Lajme
Faton Peci kryetar i partisë Guxo, ‘zhduket’ Donika Gërvalla
Demokracia
16:53 | 15 Mars 2023

Share:

Ministri aktual i Bujqësisë, Faton Peci, është kryetar i partisë Guxo, raporton Gazeta Blic.Kështu figuron në listën e partive politike që është publikuar në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, edhe pse ky institucion vazhdon të mos e trajtojë kuvendin zgjedhor të kësaj partie.

Peci është në mesin e 49 kryetarëve të partive politike që janë aktualisht funksionale në shtetin e Kosovës.Partia Guxo ishte regjistruar në KQZ në Mars të vitit 2022, udhëheqëse e së cilës asokohe ishte Donika Gërvalla Shwarz.

Emri i saj tash është larguar nga lista e partive politike, duke u zëvendësuar me emrin e Faton Pecit.Në këtë regjistër mungon emri i ministres së jashtme, e cila së bashku me Pecin ishin zgjedhur bashkë-kryetarë të partisë Guxo në kuvendin zgjedhor të zhvilluar në Shtator 2022.

Azhurnimet vjetore të partive politike të regjistruara në Kosovë janë publikuar në faqen e KQZ-së. Në mesin e këtyre partive janë paraqitur edhe të dhënat për partinë politike Guxo.

Edhe pse ky institucion nuk e ka trajtuar deri tani kuvendin zgjedhor të mbajtur në shtator të vitit 2022, Zyra për Regjistrim të Partive në KQZ ka ndjekur një rrugë të ndryshme nga rekomandimi i parë i përgatitur menjëherë pas vëzhgimit të kuvendit zgjedhor nga vetë zyrtarët e saj, duke konkluduar se ky kuvend ku u zgjodhën dy bashkë-kryetarët e partisë ishte i pavlefshëm.Gazeta Blic ka raportuar të hënën se në shkresën e Ushtrueses së detyrës së drejtorit të Zyrës së Partive Politike tregohet se zyrtarët e kësaj zyre kanë zhvilluar takim konsultativ me përfaqësuesit e partisë Guxo, edhe pse ky takim nuk është kërkuar nga KQZ-ja sepse çështja e kuvendit zgjedhor nuk është trajtuar asnjëherë në mbledhjen e KQZ-së.

Në shkresën që ka siguruar Gazeta Blic, thuhet se ndryshimet e kërkuara nga partia i janë komunikuar me shkrim. Kjo Zyre ka kërkuar që të plotësohet Statuti i partisë, neni 17, duke ndarë pozitat Kryetar i Partisë dhe Kryetar Politik. Ndryshe nga rekomandimi i parë që e vlerësonte të pavlefshëm zgjedhjen e dy kryetarëve, në shkresën e muajit nëntor, e njejta Zyre njeh dy kryetarët, duke shpikur emërtime që nuk njihen as në rregulloret e KQZ-së, por njërit prej tyre, kryetarit të partisë, i ka dhënë vlerë më të madhe se sa kryetarit politik.

Në këtë regjistër mungon emri i ministres së jashtme, e cila së bashku me Pecin ishin zgjedhur bashkë-kryetarë të partisë.“Kryetari i partisë duhet të jetë personi i vetëm në parti i cili ka të gjitha autorizimet për të përfaqësuar partinë në raport me KQZ. Zyra do të pranojë materialet e dorëzuara nga partia të cilat janë të nënshkruara nga Kryetari i Partisë. Ndryshimet statutore, sipas statutit të partsë bëhen me 2/3 e votave të Kuvendit. Kjo nënkupton që partia sa më parë duhet të organizojë një Kuvend punues me ç’rast duhet të bëhet plotësimi i nenit 17 të Statutit në përputhje me vërejtjet e mësipërme.” – thuhet në këtë shkresë.

Kjo zyre i ka kërkuar partisë Guxo që formularin për lajmërimin e ndryshimeve duhet të plotësohet në përputhje me vërejtjet e mësipërme.

Me sa duket, partia Guxo, pa e mbajtur kuvendin zgjedhor ka ndjekur udhëzimet e Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe si kryetar të partisë është shënuar vetëm emri i Faton Pecit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon të mos e trajtojë çështjen e kuvendit të pavlefshëm zgjedhor të partisë Guxo, e cila në kundërshtim me rregullat, me 7 shtator të vitit 2022 kishte zgjedhur dy bashkë-kryetarë, Faton Pecin dhe Donika Gërvallën.

Rekomandim i Zyrës për Regjistrim të Partive, i datës 17 Tetor 2022, që ishte përgatitur të prezantohej në mbledhjen e KQZ-së, ka mbetur në gjysmë të rrugës dhe nuk po paraqitet në mbledhjen e KQZ-së, para anëtarëve të këtij institucioni. Në fakt, pas këtij rekomandimi që ishte publikuar në medie, kjo Zyre ka ndjekur një rrugë krejtësisht tjetër nga rekomandimi i përgatitur, duke shpikur emërtime që nuk njihen as në rregulloret e KQZ-së, si Kryetar i Partisë dhe Kryetar Politik.

Të ngjashme