Lajme
Finalja për kryeprokurorin e ri, votimi i fshehtë dhe dekreti presidencial
Demokracia
23:54 | 22 Mars 2022

Share:

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka hyrë në fazën finale të procesit për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri. Deri tani, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj është në epërsi për ta pasuar Aleksandër Lumezin në udhëheqjen e instancës më të lartë të ndjekjes në vend. Nga KPK nuk kanë treguar se kur do të mund të zgjidhet kryeprokurori, emri i të cilit do t’i dërgohet Presidentes për emërim. Mandati 7-vjeçar i Lumezit përfundon në prill. Ligji për KPK-në e parasheh deri diku rrugën e zgjedhjes së kryeprokurorit.

Pesë kandidatët në garë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, të premten, u intervistuan nga paneli vlerësues, ndërsa me numrin më të madh të pikëve (98) u vlerësua Blerim Isufaj, ish-kryesues i KPK-së. I dyti u radhit prokurori i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Shqipdon Fazliu me 92 pikë. Kujtim Munishi, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë u rendit pas tij me 84.2 pikë. I katërti renditet kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti me 80.6 pikë dhe në fund Lulzim Sylejmani, prokurori i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë me 74.2 pikë.

Paneli vlerësues përbëhej nga Jetish Maloku, kryesues i KPK-së dhe i këtij paneli, si dhe anëtarëve të KPK-së, prokurorët Arjana Shajkovci, Bedrije Syla-Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq.

Por renditja aktuale në garën për kryeprokuror mund të ndryshojë në fund, kur anëtarët e Këshillit Prokurorial do të mblidhen dhe përmes votimit të fshehtë do ta zgjedhin njërin nga kandidatët. Kështu parashihet procesi sipas paragrafit 2, të nenit 17 të rregullores lidhur me këtë çështje, të miratuar në vitin 2019. Emri i kandidatit të përzgjedhur më pas dërgohet në Presidencë. Presidentja Vjosa Osmani në fund e bën emërimin, por mund edhe të mos e bëjë.

Tani, procesi i zgjedhjes së kryeprokurorit është në fazën kur kandidatët, sipas rregullores, kanë pesë ditë kohë për ta kundërshtuar vlerësimin e komisionit vlerësues, të cilin e udhëheq kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku. Ai deri në publikimin e këtij teksti nuk i është përgjigjur Gazetës Express se kur do të mund të mblidhet KPK-ja për ta zgjedhur kryeprokurorin e ri. Përgjigje nuk kanë dhënë as në pyetjet me shkrim, të dërguara në KPK.

Në rast se Komisioni këtë javë gjen ndonjë ankesë të bazuar nga ndonjëri prej kandidatëve, KPK duhet të kërkojë nga anëtarët e një paneli rivlerësues që ta rishikojnë edhe njëherë procesin. Nëse ankesat refuzohen si të pabazuara, rezultati aktual do t’i dërgohet KPK-së për votim.

Rregullorja përcakton që anëtarët e KPK-së do të votojnë për kandidatët, diferenca mes të cilëve është e barabartë ose deri në 3%.

Nëse asnjeri nga kandidatet nuk merr shumicën (4 nga 7) e votave të nevojshme të anëtarëve të KPK-së, procesi përmbyllet dhe rishpallet konkursi.

Të ngjashme