Lajme
EKSKLUZIVE: Qeveria Kurti po e falimenton KOSTT-in, 41 milionë euro ishin humbjet e energjisë elektrike në veri (Dokument)
Demokracia
15:45 | 22 Shkurt 2022

Share:

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike, KOSTT, është duke shkuar drejt falimentimit. Humbjet e shkaktuar në veri të Kosovës në vitin 2021 ishin 41 milionë euro, nga të cilat vetëm 33 milionë euro u mbuluan nga buxheti i KOSTT-it.

Nga fundi i nëntorit të vitit të kaluar, energjia për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore është duke u tërhequr nga rrjeti i Evropës kontinentale në formë të devijimeve, për shkak të mosndarjes së buxhetit nga ana e Qeverisë për të vazhduar blerjen e kësaj energjie. Kjo është në kundërshtim edhe me marrëveshjen e kyçjes me ENTSO-E.

Demokracia.com e ka siguruar një kërkesë alarmante të KOSTT-it, përkatësisht u.d. Kryeshefit Ekzekutiv, Kadri Kadriu, drejtuar kryeministrit Albin Kurti, ku të përfshirë janë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe përfaqësuesi i Kuvendit të Kosovës, Driton Tali.

Sipas kësaj kërkese drejtuar Qeverisë për ndihmë, KOSTT konfirmon se që nga gjysma e dytë e vitit 2021, gjendja financiare ka filluar të rëndohet dhe tanimë ka arritur në pikën ku detyrimet financiare janë dukshëm më të mëdha.

“Kostoja e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës për vitin 2021 është 41 milion euro, nga të cilat 33 milion janë mbuluar nga buxheti i KOSTT. Deri në javën e fundit të nëntorit të vitit 2021, energjia për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore është blerë, kurse që nga fundi i nëntorit energjia për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore është duke u tërhequr nga rrjeti i Evropës kontinentale në formë të devijimeve për shkak të mungesës së buxhetit të ndarë për të vazhduar blerjen e kësaj energjie dhe kjo është në kundërshtim me marrëveshjen e kyçjes me ENTSO-E. Kjo kosto është mbuluar nga buxheti i KOSTT”, thuhet në kërkesën urgjente, që KOSTT-i ia dërgon Qeverisë.

Sipas këtij dokumenti të siguruar nga Demokracia.com, devijimet janë duke vazhduar dhe obligimi financiar për humbjet në veri gjatë muajit janar është rreth 8 milion euro. Këto obligime vazhdojnë edhe gjatë muajit shkurt të vitit 2022 dhe për çështjen e veriut akoma nuk ka ndonjë zgjidhje dhe KOSTT nuk ka më mjete financiare për mbulimin e këtyre obligimeve.

“Gjendjen financiare të KOSTT e kanë rënduar shumë edhe mos pagesat nga palët e treta në sektorin e energjisë të cilat për shërbimet e transmetimit kanë arritur vlerën rreth 19 milion euro, kurse detyrimet për devijimet ndaj sistemit Evropian nga palët e treta gjatë muajit dhjetor kanë arritur vlerën rreth 26.6 milion euro”, thuhet në kërkesën e KOSTT, raporton Demokracia.com.

Në këto kushte dhe rrethana të tilla, sipas sqarimeve të KOSTT-it, kësaj kompanie i është pamundësuar pagesa e detyrimeve financiare për operim të përditshëm dhe në një të ardhme të afërt nuk do të ketë mundësi të pagesës as për paga të punëtorëve.

“Pamundësia e pagesës së detyrimeve financiare për devijimet e sistemit elektroenergjetik të Kosovës ndaj sistemit Evropian, ku përfshihet edhe veriu i Kosovës, është duke e rrezikuar vazhdimin e marrëveshjes së kyçjes me ENTSO-E, e cila ka afat dy vjeçar dhe afati i saj përfundon ne vitin 2022”, thuhet më tej në këtë dokument zyrtar të KOSTT-it drejtuar Qeverisë.

Në fund të kërkesës, KOSTT i ankohet Qeverisë se nga një ndërmarrje stabile dhe me parametra financiar me stabilitet konstant për vite me radhë, vitin 2021 e ka mbyllur me rreth 26 milionë euro humbje.

KOSTT ka konsideruar se është shumë urgjente ndërmarrja e hapave konkretë dhe të domosdoshëm nga Qeveria e Kosovës për shmangien e pasojave financiare dhe rrezikun e falimentimit të ndërmarrjes.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, KOSTT SH.A., është kompani publike me 100 për qind të aksioneve shtetërore./Demokracia.com/

Të ngjashme