Lajme
INPO: Ministritë dhe Zyra e Kryeministrit nuk i përmbahen planifikimit të prokurimit
Demokracia
12:55 | 03 Maj 2024

Share:

Iniciativa për Progres (INPO) këtë të premte ka publikuar raportin “Performanca e Qeverisë së Republikës së Kosovës në realizimin e prokurimit”.

Sipas këtij raporti, 15 ministri dhe Zyra e Kryeministrit nuk kanë përmbushur as gjysmën e aktiviteteve të planifikuara. Sipas raportit vetëm 336 aktivitete kanë përfunduar, nga 935 sa ishin të planifikuara.

Drejtoresha ekzekutive e INPO-së, Albulena Nrecaj-Musliu, ka thënë se gjetjet flasin për mungesë të mirëfilltë të planifikimit.

Monitorues i Arbër Kabashi ka theksuar se ky raport është rezultat i monitorimit të planeve përfundimtare të prokurimit të ministrive dhe Zyrës së Kryeministrit rreth përmbushjes së tyre, brenda një viti fiskal.

“Në bazë të monitorimit të 15 ministrive dhe Zyrës së Kryeministrit, INPO ka raportuar edhe nga numri i aktivitete edhe nga vlera e tyre. Gjatë vitit 2023 janë 336 aktivitete te rezultuara në 489 kontrata. Në total nga 935 aktivitete të planifikuara, me vlerë 442 milionë euro, vetëm 336 janë realizuar”, ka deklaruar Kabashi.

Sipas raportit Ministria e  Arsimit ka planifikuar 57 aktivitete me 17 kontrata të nënshkruara të kthyer në përqindje si 29.82%.

Ndërkaq Ministria e Bujqësisë kishte paraparë 43 aktivitete në vlerë prej 6.053.875.52euro, me gjithsej 25 kontrata te nënshkruara.

Një numër më të madh aktivitetesh të parashikuara gjatë 2023-tës, ishte Ministria e Financave, Punës, dhe Transfereve me 71 gjithsej, ku prej tyre u nënshkruan 46 prej tyre.

Ndërsa sa i përket Zyrës së Kryeministrit, për vitin 2022 kishin të paraparë 22 aktivitete. Në vlerë prej 918,583,00euro, prej tyre vetëm 17 të nënshkruara.

Sipas konkluzioneve të këtij raporti ministritë dhe Zyra e Kryeministrit nuk i përmbahen planifikimit të prokurimit.

“Planet e prokurimit nuk reflektojnë nevojat reale, të furnizimit me artikuj, shërbime dhe punë, duke qenë se vetëm rreth 35% e aktiviteteve te planifikuara janë tenderuar”, është shprehur Kabashi.
Sipas raportit Qeveria e Republikës se Kosovës gjatë vitit 2023, dy herë ka ndryshuar dhe plotësuar listën e artikujve për përdorim të përbashkët që janë objekt i procedurës qendrore të prokurimit publik.

Në raport thuhet se Ministria e Arsimit ka paraparë në planifikim të prokurimit aktivitete për ndërtimin e çerdheve nëpër komuna, pa e definuar paraparakisht me komunën përkatëse lokacionin e ndërtimit të çerdhes, gjë që thuhet se ka pamundësuar inicimin e aktiviteteve të prokurimit për ndërtimin e çerdheve.

Ministria e Mbrojtjes thuhet se në raportin e prokurimit i ka dy kontrata të raportuara për njësi, por nuk e ka të përgatitur vlerën indikative të kontratës.

Aktivitetet e planifikuara nga Ministria e Financave rreth Thesarit, thuhet se në muajin korrik kanë kaluar në kuadër të Agjencisë Qendrore të Prokurimit. / EO

Të ngjashme