Lajme
Gjermani: Arrestohen dy vetë për spiunazh për Rusinë
Demokracia
08:38 | 19 Prill 2024

Share:

Policia gjermane arreston dy persona nën dyshimin për spiunazh për Rusinë.

Dy shtetasit gjermanë me prejardhje nga Rusia akuzohen se kanë vepruar si agjentë dhe për planifikimin e veprave të sabotazhit.

Prokurorët gjermanë thanë të enjten (18.04.) se policia në qytetin bavarez Bayreuth kishte arrestuar dy burra të dyshuar për spiunazh për Rusinë.

Të dy akuzohen, ndër të tjera, se kanë vepruar si agjentë për qëllime sabotazhi dhe për përgatitjen e eksplozivëve, njoftoi Prokuroria Federale Gjermane në Karlsruhe.

Prokuroria Federale Gjermane në Karlsruhe
Prokuroria Federale Gjermane në KarlsruheFotografi: Uli Deck/dpa/picture alliance

Policia federale arrestoi Dieter S. dhe Alexander J. dhe në bashkëpunim me policinë e landit të Bavarisë, kontrolluan shtëpitë dhe vendet e punës të të pandehurve.

Dy të dyshuarit thuhet se kishin vëzhguar objektiva të mundshme për t’i sulmuar, përfshirë dhe baza ushtarake amerikane në Gjermani.

Dieter S., për të cilin prokurorët thonë se ishte në kontakt me një agjent të shërbimit sekret rus, akuzohet gjithashtu për komplot me qëllimin për të shkaktuar një shpërthim dhe zjarrvënie.

I akuzuari thuhet se ka shkëmbyer ide me agjentin që nga tetori i vitit 2023 për veprime të mundshme sabotuese.

Veprimet kishin në veçanti për qëllim të minonin mbështetjen ushtarake të ofruar nga Gjermania për Ukrainën. /dw

Të ngjashme