Lajme
“Gëzuar dhe mos harroni për festa blini shqip” | Si “harroi” Albin Kurti dhe si i mashtroi prodhuesit vendorë se Serbisë do t’ia ndalojë tregun e Kosovës? (VIDEO)
Demokracia
12:29 | 05 Janar 2024

Share:

Në fjalimin e tij prej 21 minutash, kryeministri Albin Kurti mezi ka arritur të prodhoi një paragraf për prodhimet vendore.

Më 29 dhjetor 2023, në festën e fundvitit të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën e emërtuan si “Festë me prodhime vendore”, lideri i kësaj partie që gjatë opozitarizmit rrotullonte kamionët me mallra të Serbisë, nuk ka arritur t’iu thotë asgjë përfaqësuesve të bizneseve të pranishme se ku ka mbetur premtimi njëdekadësh që me ardhjen e tij në pushtet, Kosova i bllokon mallrat e Serbisë, shkruan Demokracia.com.

Në këtë fjalim që ka mbajtur para përfaqësuesve të bizneseve, shoqërisë civile, deputetëve dhe mbështetësve të partisë, Kurti i ka porositur qytetarët e Kosovës që “mos harroni, për festa blini shqip e konsumoni prodhime vendore”.

Por, në sallën e mbushur me pjesëmarrës, i vetmi që ka harruar ta realizojë premtimin e tij për mbështetjen e prodhimeve vendore ishte Albin Kurti.

JANAR 2012, KURTI: DO TA BLLOKOJMË HYRJEN E SERBISË NË KOSOVË

Në mbështetje të prodhimeve vendore, Albin Kurti dhe partia e tij, Vetëvendosje, kishin organizuar një protestë të madhe. Kurti dhe mijëra mbështetës të Vetëvendosjes, më 14 janar 2012, kishin bllokuar dy pikat kufitare që e lidhnin Kosovën me Serbinë, Merdaren dhe Dheun e Bardhë.

Përmes këtij bllokimi, Kurti dhe Vetëvendosje po synonin të bllokonin hyrjen e mallrave të Serbisë në Kosovë. Për Kurtin dhe Vetëvendosjen, kjo protestë kishte për qëllim që Serbisë t’ia merrnin pushtetin ekonomik në Kosovë, i cili brenda një viti arrin në qindra miliona euro.

Për t’i ftuar qytetarët që t’i bllokonin dy pikat kufitare, vetë Kurti kishte dalë në konferencë për media më 13 janar 2012.

“Më 14 janar, pra nesër, e shtunë, duke filluar nga ora 13:00, Lëvizja Vetëvendosje bashkë me shumë qytetarë anembanë Kosovës dhe jo vetëm të Kosovës, bashkë me shumë organizata shoqërore e kulturore, do t’i bllokojë pikat kufitare, në Merdar dhe te Dheu i Bardhë, dhe kësisoj ta bllokojë hyrjen e Serbisë në Kosovë”, deklaronte Kurti.

“Protesta jonë e nesërme është protestë paqësore, e cila nuk do ta bllokojë qarkullimin e lirë të qytetarëve, nuk do t’i bllokojë qytetarët, por do ta bllokojë hyrjen e Serbisë në Kosovë. Reciprociteti është vlerë e Bashkimit Evropian. Shtetet në BE e njohin njëra-tjetrën dhe janë në marrëdhënie reciproke. Nuk ka asnjë shembull tjetër në botë, kur dy shtete që nuk kanë marrëveshje të paqes dhe që nuk e njohin njëra-tjetrën, megjithatë kanë marrëveshje të tregtisë së lirë, siç është rasti me Kosovën e Serbinë”, vazhdonte argumentimin Kurti.

Përveç karakterit ekonomik, protesta shprehte revoltën edhe ndaj qëndrimit të Serbisë për Republikën e Kosovës.

“Protesta jonë paqësore është e drejtuar kundër Serbisë, e cila prej Kushtetutës së saj, ku shkruan që Kosova është pjesë e Serbisë e deri te deklaratat e qëndrimet dhe sjellja e nëpunësit apo zyrtarit më të ulët shtetëror, ka qëndrime kundër pavarësisë së Kosovës dhe plane antishqiptare”, thoshte Kurti në konferencën e atëhershme.

Për Kurtin dhe Vetëvendosjen, bllokimi i mallrave të Serbisë ishte shumë e lehtë, gjithmonë.

Lexo edhe këtë:

VIDEO: “E bllokon kufirin me Serbinë dhe i thua…” | Kurti nuk i bllokon mallrat serbe pas sulmit terrorist, por i kërkon SHBA-së dhe BE-së ta sanksionojnë Serbinë

DHJETOR 2023, KURTI: GËZUAR DHE MOS HARRONI, PËR FESTA BLINI SHQIP

Por, me ardhjen e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet dhe Albin Kurtit si kryeministër, mallrat serbe nuk u ndaluan dhe as kufiri me Serbinë nuk u bllokua. Importi i mallrave nga Serbia në Kosovë veç u rrit edhe më shumë dhe vazhdon të shënojë rekorde ne qindra miliona euro.

Nga kjo festë, Kurti vetëm porositi qytetarët e Kosovës që “mos harroni, për festa blini shqip e konsumoni prodhime vendore”.

“Sidoqoftë, ne nuk e harrojmë që jemi popull me origjinë kryesisht fshatare dhe ende gjysma jonë si popullsi jeton në fshat. Fshati ka qenë në vëmendjen tonë të vazhdueshme dhe për fermerët, bujqit e blegtorët kemi patur dhe vazhdojmë të kemi një program intensiv subvencionesh, që ka mundësuar rritjen edhe sasiore, edhe cilësore të prodhimit vendor, që shumë nga këto prodhime i kemi sot në këtë ndejë falë bizneseve tona patriotike. Gëzuar të gjithëve me prodhime të Kosovës, e mos harroni, për festa blini shqip e konsumoni prodhime vendore”, tha Kurti më 29 dhjetor 2023, para të pranishmëve.

Por, i vetmi në sallën e mbushur që kishte “harruar” prodhimet vendore ishte vetë kryeministri Kurti. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme