Lajme
Evropa Veriore goditet nga stuhia “Otto”, mbyllet ura Danimarkë – Suedi
Demokracia
09:10 | 18 Shkurt 2023

Share:

Banorët e disa blloqeve të banimit në Danimarkë janë evakuuar, ura që e lidh Suedinë me Danimarkën është mbyllur dhe qarkullimi i trageteve norvegjeze është ndërprerë, pasi stuhia “Otto” po kalon nëpër pjesën veriore të Evropës.

Në pjesën jugperëndimore të bregdetit norvegjez, shpejtësia e erës ka arritur deri në 145 kilometra në orë, ndërsa parashikuesit e motit në Danimarkë kanë lëshuar paralajmërim me ngjyrë të portokalltë për Gadishullin e Jutlandit.

Një kompani strehimi në Kopenhagë ka zhvendosur 280 banorë nga tri blloqe banimi, duke paralajmëruar se era e fuqishme mund t’u shkaktojë dëme. Banesat e viteve pesëdhjetë kanë një mangësi në dizajn dhe nuk mund t’u rezistojnë erërave të fuqishme.

Stuhia “Otto” i ka goditur edhe Skocinë dhe pjesën veriore të Anglisë, duke lënë disa shtëpi pa rrymë, raporton televizioni BBC.

Stuhia së pari i goditi Danimarkën dhe pjesën jugore të Norvegjisë, duke e prekur zonën bregdetare, Rogaland, dhe duke i detyruar autoritetet në pjesën bregdetare norvegjeze që t’i mbyllnin shkollat më herët. Qarkullimi i trageteve mes Danimarkës e Norvegjisë është ndërprerë.

Të ngjashme