këtë mund të jetë afatshkurtër. Liderët e Gjermanisë duhet të kenë parasysh se një pozicionim më pro-aktiv dhe më strategjik mund t’u jap më shumë fuqi jo vetëm karshi rivalëve por edhe miqve dhe partnerëve të tyre./Demokracia

Të ngjashme