Lajme
FOTO| Drejtori i ri i Zyrës për Regjistrimin e Partive del të jetë mik i deputetit të Vetëvendosjes
Demokracia
16:10 | 12 Dhjetor 2022

Share:

Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk i ka përfillur rekomandimet e ambasadës britanike në rastin e emërimit të Drejtorit për Regjistrimin e Partive Politike pranë këtij institucioni.

Radoniqi në këtë pozitë e ka emëruar mikun e ish-anëtarit të Vetëvendosjes në KQZ, Adnan Rrustemit, i cili tashmë është deputet i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës.

Demokracia.com ka siguruar edhe fotografi ku shihen bashkë deputeti i LVV-së dhe drejtori i sapozgjedhur, Besnik Buzhala.

Britanikët që kanë monitoruar procesin e intervistimit kanë konstatuar se asnjë kandidat nuk i ka plotësuar kushtet për emërimin në këtë pozitë. Sipas tyre, asnjë prej kandidatëve nuk ka arritur 70% ose më shumë të vlerësimit, që të mund të konsiderohej për emërim, sipas poentimit të Partnerit Zbatues.

Megjithatë, kjo nuk e ka penguar shefin e KQZ-së që sot ta emërojë njeriun e afërt me pushtetin në krye të kësaj drejtorie.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se ka emëruar Besnik Buzhalën, Drejtor të Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP).

“Pas procesit të rekrutimit, i filluar në muajin tetor 2022, Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Kreshnik Radoniqi mori vendim për emërimin e z. Besnik Buzhala si Drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP)”, thuhet në njoftim. /Demokracia.com/

Të ngjashme