Lajme
Falja e 100 eurove të tatimit në pronë, a do të rimbursohen komunat nga Kurti?
Demokracia
13:28 | 25 Prill 2023

Share:

Komunat ende s’e dinë nëse do të rimbursohen nga Qeveria për faljen e tatimit në pronë deri në 100 euro. Nga Asociacioni i Komunave të Kosovës thonë se Kuvendi ende s’u ka kthyer përgjigje për këtë kërkesë. Departamenti i Tatimit në Pronë sot i ka paralajmëruar qytetarët që të paguajnë këstin e parë deri në fund të kësaj jave, apo në të kundërtën do të pësojnë masat ndëshkimore.

Në fund të kësaj jave përfundon afati ligjor për pagesën e këstit të parë të tatimit në pronë. Për këstin e dytë, kanë kohë deri në fund të shtatorit.

Qytetarët tashmë janë paralajmëruar që të kryejnë pagesat, që të mos përballen me gjoba dhe interes.

“Edhe pak ditë kanë mbetur për të paguar këstin e parë. Të gjithë tatimpaguesit që ende nuk e kanë kryer obligimin e tyre, mund ta kryejnë pagesën deri më 30 Prill 2023. Duke kryer me kohë obligimet tuaja, ju nuk do të paguani gjoba në shumën 10% të këstit të parë dhe interes prej 0.65% në muaj”, është njoftimi që ka lëshuar sot Departamenti i Tatimit në Pronë.

Këtë vit, faturat e tatimit në pronë do të jenë më të shtrenjta, meqë është bërë rivlerësimi i pronave nga ana e Ministrisë së Financave.

Komunat kanë kërkuar që të anulohet ky proces dhe që qytetarët të paguajnë sikur vjet. Kjo kërkesë e tyre është injoruar nga Ministri Hekuran Murati. Ai ka nxjerrë një Projektligj për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronë, përmes së cilit parashihet falja e tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit deri në lartësinë e faturës, por jo më shumë se 100 euro.

Komunat e kanë kundërshtuar këtë ide, meqë thonë se do të ndikojë në uljen për rreth 40 përqind të të hyrave vetanake, si dhe në projektet kapitale që tashmë janë planifikuar.

Për këtë çështje, Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës i është drejtuar me një shkresë Kuvendit të Kosovës.

Përmes kësaj shkrese, komunat kanë kërkuar që me Projektligjin për Tatimin në pronë, krahas faljes se 100 eurove të vendoset që rimbursimin e kësaj shume ta mbulojë niveli qendror.

Aty theksohet që AKK’ja s’është konsultuar fare për këtë temë.

“Duke ditur këto, Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës kërkon nga Ju që me Projektligjin për Tatimin në pronë, krahas faljes se 100 eurove të vendoset që rimbursimin e kësaj shume ta mbulojë niveli qendror në mënyrë që të mos varfërohen Komunat e Kosovës dhe të mos ketë ndikimin në realizimin e projekteve kapitale të parapara me buxhetet komunale të këtij viti. Jemi në dispozicionin Tuaj të debatojmë këto çështje dhe propozimin tonë si pushtet lokal që do të zbatoj këtë akt ligjor dhe do të ndikohet nga efektet e tij”, thuhet ndër të tjera në këtë shkresë.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i ka thënë Gazetës Express se ende s’kanë marrë përgjigje për këtë kërkesë.

Ibrahimi ka theksuar se niveli qendror duhet patjetër t’i konsultojë komunat që të zbatohet ligji.

“Jo, jo ende jemi në pritje e sipër. Komunat janë duke pritur që niveli qendror t’i konsultojë sepse pa konsulta ndoshta ligji do të gjej problem në zbatim. Niveli qendror duhet patjetër t’i konsultojë dhe t’i marrë parasysh kërkesat e komunave sepse ky ligj ka impakt të drejpërdrejtë në buxhetet e komunave dhe për këtë ato duhet të konsultohen”, ka deklaruar Ibrahimi.

Ai pret që të ftohen në konsultime nga komisionet parlamentare, pasi Projektligji të kalojë në lexim të parë.

“Besoj, që pas leximit të parë komisionet parlamentare do na ftojnë në konsultime e jo që edhe parlamenti, ashtu si qeveria t’i injoroj komunat në vendim-marrje Mos konsultimi i komunave nuk ka ndodhur në qeveritë e kaluara e as nga parlamentet e kaluara”, ka thënë Ibrahimi për Express.

Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Financave për këtë çështje, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka marrë përgjigje.

Çfarë parashihet me këtë Projektligj?

Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në pronën e paluajtshme është miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe me të parashihet falja e tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit deri në lartësinë e faturës, por jo më shumë se 100 euro.

“Shuma e faljes së tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se 100 Euro (njëqind euro) në pajtim me dispozitat e këtij kapitulli”, parashihet me këtë projektligj.

Me këtë Projektligj, parashihet që “vendimi për faljen e tatimit në prone merret nga kuvendi komunal i çdo komune më së largu 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji”.

Për qytetarët që tashmë e kanë paguar faturën, shuma e falur do t’ju llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.

“Në rast se tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.”

Aty sqarohet edhe se falja tatimore zbatohet vetëm për këtë vit.

“Zbatimi i këtij kapitulli mbetet përgjegjësi e çdo komune përgjegjëse për administrimin e procesit të tatimit në pronë për pronat e paluajtshme që ndodhen brenda territorit të komunës”, thuhet në projektligj.

Debati mes Ministrit Murati dhe deputetit Hoti për projektligjin

Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti, kanë debatuar para një jave në Komisionin për Buxhet lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në pronën e paluajtshme.

Mospajtimet e tyre ishin për Nenin 9, që parasheh vendosjen e shkallës tatimore progresive.

Hoti e quajti vendimin e Muratit arbitrar dhe tha se më së shumti do të preken bizneset, të cilave do t’u trefishohet tatimi në prone.

“Ajo që është më shqetësuese, është te bizneset. Merre një objekt biznesor, në Veternik, bëji kalkulimet vetë, për pesë minuta i bën ti, edhe ke me e pa që ti ke me iu trefishu ngarkesën e tatimit në pronë atyre bizneseve”, tha Hoti.

Ai tregoi edhe për një përllogaritje që ka bërë për ndikimin që do të ketë ky projektligj te bizneset.

“Një pronë që i ka vlerë 5 milionë, që është pronë krejt e vogël rrugës për në Veternik nalt atje, 116 përqind i rritet tatimi në pronë. Një pronë tjetër që ka vlerë le të themi 20 milionë euro, 175 përqind. Një pronë që ka vlerë 100 milionë, 200 milionë euro, 700 mijë euro i paguan në vit tatim në pronë, apo trefish më shumë sesa që paguan tash”, deklaroi Hoti.

Sipas Hotit, Qeveria Kurti në këtë formë po do që t’i kthejë të gjithë qytetarët në të varfër dhe se kjo qasje është gabim.

“Duhesh me qenë i vetëdijshëm se ka po shkon se kam përshtypjen që ke hy me një rrugë hajt po nisim me falje të 100 eurove, edhe hajt masi po e bajmë këtë punë, hajt po i bajmë edhe normat progresive të tatimit në pronë. Unë e kuptoj filozofinë e juaj, doni me i bë krejt njerëzit e varfër, po kjo qasje është gabim. Është gabim sepse jeni duke ia huq kuptimin e konceptit të pronës”.

Për dallim prej Hotit, Ministri Hekuran Murati tha se nuk e sheh aspak problematike që dikush që ka vlerë të pronës më të madhe, të paguajë më shumë.

Ai tha se me shkallën tatimore progresive, po zvogëlohet barra te ata që kanë më pak pronë dhe më pak pasuri dhe po rritet të ata që kanë 5 milionë e më tepër.

“Sa i përket progresivitetit, unë nuk shoh ndonjë problem që dikush që ka vlerë 5 milionë euro, të paguaj pak më shumë, pra dikush që ka vlerë të pronës. Apo dikush që ka vlerë të pronës 20 milionë euro, të paguaj pak më shumë. Dmth nëse ka pagu 20 mijë euro e tash i bjen me pagu 30 apo 40 mijë, dikush që ka vlerë 5 milionë euro, nuk e shoh që është problematike. Nëse në anën tjetër po ua mundësojmë këtyre që e kanë një banesë dhe një tokë, një parcelë për me e punu tokën, me ua fal në tërësi tatimin”, deklaroi Ministri.

Të ngjashme