Lajme
Fronti Europian prezanton një kusht të ri për t’u bërë pjesë e qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut
Demokracia
13:42 | 01 Maj 2024

Share:

Fonti Europian, koalicioni i partive i udhëhequr nga BDI-ja e ka vënë kusht Vettingun për t’u bërë pjesë e qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut pas zgjedhjeve paralementare të 8 majit. Partia e Ali Ahmetit ka thënë më herët se s’bëhet pjesë e asnjë qeverie që s’do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga Bashkimi Europian.

Arta Bilalli Zendeli, përfaqësuese e Frontit Europian, njoftoi për këtë sot në një konferencë për media tha se Vettingu do të jetë kusht për Qeverinë e re.

“Prezantojmë sot para jush një nga zotimet e programit politik “Europa 2030” të Frontit Europian, atë të realizimit të procesit të vettingut për të gjithë bartësit e funksioneve politike dhe bartësit e përgjegjësive të mëdha në sferën e gjyqësisë dhe luftës kundër krimit e korrupsionit. Pa vënien në lëvizje të një mekanizmi efikas dhe të një skaneri objektiv të pastërtisë së figurave që marrin përgjegjësi publike, siç është vettingu, nuk mund të arrihet progres optimal në përballjen me krimin dhe korrupsionin”, tha ajo.

“Sundimi i ligjit, drejtësia dhe qeverisja e mirë garantojnë lojalitet dhe përgjegjësi të njëjtë për çdo qytetar para ligjit. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të jetë vazhdojë të jetë e pa kompromistë, me tolerancë zero, por kësaj rradhe e përforcuar nga përpikmëria vlerësuese e sistemit të vettingut në pushtetin ligjvënës, ekzekutiv, në gjyqësor, prokurori dhe për çdo funksion tjetër në sektorin publik, në nivel qendror dhe lokal, për persona të emëruar ose të zgjedhur”, shtoi Bilalli Zendeli.

Ajo tha se “Vettingu do të mundësojë transparencë më të madhe të gjendjes pasurore të kandidatëve që duan të marrin përgjegjësi publike dhe rreth mënyrës së arritjes së asaj pasurie”.

“Fronti Europian për herë të parë po insiston edhe në aplikimin e një vettingu për ndikim rus dhe shërbime anti-shtetërore për të eleminuar rrezikun e destabilizimit dhe dezorientimit të vendit nga orientimi euro-amerikan”, tha ajo.

VMRO-DPMNE, artia maqedonase e Hristjan Mickoskit së fundmi ka shprehur vullnetin që ta marrë në qeveri opozitën shqiptare – koalicionin e njohur me akronimin VLEN, pas zgjedhjeve parlamentare.

Koalicionin e ardhshëm qeveritar do ta udhëheqë VMRO-DPMNE me koalicionin VLEN, tha Hristijan Mickoski së fundmi, duke iu përgjigjur kryetarit të BDI-së, Ali Ahmetit i cili bëri thirrje që të respektohet vullneti i qytetarëve dhe se pret që partia më e madhe e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut të marrë ftesë për të qenë pjesë e qeverisë e ardhshme.

Më 8 maj mbahen zgjedhjet parlamentare në RMV dhe VMRO-DPMNE është partia favorite për t’i fituar ato. Të njëjtën ditë mbahet edhe rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale ku për shef të shtetit do të garojnë kandidatja e VMRO DPMNE, Gordana Siljanovska- Davkova – e cila priu bindshëm në rundin e parë, dhe presidenti aktual, kandidati i LSDM-së, Stevo Pendarovski – i renditur i dyti.

Në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ministri shqiptar i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, kandidat për president nga koalicioni Fronti Europian i udhëhequr nga BDI-ja u rendit i treti dhe mori rreth 40 mijë vota më shumë sesa kundërkandidati i tij, Arben Taravari nga koalicioni i partive opozitare shqiptare, i mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje që qeveris në Kosovë.

Të ngjashme