Lajme
Fetoshi për raportin e DASH-it: Qeveria aktuale tregoi qasje arrogante ndaj mediave e gazetarëve
Demokracia
16:48 | 13 Prill 2022

Share:

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), në raportin vjetor për nivelin e demokracisë dhe të sundimit të ligjit, ka kritikuar Kosovën për lirinë e mediave.

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), në raportin e saj të publikuar të martën për Kosovën, ka kritikuar Qeverinë për kërcënimet që ia ka bërë mediave dhe gazetarëve, raporton Demokracia.com.

Në lidhje me këtë raport, profesori universitar, Arben Fetoshi, ka thënë se Kosova ka treguar kthim prapa sa i përket lirisë së mediave.

“Raporti i DASH reflekton nivelin e demokracisë dhe të sundimit të ligjit në Kosovë, me një prapakthim sa i përket lirisë së mediave. Ky është një instrument që duhet të merret seriozisht nga institucionet dhe shoqëria në përgjithësi. Derisa mosndëshkimi i rasteve të korrupsionit dhe drejtësia e vonuar janë probleme të vazhdueshme që na përcjellin, mungesa e transparencës dhe degradimi i lirisë së shprehjes janë vlerësime tejet shqetësuese për synimet demokratike të vendit”, është shprehur Fetoshi për Demokracia.com.

LEXO EDHE: 

Raporti i DASH-it| Ekspertët vlerësojnë se sistemi i drejtësisë është i ndikuar nga politika dhe grupet e interesit

Tutje ai ka vlerësuar se “Qeveria Kurti 2” ka treguar qasje shumë arrogante ndaj mediave dhe demokracisë.

“Qeveria aktuale ka treguar një qasje më arrogante ndaj mediave e gazetarëve, që është në kundërshtim me vlerat fundamentale të demokracisë. Përveç kësaj, ndalimi i përkrahjes së mediave të rrezikuara dhe reduktimi i buxhetit për transmetuesin publik janë po ashtu forma të presionit me metoda financiare. Pra, gjuha kërcënuese dhe mungesa e transparencës kanë krijuar një mjedis frikësues ndaj gazetarëve që evidentohet edhe në raportin e DASH, i cili në tërësinë e gjetjeve që përmban do të duhej të shërbente si pasqyrë për qeverinë dhe institucionet e tjera të vendit”, theksoi Fetoshi.

Në lidhje me lirinë e shprehjes, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

“AGK-ja vlerëson se gjetjet e raportit duhet të jenë alarm për institucionet e vendit që duhet të angazhohen në krijimin e një̈ ambienti më të mirë e të sigurt të të bërit gazetari”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e AGK-së.

LEXO EDHE: 

Departamenti i Shtetit përmend Haki Abazin, thotë se ai kërcënoi një medium për raportimet

DASH-i në raportin vjetor ka theksuar kërcënimet që Haki Abazi ka bërë ndaj medias online “Albaian Post”, sulmi ndaj gazetarit Visar Duriqi si dhe intervistimin e gazetarit të portalit Insajderi, Parim Olluri. /Demokracia.com/

LEXO EDHE: 

DASH për Kosovën: Vazhdon mosndëshkimi i korrupsionit

Të ngjashme