Intervista
Faith Ringgold: Artistja që kapi shpirtin e ShBA-së
Demokracia
08:33 | 18 Prill 2024

Share:

Nga: Arwa Haider / BBC
Përkthimi (i pjesshëm): Telegrafi.com

“Si artiste, dua ta rrëfej historinë time për kohët – atë që kam jetuar; atë nëpër të cilën tani kalojmë. Shpeshherë, njerëzit nuk duan ta shohin këtë … por, nuk e bëj atë të cilën njerëzit duan ta shohin; bëj atë që mundem”.

Këto ditë, turmat në galeritë kryesore zhurmojnë për të parë punën e piktores, skulptores, shkrimtares dhe artistes së performancës të lindur në Harlem, Faith Ringgold (1930-2024) – e cila vdiq të shtunën. Por, artistja luftoi shumë gjatë, gjatë gjithë jetës së saj për këtë mirënjohje. Arti i Ringgoldit është plot ndjesi dhe i gjerë (duke përqafuar më shumë se një duzinë mediash, nga “jorganët e historisë” që bartnin një ngjarje, deri te maskat ikonike dhe mozaikët); e rrëmbeu shpirtin e ShBA-së – pop-kulturën dhe politikën e saj – dhe atë e shfaqi cullak. Por, shpeshherë i flet pushtetit për të vërtetën që të shqetëson.

Gjatë dekadës së fundit, ka pasur një lloj zgjimi; Ringgold e ka dëshmuar veten në ekspozitat e mirënjohura. Adhuruesit e profilit të lartë të saj përfshijnë emrat si Oprah Winfrey, Bill Clinton dhe të ndjerën Maya Angelou. Mirënjohja e artit të Ringgoldit – me shumë vepra të papara – u shfaq në vitin 2019 në Galerinë “Serpentine” të Londrës; ishte, tha Ringgold për BBC, “një sondazh, jo retrospektivë”.

Në librin e vitit 2004, Pamja nga studio (me Curlee Raven Holtonin), ajo tha: “U rrita në Harlem gjatë Depresionit të Madh. Kjo nuk do të thotë se isha e varfër dhe e shtypur. Ishim të mbrojtur nga shtypja dhe të rrethuar nga familja e dashur”. Lagjja e saj ishte gjithashtu shtëpia e artistëve dhe poetëve vizionarë të xhazit të cilët kishin nxitur Rilindjen e Harlemit; legjendat lokale si Langston Hughes dhe Duke Ellington ishin miq të familjes. Nëna e Ringgoldit, rrobaqepëse e talentuar dhe stiliste, e ndihmoi më vonë që ta zhvillojë konceptin e “jorganëve të historisë”: një alternativë e lëvizshme ndaj kanavacave të mëdha të rënda – e që ishin dekoruara me zbukurime dhe që përditësojnë traditën e artizanatit popullor të ShBA-së.

Në moshën 88-vjeçare, Ringgoldi foli për BBC-në: “Në familjen time, nuk kishte gjë të tillë si: ‘nuk mund ta bësh këtë’ … ‘po, mundesh’”! Në vitin 1950, Ringgold u bë studentja dhe gruaja e parë me ngjyrë e cila e studioi artin në Kolegjin e Qytetit të Nju Jorkut (para saj, vetëm burrat e bardhë ishin pranuar në “programin e arteve liberale”).

Reagimi ka qenë temë përcaktuese e artit të Ringgoldit. Në shkollë u prek nga piktura e Horace Pippinit e vitit 1942, Xhoni Bruan shkon drejt varjes, para se të zbulonte se Pippini ishte artist afrikano-amerikan: i vetmi i paraqitur në librat e saj të historisë.

“Kishte kaq shumë kreativitet rreth meje: muzikë, art, kërcim”, tha ajo për BBC. “Por, ishte edhe fakti që, si zezakë, na u mohua pozicioni në botën e artit. Pse po ndodh kjo? Dhe, a do t’i lini njerëzit e tjerë të vendosin, apo do të ngulmoni”?

