Lajme
Gërvalla flet si Prokuroria: Më 3 prill është bërë diferencimi mes përgjegjësisë individuale dhe reputacionit të UÇK-së
Demokracia
18:59 | 26 Prill 2023

Share:

Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, i është bashkuar narratives së Prokurorisë Speciale, duke thënë se me fillimin e gjykimit për ish-krerët e UÇK-së është bërë “diferencimi midis përgjegjësisë individuale dhe reputacionit të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës”.

“Që në hapjen e gjykimit në daten 3 prill është bërë diferencimi midis përgjegjësisë individuale dhe reputacionit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, citohet të ketë thënë kryediplomatja Schwarz gjatë një takimi me mërgatën në Nju Jork të SHBA-së.

Ky qëndrim i Gërvallës është i ngjashëm me atë të Prokurorisë Speciale, e cila në deklaratat hyrëse pati deklaruar se nuk po gjykohet UÇK-ja, por individët.

“Kjo çështje gjyqësore nuk kërkon të procedojë UÇK-në. Nuk i akuzon të gjithë anëtarët e saj. Nëse dikush e thotë këtë, e ka gabim, është e rreme. Thjesht nuk është e vërtetë”, deklaroi prokuroria me 3 prill.

Përkundër pretendimeve të minstres Schwarz e Prokurorisë së Speciales, ndryshe thotë aktakuza për ish-krerët e UÇK-së. Pika 35 e aktakuzës i portretizon si anëtarë të “Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët” pothuajse të gjithë udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të UÇK-së – nga Shtabi i Përgjithshëm, Komandantët dhe Zëvendëskomandantët e Zonave, të Brigadave, të Njësiteve, e deri te ushtarët më të thjeshtë dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së”.

Figura me nam kanë vlerësuar ndryshe nga ajo çka po thotë Gërvalla e Prokuroria. Ish-gjykatësi amerikan i EULEX-it, Dean Pineles, vlerësoi se është shumë e vështirë të thuhet se në këtë proces po gjykohen vetëm individët dhe jo UÇK-ja.

“Nga Dhomat e Specializuara e kanë përsëritur vazhdimisht se po gjykohen vetëm individët e jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por unë e kam vështirë ta bëjë dallimin. Vënia në gjyq e 4 komandantëve të UÇK-së e më pas të thuash se nuk po gjykohet organizimi gueril i tyre është e vështirë për t’ia shitur opinionit shqiptar. Unë mendoj se shqiptarët po e shohin se këtu po gjykohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, deklaroi ai.

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së e ka kundërshtuar në vazhdimësi pikën ku flitet për “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”, duke kërkuar ta heqin atë nga aktakuza./Demokracia.com/

Të ngjashme