Lajme
20 milionë eurot e ndara nga Kurti për KEK-un, fshehurazi “ranë” në duart e KESCO-s (Dokumente)
Demokracia
10:00 | 17 Mars 2022

Share:

Qeveria e Kosovës në kohën kur nisi kriza e energjisë elektrike, më 17 dhjetor 2021 kishte ndarë 20 milionë euro si subvencione për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), si mbështetje për tejkalimin e krizës energjetike në vend.

Duke mos dashur që t’i subvenciononte direkt KESCO-n apo KEDS-in, Qeveria Kurti këto mjete financiare ia kishte ndarë direkt KEK-ut, i cili, sipas marrëveshjes që kishte me ekzekutivin e vendit, fillimisht kishte filluar të importonte vetë energji elektrike.

Megjithatë, pas disa ditësh e kishte ndërprerë furnizimin dhe duke shkelur ligje e rregullore, larg syve të publikut, kishte arritur marrëveshje me Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), raporton Demokracia.com.

Paratë që kryeministri Albin Kurti i ndau nga taksat e qytetarëve të Kosovës sërish iu dhanë në menaxhim kompanisë privatizuese, pasi që në ditën e fundit të vitit 2021, KEK-u kishte lidhur një marrëveshje me kompaninë turke për shitblerjen e importit të energjisë elektrike, e cila sipas burimeve të Demokracia.com, kishte blerë energji elektrike vetëm nga një kompani.

Demokracia.com e ka siguruar marrëveshjen e KEK-ut dhe KESCO-s, e cila është në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin e Menaxhimit të Financave Publike dhe në kundërshtim me Rregulloren e Brendshme të KEK-ut për Procedimin e Buxhetit, pasi që çdo marrëveshje në bazë të kësaj rregulloreje do të duhej të merrte aprovimin e Bordit të Drejtorëve. E në kohën e lidhjes së marrëveshjes, KEK-u nuk e kishte funksional Bordin e Drejtorëve.

Kështu, KEK-u kundërligjshëm i ka lënë në duart e një operatori privat edhe procedurat e blerjes së energjisë elektrike me 20 milionë eurot e taksapaguesve kosovarë. Rregullorja për Tregtimin e Energjisë Elektrike e konfirmon se që nga viti 2019, procedurat e shitblerjes së energjisë janë bërë nga KEK-u.

Por, skandali nuk përfundon këtu, pasi që i tërë ky proces ishte bërë në mënyrë krejtësisht jotransparente, pasi që askush nuk mund ta shoh transparencën kur procedurat kryhen nga një operator privat.

KEK-u ka shkelur edhe procedurat për tregtimin e energjisë elektrike, pasi që në procedurat ligjore për tregtimin e energjisë thuhet se kompanitë duhet të zhvillojnë procedurën e brendshme të bazuar në funksionin e tyre në treg, e cila duhet të jetë në përputhje me këtë procedurë.

Qëllimi i kësaj procedure është që të përcaktojë mënyra efikase dhe praktike të tregtimit të energjisë elektrike për aktivitetet e energjisë të referuara në paragrafin 1, të nenit 6 të kësaj procedure:

– të garantojë prokurimin ekonomik të energjisë elektrike; të promovojë konkurrencën në procesin e blerjes dhe shitjes së energjisë elektrike; të garantojë transparencë dhe trajtim të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit në tregun e energjisë elektrike gjatë procesit të blerjes dhe shitjes së energjisë elektrike, shkruan Demokracia.com.

Po ashtu, kjo është bërë në kundërshtim edhe me Rregulloren e Brendshme të KEK-ut për procedimin e buxhetit, pasi që në kohën kur është bërë kjo marrëveshje, KEK-u nuk ka pasur Bord të Drejtorëve.

Sipas kësaj rregulloreje, bartja e shumave nga një linjë buxhetore në tjetrën brenda kategorisë së njëjtë buxhetore mbi vlerë miratohet nga ana e Drejtorit Financiar dhe Drejtorit Menaxhues.

“Bartja e shumave nga një linjë buxhetore në tjetrën nga kategoritë e ndryshme buxhetore deri në vlerën prej 5% të kategorisë buxhetore miratohen nga ana e Drejtorit Financiar dhe Drejtorit Menaxhues; bartja e shumave nga një linjë buxhetore në tjetrën nga kategoritë e ndryshme buxhetore mbi blerën prej 5% të kategorisë buxhetore miratohen nga Bordi i Drejtorëve; bartja e shumave nga kategoritë e shpenzimeve operative në kategorinë e shpenzimeve kapitale dhe anasjelltas duhet të miratohen nga Bordi i Drejtorëve. Përfshirja e linjave të reja brenda një kategorie buxhetore aprovohet nga Bordi i Drejtorëve”, thuhet në këtë rregullore, përcjell Demokracia.com.

Demokracia.com e ka pyetur KEK-un për këtë marrëveshje, por ata nuk kanë dhënë asnjë sqarim. Këto 20 milionë euro iu besuan sërish KESCO-s, përkundër që nga viti 2019, KEK-u e ka sektorin e veçantë që merret me shitblerje të energjisë dhe që nga ajo kohë të gjitha procedurat i ka zhvilluar vetë KEK-u.

Në marrëveshjen e arritur ndërmjet KEK-ut dhe KESCO-s, e cila është mbajtur fshehtë deri më tash, thuhet se Furnizuesi me Shërbimin Universal (FSHU) – KESCO Sh.a. do të bëjë tregtimin e importit të energjisë elektrike për nevojat e furnizimit të konsumatorëve të rregulluar, në baza ditore (sipas parimit të nominimeve një ditë para për ditën D-1) pas konfirmimit të nominimeve nga ana e KOSTT Sh.a., KEK do të bëjë monitorimin dhe konfirmimin e transaksioneve të blerjeve.

Ndërsa, në rastet kur çmimi i realizuar i importit të energjisë elektrike do të jetë i barabartë apo më i ulët se 90 euro/MWh, atëherë KESCO do ta mbulojë në tërësi këtë import dhe nuk do të fakturojë KEK-un.

Gjendja aktuale në KEK nuk është aspak e mirë, pasi KESCO përflitet se ia ka borxh KEK-ut rreth 70 milionë euro për energjinë e marrë nga termocentralet. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme