Lajme
Fredi Beleri në burg, reagon Athina zyrtare: Vendim skandaloz
Demokracia
15:11 | 13 Maj 2023

Share:

Pas lënies në burg të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri nga Gjykata e Vlorës, ka reaguar edhe Athina zyrtare.

Sipas palës greke, vendimi është një akt i pa precedent që do të dëmtojë marrëdhëniet dypalëshe.

Deklarata e Ministrisë së Jashtme Greke:

Vendimi i sotëm i gjykatës së Vlorës është skandaloz. Arrestimi i kandidatit për bashkinë e Himarës dy ditë përpara zgjedhjeve, nuk tregon shtet të së drejtës. Vendimi për burgosjen e kandidatit për kryetar bashkie, sjell përmbysjen e rregullave të barazisë në zgjedhjet lokale në Himarë, e cila është një qendër e rëndësishme e minoritetit etnik grek në Shqipëri.

Një vendim ky që do të ketë impakt negativ në marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Shqipërinë, pasi kusht për rrugën europiane të Shqipërisë është qëndrimi kostant i shteteve që aderojnë për anëtarësim, në rregullat europiane dhe në shtetin e së drejtës.

Vendime si i sotmi shkelin rregullat e mësipërme dhe tregojnë në realitet Shqipëria nuk po ndjek rrugën europiane.

Kandidati i koalicionit Meta-Berisha për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri është lënë në burg nga gjykata e Vlorës një ditë pasi u arrestua për blerje votash.

Dosja i kaloi për gjykim SPAK, ndërsa Beleri është transportuar për në qelitë e paraburgimit në Tiranë.

E pranishme në sallë për të ndjekur nga afër punimet e seancës së sotme ka qenë edhe ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi.

Të ngjashme