OpEd
Fantazia pseudopopuliste e Kurtit, e përkthyer në dështim
Demokracia
10:05 | 30 Gusht 2023

Share:

Shkruan: Milazim KRASNIQI

Albin Kurti nuk mund të bëhet me asgjë lider mirëfilli populist. Dy karakteristika të liderit populist, sipas Nisha Bellingerit janë investimet e mëdha në zonat kryesore të shtetit dhe instrumentalizimi me sukses i nacionalizmit. Ndërsa Albin Kurti ka bërë saktësisht të kundërtën e kësaj: ka bllokuar çdo investim dhe ka hequr dorë nga propaganda e dikurshme nacionaliste. Ka dëbuar nga vendi konzorciumin “Kontur Gllobal”, i cili planifikonte të ndërtonte termocentralin Kosova e Re.

Ka penguar investimin për gazin amerikan. Ka bllokuar autostradën për Pejë. Nuk ka nisur asnjë projekt zhvillimor. Ndërsa lidhur me bashkimin kombëtar, për t’u dukur tamam karikaturë e një lideri populist, mu te varri i Skenderbeut në Lezhë, pati zbuluar se Kushtetuta nuk e lejonte bashkimin kombëtar.

Kurti po provon vetëm një karakteristikë të liderit populist: po tenton ta forcojë pushtetin ekzekutiv në dëm të pushtetit gjyqësor. Por deri sot nuk ka pasur asnjë sukses. Përkundrazi, tentimi i është kthyer si bumerang: duke ia arrestuar e proceduar eksponentët e partisë së tij, pushteti gjyqësor është forcuar dhe e ka përmirësuar imazhin e vet në sytë e publikut. Bile mund të thuhet se pushteti gjyqësor në njëfarë mënyre e ka futur edhe vetë Kurtin në birë të minit.

Nga ana tjetër, presioni i deritashëm ndaj opozitës, një karakteristikë e liderëve populist, nuk i ka pasur sukses. Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, opozita e ka fituar bindshëm pushtetin vendor dhe sot është shumë më e fortë se para tri vitesh. Kërkesat e saj për rrëzimin e qeverisë dhe për mbajtjen e zgjedhjeve janë tregues se opozita nuk po i frikësohet pseudopopulizmit të Kurtit.

Nga ana tjetër, Albin Kurti duke manifestuar prirje të konfrontimit më SHBA-ë dhe BE-në, me synimin që të duket si lider populist, e ka dëmtuar rëndë vendin, sepse Kosova nuk ka fuqi të konfrontohet me SHBA-në e BE-në, me spsonsorët e pavarësië së vet. Stabiliteti dhe ekzistenca e Kosovës si shtet i pavarur varet direkt nga SHBA e BE.

Përfundimi është se Kurti e ka shpenzuar gabimisht përpjekjen për t’u dukur si lider populist. Ka dështuar keqas. Tash e tutje do të detyrohet të sillet si skajshmërisht i moderuar, për ta hequr nga vetja dyshimin dhe presionin e sponsorëve të pavarësisë së Kosovës. Nëse nuk sillet si skajshmërisht i moderuar, ka rrezik që fati politik i tij të asociojë në ndonjë variacion me fatin politik të Gruevskit. Gruevski, Dodiku, Gjukanoviqi, Kurti e të ngjashmit e tyre, me fantazitë e tyre populiste, i ngjajnë bretkocës që ka shkuar për t’u mbathë te nallbani, kur e ka parë kalin duke e mbathë aty.

Liderë shtetesh a entitetesh që mbahen në këmbë falë sponsorizimit perëndimor, nuk mund të luajnë me sukses lojëra populiste, siç luajnë liderët e mirëfilltë populistë të shteteve të qëndrueshmne e të forta.

 

Të ngjashme