Gazeta më e lexuar dhe njëra nga më të vjetrat në Itali, “Corriere Della Sera”, ka publikuar një artikull në të cilin e krahason situatën në pjesën veriore të Kosovës me gjendjen në rajonin lindor të Ukrainës Donbas. Krahasim mes Kosovës e Donbasit ka bërë më parë edhe presidenti rus, Vladimir Putin.
Presidenti rus e ka përmendur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 2010 për pavarësinë e Kosovës për ta justifikuar njohjen e pavarësisë së rajoneve Donetsk e Luhansk të Ukrainës.
Sidoqoftë, konteksti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe rrugëtimi i vendit tonë deri më 17 shkurt 2008 dallon shumë nga historia e rajonit lindor të Ukrainës. Ja çfarë shkruan gazeta italiane:
Koha në Ballkan është gjithmonë rrethore, ku gjithnjë rikthehet në pikën zero, atë të pikënisjes. Plagët ataviste dhe gabimet e fundit ndezin gjahun e hakmarrjes. Nacionalizmi ndezës është valuta e momentit.
Kështu Beogradi po synon që ta mbrojë pakicën serbe në Kosovë, ku janë të strehuar rreth 100 mijë bashkëkombës të vet, e që shtrihen në zonën e Mitrovicës, në veri të vendit.
Kryeministri Kurti (i cili në të kaluarën ka qenë i burgosur në burgjet serbe) është i vendosur që ta konsolidojë sovranitetin e fituar, gjë që ka nxitur protestat e pakicës serbe, të shtyrë nga Qeveria e Beogradit.
Për ditë të tëra ka qenë zonë e tensionuar, me provokime të vazhdueshme dhe incidente që kanë përfshirë edhe KFOR-in. Për fundin e vitit është rikthyer një qetësi e pasigurt.
Tensioni largon perspektiven që i konvenon të gjithëve: integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE. Mirëpo, tensioni është produkt i një skenari më të madh.
Kosova, vend i mbrojtur nga NATO dhe i përkrahur nga ShBA-ja, nuk njihet nga Rusia e Kina, e as nga disa shtete evropiane siç është Spanja.
Beogradi vijon të mbajë lidhje të forta me Moskën. Bombardimi i NATO-s më 1999 mbetet një plagë historike për Serbinë dhe një alibi e përsosur për Rusinë, që është në lojën e të drejtave të pakicave dhe të sovranitetit të shteteve. Dhe, duke vëzhguar Kosovën e sotme, mund ta imagjinojmë se çfarë do të jetë Donbasi pas 30 vjetësh