Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka tentuar ta arsyetojë votën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje kundër themelimit të Komisionit Hetimor për menaxhimin e krizës së energjisë në Kosovë, të iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Kusari-Lila ka thënë se vota kundër e tyre ka ardhur si pasojë e debatit në Kuvendin e Kosovës, pasi qëndrimi fillestar i Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë pro themelimit të tij.
Megjithatë, pushteti i Kurtit ka shumë arsye që të frikësohet nga një proces hetimor ndaj qeverisë së tij lidhur me menaxhimin e krizës së energjisë elektrike në Kosovë.
Demokracia.com kishte raportuar ekskluzivisht sesi fillimisht Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike, KOSTT, ishte duke shkuar drejt falimentimit, pasi që humbjet e shkaktuar në veri të Kosovës në vitin 2021 ishin 41 milionë euro, nga të cilat vetëm 33 milionë euro u mbuluan nga buxheti i KOSTT-it.
Nga fundi i nëntorit të vitit të kaluar, sipas një kërkese të siguruar nga Demokracia.com, që KOSTT ia kishte dërguar Qeverisë, energjia për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore ishte duke u tërhequr nga rrjeti i Evropës kontinentale në formë të devijimeve, për shkak të mosndarjes së buxhetit nga ana e Qeverisë për të vazhduar me blerjen e kësaj energjie. Kjo është në kundërshtim edhe me marrëveshjen e kyçjes me ENTSO-E.
Në fund të kërkesës, KOSTT i ankohej Qeverisë se nga një ndërmarrje stabile dhe me parametra financiar me stabilitet konstant për vite me radhë, vitin 2021 e kishte mbyllur me rreth 26 milionë euro humbje.
Lexo më shumë:
Një dështim tjetër i Qeverisë Kurti ishte edhe shpenzimi i afër 50 milionë euro për importimin e energjisë elektrike, pasi që nga 14 dhjetori 2021 kishte dalë jashtë sistemit të prodhimit njësia B2 e termocentralit “Kosova B”, shkruan Demokracia.com.
Humbjet nga mospuna e njësisë B2 të termocentralit “Kosova B”, në prodhim dhe në euro, u rritën për shkak se 36 ditë me radhë nuk ishin në gjendje t’ia rregullojnë një turbinë të vetme.
Ndonëse humbjet ishin shumë milionëshe, drejtuesit e ri të KEK-ut krejt shpresat i kishin te një ekspert gjerman, i cili ishte portretizuar në publik si “shpëtimtar”, por përkundër parave të majme prej rreth 12 mijë eurove që mori për çdo ditë pune, kjo njësi kishte mbetur jashtë funksionit 36 ditë.
Lexo më shumë:
Qeveria Kurti në kohën kur nisi kriza e energjisë elektrike, më 17 dhjetor 2021 kishte ndarë 20 milionë euro si subvencione për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), si mbështetje për tejkalimin e krizës energjetike në vend.
Duke mos dashur që t’i subvenciononte direkt KESCO-n apo KEDS-in, Qeveria Kurti këto mjete financiare ia kishte ndarë direkt KEK-ut, i cili, sipas marrëveshjes që kishte me ekzekutivin e vendit, fillimisht kishte filluar të importonte vetë energji elektrike.
Megjithatë, pas disa ditësh e kishte ndërprerë furnizimin dhe duke shkelur ligje e rregullore, larg syve të publikut, kishte arritur marrëveshje me Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO).
Demokracia.com e kishte siguruar marrëveshjen e KEK-ut dhe KESCO-s, e cila ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin e Menaxhimit të Financave Publike dhe në kundërshtim me Rregulloren e Brendshme të KEK-ut për Procedimin e Buxhetit, pasi që çdo marrëveshje në bazë të kësaj rregulloreje do të duhej të merrte aprovimin e Bordit të Drejtorëve. E në kohën e lidhjes së marrëveshjes, KEK-u nuk e kishte funksional Bordin e Drejtorëve.
Kështu, KEK-u kundërligjshëm i kishte lënë në duart e një operatori privat edhe procedurat e blerjes së energjisë elektrike me 20 milionë eurot e taksapaguesve kosovarë. Rregullorja për Tregtimin e Energjisë Elektrike e konfirmon se që nga viti 2019, procedurat e shitblerjes së energjisë janë bërë nga KEK-u. Por, skandali nuk përfundon këtu, pasi që i tërë ky proces ishte bërë në mënyrë krejtësisht jotransparente, pasi që askush nuk mund ta shoh transparencën kur procedurat kryhen nga një operator privat.
Lexo më shumë:
20 milionë eurot e ndara nga Kurti për KEK-un, fshehurazi “ranë” në duart e KESCO-s (Dokumente)
Nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, njëjtë siç kishte bërë edhe kryeministri Kurti duke u përpjekur ta shpërndante përgjegjësinë e dështimit, sot e përmendi sërish çështjen e investimit të kompanisë gjermane “Bilfinger” në termocentralin Kosova A, e cila ishte refuzuar nga Qeveria e Kosovës në të kaluarën.
Por, kompania “Bilfinger” nuk është aspak ashtu siç po mundohen ta paraqesin Lëvizja Vetëvendosje.
Kjo kompani, gjatë vitit 2013 u detyrua t’i paguajë 32 milionë dollarë si pasojë e akuzave penale të SHBA-së se ka korruptuar zyrtarët nigerianë për të marrë kontrata për një projekt gazi në vendin afrikan.
Madje, lajmi për këtë ishte bërë i ditur edhe nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së, transmeton Demokracia.com.
Prokurorët e akuzuan kompaninë “Bilfinger” se ka dhënë më shumë se 6 milionë dollarë ryshfet, në kundërshtim me Aktin e Praktikave Korruptive të Jashtme të SHBA-së.
Bilfinger punoi me të tjerët për të rritur çmimin e një oferte me 3 për qind për ta mbuluar koston e pagesave.
Gjatë asaj kohe, shefi ekzekutiv i “Bilfinger”, Roland Koch, kishte thënë se kompania ishte e kënaqur t’i lërë pas ngjarjet.
“Në vitet e fundit, Bilfinger ka zgjeruar vazhdimisht instrumentet e pajtueshmërisë dhe sot ka një sistem modern dhe efikas”, tha Koch në një deklaratë.
Por, ky nuk është skandali i vetëm i kompanisë së preferuar nga Kurti. Gazetat gjermane kishin njoftuar se Bilfinger dyshohet të jetë e përzier edhe në një skandal korrupsioni në Brazil.
Kjo kompani thuhej se u ka paguar zyrtarëve të FIFA-s dhe politikanëve lokalë në Brazil më shumë se 20 milionë euro ryshfet për të siguruar realizimin e një projekti të madh ndërtimor.
Sa i përket ofertës së kësaj kompanie për Kosovën, vendi parashihej që t’i jepte afër 1 miliard euro për rindërtimin e Kosovës A. /Demokracia.com/
Lexo më shumë: