Lajme
Gërvalla u përgjigjet shikuesve: Thotë se s`ka nepotizëm, e “harron” punësimin e vëllait të presidentes në BQK
Demokracia
13:56 | 13 Shkurt 2024

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, sot ka dhënë një intervistë të çuditshme. Derisa refuzon ftesat për intervista në televizionet dhe mediat qendrore, ajo ka zgjedhur që për çështje nacionale të flet për një televizion lokal.

Në një intervistë për “Istogu Chanel”, e cila ka zgjatur më shumë se një ora, ajo iu ka përgjigjur telefonatave të shikuesve.

Ajo ka marrë urime dhe përgëzime të shumta nga shikuesit për punën që po bën. Pas përshëndetjeve të ngrohta, ajo me kënaqësi përgjigjej në pyetjet e tyre.

Intervista zhvillohej në një ambient të ngushtë, ku shpesh dëgjohej “ngici” i ulëses së autorit të emisionit.

Megjithatë, zhurmat e ulëses nuk e pengonin që kryediplomatja të jepte të pavërteta të shumta.

Kur është pyetur për nepotizëm, ajo ka thënë se në Qeverinë Kurti nuk ka fare nepotizëm, duke harruar punësimin e shumë familjarëve të njerëzve të fuqishëm të këtij pushteti.

Unë do të doja të di se cili është njeriu i jem që i cili ka ardhë në këtë përbërje qeveritare dhe do të doja të di se cilët janë njerëzit “tanë” të cilët i paskemi sjell në pushtet?”, ka thënë ajo, duke treguar se çka është nepotizmi.

Njerëzit tuaj do të thotë se i kemi sjell motrat, vëllezërit, tezet, bagjanakat, kushërinjtë, hallat. Këta janë njerëzit e juaj”, është shprehur.

Sipas saj, në këtë qeveri nuk ka ndodhur fare nepotizmi.

Kur thoni ju i keni sjell njerëzit të juaj po flisni për nepotizëm. dhe nepotizimi është një prej veçorive që e kanë dëmtuar shtetin tonë me se shumti”, është shprehur ajo.

Gërvalla ka folur me siguri të madhe për këtë çështje.

Kur flasim për nepotizëm, unë me shumë siguri dhe me shumë krenari ju them që në institucione, në dy vitet e gjysmë të fundit, nuk do të gjeni dukuri të nepotizmit. Jo pse ne jemi njerëzit më të mirë se ata të mëparshmit, por sepse e kemi parë gjendjen në të cilën i kemi gjetur institucionet, dhe e kemi parë që nepotizmi ka qen veçoria numër një, e cila i ka sjell në atë situate, dhe ne nuk e përsërisim atë”, ka thënë Gërvalla.

Në këtë mënyrë, kryediplomatja ka harruar punësimin e Ramadan Osmanit, vëllait të presidentes Osmani, një pozitës të rëndësishme në Bankën Qendrore të Kosovës.

Vitin e kaluar, vëllai i presidentes e ka marrë pozitën e mbikëqyrësit të lartë bankarë në BQK, institucion ky që drejtohet nga njerëzit e afet me VV-në.

Gjithashtu, ajo ka harruar se vitin e kaluar motra e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është punësuar në një projekt të udhëhequr nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHK).

Më tej, në këtë intervistë Gërvalla thotë edhe një të pavërtetë tjetër.

Ajo ka vlerësuar në këtë qeveri nuk ka pasur skandale, duke mbrojturit të dyshuarit për korrupsion.

Duke parë që institucionet nuk po prodhojnë skandale, thjesht jemi duke punuar, diku më mirë, diku me dobët. Unë për shembull nuk jam e kënaqur me punën në kuadër të diplomacisë. Sepse mendoj se shumë më tepër do të duhej të kishim bërë. Duke parë se nuk po prodhojmë skandale, atëherë po krijojnë pseudo skandale. Dhe pseudo-skandalet me fushata masive mediale, duke i njollosur personalitet të rëndësishme. Kështu është rasti me Martin Berishajn, kështu është rasti me Gani Jakupin, kështu është rasti më shumë njerëz që punojnë me ne”, ka thënë ajo.

Kështu, ajo ka harruar skandalin me rezervat shtetërore, skandalin me energjinë, skandalin me aferën “Zdravo” dhe skandale të tjera.

Duket se Gërvalla nuk është në dijeni që për këto skandale janë arrestuar dhe burgosur njerëz të partisë në pushtet dhe janë formuar komisione hetimore parlamentare.

Shefja e diplomacisë nuk ka lënë pa e lavdëruar edhe shefin e saj në Qeveri.

Ajo ka thënë se ndihet tepër krenare që punon me kryeministrin Kurti.

Unë s’mendoj që është çështje simpatie. Është çështje respektit të ndërsjellët. E kam fatin, për dallim nga qytetarët, që të jem shpesh në takimet që ai zhvillon. Dhe nga njëherë s’mund ta ndali veten sa jam krenare që ndodhem në atë dhomë. Jo vetëm që është i mençur, jo vetëm që është i vendosur, por është tepër tepër i saktë në kërkesat që i nevojiten këtij vendi. Jam shumë e bindur që ky kryeministër asnjëherë nuk luan me fatin e vendit. S’luan as më ato nuancat e vogla në mes temave të mëdha dhe temave të vogla.”, është shprehur Gërvalla.

 

Të ngjashme