Lajme
FOTO | Motra e bashkëshortes së Bujar Dugollit avancohet në KEK
Demokracia
17:33 | 17 Prill 2024

Share:

Fjolla Bujupi – Alija po avancohet me hapa të shpejtë në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Ajo është motra e gruas së Bujar Dugollit dhe ish-shoqe e klasës së Glauk Konjufcës, shkruan Demokracia.com.

Bujupi-Alija është ngritur në pozitë në KEK, por sërish nuk i është hequr titulli i U.D-së.

Nga U.D. e Koordinatores së Zyrës Ligjore, ajo është emëruar së fundmi në U.D. e Drejtoreshës në Zyrën Ligjore.

Demokracia.com ka mësuar se në këtë pozitë ajo është emëruar ditën e premte, por Skender Bucolli nga Zyra për Informim në KEK ka thënë se emërimi i saj është bërë të hënën, duke e konfirmuar pozitën e re të Bujupi-Alija.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ju konfirmon se znj. Fjolla Bujupi-Alia është punëtore e korporatës, respektivisht Zyrës Ligjore që nga viti 2011 dhe është e natyrshme se brenda këtij Departamenti znj. Bujupi-Alia ka bërë ndërrime të pozitave duke e ngritur nivelin profesional gjate kësaj periudhe të gjatë kohore. Lidhur me këtë, duke u bazuar në eksperiencën e saj të gjatë dhe të suksesshme, dje me dt; 15.04.2024 është emëruar në pozitën vakante si ushtruese e detyrës, Drejtoreshë ne Zyrën Ligjore deri në një vendim tjetër. Përndryshe, emërimi i znj. Bujupi-Alia sipas detyrës zyrtare dhe kompetencave është bërë nga menaxhmenti e jo nga Bordi siç e keni cekur në shkresën tuaj”, ka thënë Bucolli në pyetjet e parashtruara nga Demokracia.com.

Demokracia.com posedon informacione se ajo ishte shkarkuar nga menaxhmenti nga një pozitë e mëhershme, por në këtë pyetje nuk janë përgjigjur nga KEK.

Fjolla Bujupi-Alija e ka motër Mimoza Dugollin që është bashkëshortja e profesorit universitar, i cili në mediat e Kosovës shfaqet edhe si analist i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, Bujar Dugollin.

Po ashtu, Bujar Dugolli është vëllai i deputetit të LVV-së, Enver Dugollit.

Në kërkimet e bëra në Facebook del që Bujupi-Alija është edhe shoqe e shkollës fillore e kryeparlamentarit Glauk Konjufca. /Demokracia.com/

Të ngjashme