Aleksandër Jabllanoviqi është gjithmonë kur i duhet Albin Kurtit. Ai është aty, si për të mirë dhe për të keq, si një vend ku mund të mbështetet Albin Kurti.
Kjo duket e çuditshme, por marrëdhënia disavjeçare Kurti – Jabllanoviq është jo-normale. Për Albin Kurtin, Jabllanoviqi herë ka qenë emri i një koncepti serbomadh e antishqiptar që nuk mund të rrijë kurrsesi në Qeverinë e Kosovës, e së fundmi është një person, i cili mund të drejtojë një komunë të Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Jabllanoviq, nuk është aty si një bashkëpunëtor politik i Kurtit, por vetëm një emër që shpërfaq moskonsistencën e kryeministrit të Kosovës në atë që përfaqëson si politikan, gjë që po i shkakton dëme të mëdha Republikës së Kosovës.
“JABLLANOVIQ, EMRI I NJË KONCEPTI SERBOMADH E ANTISHQIPTAR”
Vetëm kujtojeni për një moment janarin e ftohtë të vitit 2015. Albin Kurti kishte dalë me nënat gjakovare në sheshin e Prishtinës për të protestuar e kërkuar shkarkimin e ministrit serb, Aleksandër Jabllanoviqit, i cili kishte fyer ato, duke i quajtur egërsira, të cilat kishin penguar pelegrinët serbë të vizitojnë kishën për krishtlindjet ortodokse.
Më 25 janar 2015, Kurti ishte shfaqur në protestë, sigurisht për të përfituar prej saj. Nga aty, ai i kishte dhënë ultimatum Qeverisë Mustafa për ta shkarkuar Jabllanoviqin, pasi fyerja nuk mund të kapërdihej.
Vetëm pak ditë më vonë, Kurti do të shkruante se çfarë në thelb përfaqësonte diskursi apo fyerja e Jabllanoviqit ndaj nënave gjakovare, e që sipas tij kishte për synim “t’ia shtrojë rrugën e kthimit të Serbisë për një bosnjizim të fuqishëm të Kosovës”.
“Jabllanoviqi është emri i një koncepti të përgjithshëm serbomadh e antishqiptar. Prej Alekasander Kargjorgjeviqit, te Aleksander Rankoviqi, Aleksander Vuçiqi e tash te Aleksander Jabllanoviqi, krejt e kanë qëndrimin e njëjtë antishqiptar e serbomadh. Këta kanë probleme me qenien tonë, këta kanë problem me historinë tonë, kanë problem me pavarësinë tonë, këta kanë problem me autoktoninë tonë, por këto çështje nuk janë të diskutueshme. Dhe tash duhet t’i ndalet hovi një diskursi të tillë i cili synon t’ia shtroj rrugën kthimit të Serbisë për një bosnjizim të fuqishëm të Kosovës “, kishte deklaruar Kurti më 2 shkurt 2015.
JABLLANOVIQ, NJË PERSON QË MUND TË NDËRTOJË INSTITUCIONET KOSOVARE
Shumë nga serbët, për të cilët opozitari Kurti ka dhënë deklarata të rënda e tepër akuzuese, nuk kanë më probleme se si duken para kryeministrit Kurti. Mjafton këtu të kujtohet Oliver Ivanoviq, i dënuar për krime lufte ndaj shqiptarëve, i cili u shndërrua në një hero nga kryeministri Kurti.
Kështu ka ndodhur edhe me Aleksandër Jabllanoviqin, ish-kryetarin e dikurshëm të Listës Serbe, parti të cilën Kurti e quante “parti çetnikësh”.
Me ardhjen e Kurtit kryeministër, u harrua edhe diskursi i tij ndaj Jabllanoviqit dhe në jo pak raste ai është parë si shpëtimtar dhe person që mund të kontribuojë në ndërtimin e institucioneve kosovare në veriun e Kosovës, pikërisht në kohën kur serbët atje kanë braktisur institucionet komunale.
Së fundmi, në komunën e Leposaviqit që drejtohet nga njeriu i Kurtit, Lulzim Hetemi, tashmë po gjejnë vend edhe familjarët e Jabllanoviqit. Aty është emëruar si zyrtar i lartë vëllau i Jabllanoviqit.
Por, jo vetëm punësimi i vëllaut të tij, Kurti që dikur kërkonte shkarkimin e Jabllanoviqit, në qershor të këtij viti shprehej i gatshëm që ta mbronte me Policinë e Kosovës vetë Aleksandër Jabllanoviqin nëse ai do të zgjidhej kryetar i komunës së Leposaviqit.
“Në vend të Lulzim Hetemit, gjithçka ka qenë gati që të jetë Aleksandër Jabllanoviqi. Problem është që Aleksandër Jabllanoviqi doli nga fushata. Ai ka qenë fituesi i sigurt. Ne kemi qenë të gatshëm ta pranojmë si kryetar komune. Po të ishte Aleksandër Jabllanoviqi kryetar komune, unë njësoj me Polici do ta mbroja Aleksandër Jabllanoviqin ndaj sulmeve të kësaj milicie fashiste”, deklaronte Kurti pak ditë pas protestave të dhunshme në veriun e Kosovës përmes së cilave kundërshtohej vendosja e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. /Demokracia.com/