Sport
Finalja e FA Cup: Chelsea dhe Liverpool për lavdi
Demokracia
11:26 | 14 Maj 2022

Share:

FA Cup ka mbërritur në stacionin e fundit, në finalen e madhe të këtij edicioni, Chelsea – Liverpool që do të luhet në mitikun “Wembley” këtë të shtunë në orën 17:45 dhe që do transmetohet në “SuperSport 1”.

Në edicionin e 150-të FA Cup, në finale prezantohen dy “pesha” të rënda, me të njëjtin objektiv dhe mision, triumfin. Chelsea për të mbyllur sezonin me një trofe, ndërsa Liverpool kërkon të shkruajë historinë, pasi në harkun e pak ditëve do të luajë finalen e dytë të sezonit. Të dyja skuadrat vendosen përballë sërish, në një tjetër finale të sezonit dhe kjo ndodh për herë të parë në histori, që brenda sezonit dy skuadra arrijnë finalen e FA Cup dhe EFL Cup. “The Reds” triumfuan ndaj londinezëve me penallti (koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën 0-0) në finalen e 27 shkurtit në Kupën e Ligës, duke koleksionuar trofeun e parë sezonal.

Chelsea kaloi në gjysmëfinale skuadrën e Crystal Palace, ndërsa Liverpool nxori nga gara skuadrën e Pep Guardiola-s, Manchester City-n. Klopp në aventurën e tij te Liverpool nga 8 tetori i 2015 nuk ka arritur të fitojë vetëm FA Cup dhe kjo sfidë është më shumë se një mision, në aspektin personal për gjermanin. Ashtu edhe për gjermanin tjetër, Tuchel, i cili sezonin e kaluar u mund në finale të këtij kompeticioni, ndërsa në aventurën e tij te “Blutë” e Londrës do të jetë finalja e katërt (1x FA Cup, EFL Cup, Champions League). Sezonin e kaluar Chelsea u mund në finale nga Leicester City që koleksionoi trofeun e parë në histori, një ndeshje që u mbyll në harkun e 90 minutave.

Chelsea do të kërkojë të koleksionojë trofeun e 9-të në histori, ndërsa për herë të fundit e ka fituar në edicionin 2017-2018 dhe luan finalen e 16-të në histori. Në krahun tjetër, Liverpool do të kërkojë trofeun e 8-të dhe luan finalen e 15-të, ndërsa për herë të fundit ka triumfuar në sezonin 2005-2006. Liverpool rikthehet në finale pas 10 vitesh dhe pikërisht në finalen e fundit, u mund nga Chelsea në sezonin 2011-2012.

Një sfidë brenda sfidës do të jetë edhe ajo e Tuchel dhe Klopp, me këtë të fundit që në 19 përballje me bashkatdhetarin e tij ka triumfuar në 10 prej tyre, ndërsa Tuchel ka arritur 4 suksese ndaj teknikut aktual të Liverpool dhe 5 sfida janë mbyllur në barazim. Gjithsesi, në fund luhet edhe për histori, pasi për herë të parë në FA Cup, kampion do të jetë një trajner gjerman, por tani mbetet për t’u parë se cili do të jetë, Tuchel apo Klopp.

Kjo do të jetë sfida numër 159 midis dy skuadrave në të gjitha kompeticionet, me Liverpool që kryeson me 70 fitore dhe 244 gola të shënuar, kundrejt 51 sukseseve të Chelsea dhe 214 golave, ndërsa 37 takime janë mbyllur në barazim. /Demokracia.com

Të ngjashme