Vitet 1960 sollën kthesa vendimtare – duke përfshirë Aktin e të Drejtave Civile të ShBA-së të vitit 1964, i cili përfundimisht ia dha fundin ndarjes në hapësirat publike – dhe ajo epokë kreative, e trazuar, vulosi gjithashtu frymën aktiviste të artit të Ringgoldit. “Vitet ’60 ishin kaq interesante”, tha ajo. “Ishte periudha ku gjithçka ndodhte, për çdo ditë. Kam kapur gjithçka që kam mundur – por, gjithashtu kam mbetur jashtë të gjitha ekspozitave. Ishte vështirë, por nuk dija asgjë tjetër. Dhe, arrita ta krijoj artin tim pa asnjë kufizim. Sapo e krijon një imazh, edhe nëse jo shumë njerëz atë e shohin, është një formë e përhershme e shprehjes”.

Shprehjet e Ringgoldit u bënë gjithnjë e më të brendshme, si reagim ndaj luftës së ShBA-së për barazi racore. Ka një përzierje të bukurisë dhe brutalitetit, dhe tërbim të drejtë ndaj veprave kyçe si Vdis (1967): shtrirja e trupave ta kujton Gernikën e Picassos (të cilën Ringgold e vizitonte shpeshherë në Muzeun e Artit Modern të Nju-Jork); mes dhunës janë dy fëmijë – një i zi, një i bardhë – që strehojnë njëri-tjetrin në një përqafim të tmerrshëm.

“Oh, Zot, mendoja për atë që më shqetësonte për trazirat të cilat ata nuk po i raportojnë”, kujtoi Ringgold. “Kthehesha në shtëpi dhe njerëzit dëgjonin radio, por nuk kishin dëgjuar asgjë – ndërsa ka gjak në rrugë … Kur nisa ta pikturoj gjakun, ishte e frikshme. E dija se po e pikturoja vdekjen”.

 

Në të njëjtën kohë, arti i saj ka paraqitur një forcë të papërmbajtshme jete, edhe nëse institucionet kryesore fillimisht ishin të mbyllura ndaj saj; përmendi se (pa sukses) u përpoq t’ua dhuronte Dieton muzeve – përfundimisht u shit, në vitin 2011. Në vitin 1971, Ringgold e përballoi një sharje racore nga një kalimtar i bardhë jashtë Muzeut “Whitney” të Nju-Jorkut, ku merrte pjesë në një protestë kundër diskriminimit – e bëri pikturën Urrejtja është flamur mëkati (duke përmbysur dizajnin e konfederatës) si reagim; dekada më vonë, vepra u ble dhe u shfaq me krenari nga “Whitney”. Në fakt, Ringgold kurrë nuk iu përmbajt asnjë konvente; posteri i saj Anxhela e Lirë (1971) për partinë aktiviste të Panterave të Zinj, kurrë nuk u shtyp – megjithëse përfundimisht ia bëri një printim Angela Daviesit. “Vetëm sepse ishin në politikë, në mënyrën e vet, nuk do të thotë se e pranuan shprehjen time vizuale”, tha ajo.

Ekziston një trend aktual për librat me tregime për fëmijë, që ndërgjegjësojnë për shoqërinë; Ringgold shkruante dhe ilustronte të sajat dekada më parë, duke përfshirë autobiografinë Plazhi Tar (me motivin e përsëritur të një vajze të re me ëndrra të pakufizuara – që ngrihet lart mbi çatitë e Nju Jorkut), dhe epikën historike të Metros së Tezes Heriet në Qiell (duke i bërë homazhe aktivistes për lirinë e skllevërve, Harriet Tubman). Erdhën në Amerikë portretizon diversitetin racor dhe përvojën e emigrantëve që me të vërtetë ia dhanë formën ShBA-së.

Edhe përmes temave më shqetësuese, arti i Ringgoldit ka qenë gjithmonë në zemër të kombit.

“E vjetra sot është fenomenale sot”, deklaroi ajo. “Ka kaq shumë të moshuar në botë, dhe unë jam njëra prej tyre – dua të jem atje, jashtë, duke prodhuar art”! Fuqia e këmbënguljes është e përjetshme; për Ringgoldin, shpirti i Amerikës mbeti i pakufishëm.

Të ngjashme