Lajme
Flirt, urrejtje e tradhti | Historia e marrëdhënies Kurti-Jabllanoviq, njeriut që sot e takoi Vuçiqin dhe foli me gjuhën e tij
Demokracia
17:28 | 15 Nëntor 2023

Share:

Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jablanoviq, sot është takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Përmes një njoftimi në Facebook, Jabllanoviq i është përshtatur diskursit të Vuçiqit për kryeministrin Kurti dhe “mbijetesën” e serbëve të Kosovës.

Për më tepër, Jabllanoviq që ka shërbyer edhe si Ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, i ka vendosur fusnotë Qeverisë së Kosovës.

“Për dallim nga opozita në Serbi, qëndrimet e së cilës janë të përafërta me ato të Albin Kurtit, qëndrimi ynë dhe interesi i përbashkët është lufta e mëtejshme për serbët dhe mbijetesa jonë në Kosovë gjatë terrorit dhe persekutimit më të madh nga Qeveria e Kosovës*”, ka shkruar partia e Jabllanoviqit.

Krejt këto, Jabllanoviq i bëri pak muaj pas mbështetjes që mori nga Albin Kurti për t’u bërë kryetar i njërës prej komunave veriore të vendit, shkruan Demokracia.com.

Madje, opinioni u çudit nga marrëdhënia e kryeministrit Kurti me Jabllanoviqin.

Për Albin Kurtin, Jabllanoviqi herë ka qenë emri i një koncepti serbomadh e antishqiptar që nuk mund të rrijë kurrsesi në Qeverinë e Kosovës, ndërsa pak muaj më parë një person që mund ta drejtojë një komunë të Kosovës.

Jabllanoviq nuk është aty si një bashkëpunëtor politik i Kurtit, por vetëm një emër që shpërfaq moskonsistencën e kryeministrit të Kosovës në atë që përfaqëson si politikan, gjë që po i shkakton dëme të mëdha Republikës së Kosovës.

JABLLANOVIQ, EMRI I NJË KONCEPTI SERBOMADH E ANTISHQIPTAR

Vetëm kujtojeni për një moment janarin e ftohtë të vitit 2015. Albin Kurti kishte dalë me nënat gjakovare në sheshin e Prishtinës për të protestuar e kërkuar shkarkimin e ministrit serb Aleksandër Jabllanoviqit, i cili kishte fyer ato, duke i quajtur egërsira, të cilat kishin penguar pelegrinët serbë të vizitojnë kishën për krishtlindjet ortodokse.

Më 25 janar 2015, Kurti ishte shfaqur në protestë, sigurisht për të përfituar prej saj. Nga aty, ai i kishte dhënë ultimatum Qeverisë Mustafa për ta shkarkuar Jabllanoviqin, pasi fyerja nuk mund të kapërdihej.

Vetëm pak ditë më vonë, Kurti do të shkruante se çfarë në thelb përfaqësonte diskursi apo fyerja e Jabllanoviqit ndaj nënave gjakovare, që sipas tij kishte për synim “t’ia shtrojë rrugën e kthimit të Serbisë për një bosnjizim të fuqishëm të Kosovës”.

“Jabllanoviqi është emri i një koncepti të përgjithshëm serbomadh e antishqiptar. Prej Alekasander Kargjorgjeviqit, te Aleksander Rankoviqi, Aleksander Vuçiqi e tash te Aleksander Jabllanoviqi, krejt e kanë qëndrimin e njëjtë antishqiptar e serbomadh. Këta kanë probleme me qenien tonë, këta kanë problem me historinë tonë, kanë problem me pavarësinë tonë, këta kanë problem me autoktoninë tonë, por këto çështje nuk janë të diskutueshme. Dhe tash duhet t’i ndalet hovi një diskursi të tillë, i cili synon t’ia shtrojë rrugën kthimit të Serbisë për një bosnjizim të fuqishëm të Kosovës“, kishte deklaruar Kurti më 2 shkurt 2015.

LEXO EDHE:

E dhimbshme | Kurti tradhton nënat gjakovare, dikur protestonte me to për shkarkimin e Jabllanoviqit, tani i gatshëm ta pranojë dhe mbrojë për kryetar komune (Video)

JABLLANOVIQ, NJË PERSON QË MUND TË NDËRTOJË INSTITUCIONET KOSOVARE

Shumë nga serbët për të cilët opozitari Kurti ka dhënë deklarata të rënda e tepër akuzuese, nuk kanë më probleme sesi duken para kryeministrit Kurti. Mjafton këtu të kujtohet Oliver Ivanoviq, i dënuar për krime lufte ndaj shqiptarëve, i cili u shndërrua në një hero nga kryeministri Kurti, shkruan Demokracia.com.

Kështu ka ndodhur edhe me Aleksandër Jabllanoviqin, ish-kryetarin e dikurshëm të Listës Serbe, parti të cilën Kurti e quante “parti çetnikësh”. Por, nuk shkoi shumë kohë dhe Kurti sërish i nisi deklaratat kundër njeriut që i varte shpresat për zgjedhjet në veri.

Ai e akuzoi Jabllanoviqin se kishte marrë dy banesa për t’u tërhequr nga zgjedhjet.

Kurti në serbisht: Dëgjova se Jabllanoviqi i mori 1 milion euro dhe dy banesa për t’u larguar nga zgjedhjet

 

Me ardhjen e Kurtit kryeministër, u harrua edhe diskursi i tij ndaj Jabllanoviqit dhe në jo pak raste ai është parë si shpëtimtar dhe person që mund të kontribuojë në ndërtimin e institucioneve kosovare në veriun e Kosovës, pikërisht në kohën kur serbët atje kanë braktisur institucionet komunale.

Albin Kurti mbështetet edhe te Aleksandër Jabllanoviqi, pas Radomiroviqëve

LEXO EDHE:

Kurti e Osmani i varin shpresat e zgjedhjeve në veri në Aleksandar Jabllanoviqin, kundër të cilit protestonin dhe kërkonin shkarkimin

Në komunën e Leposaviqit që drejtohet nga njeriu i Kurtit, Lulzim Hetemi, tashmë po gjejnë vend edhe familjarët e Jabllanoviqit. Aty është emëruar si zyrtar i lartë vëllau i Jabllanoviqit. /Demokracia.com/

LEXO EDHE:

Vëllau i Jabllanoviqit emërohet si zyrtar i lartë nga Lulzim Hetemi, i njëjti ishte arrestuar për drogë në veturën e Vulinit

 

Të ngjashme