Lajme
Escobar flet për marrëveshje, ka kërkesa për Kurtin dhe Vuçiqin
Demokracia
13:37 | 11 Qershor 2023

Share:

Me tone tejet më të relaksuara është deklaruar sërish emisari amerikan i ngarkuar me çështje të Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar. Nuk dihet në ka ndryshuar gjë në qëndrimet e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, karshi kërkesave amerikane, por të thënat e Escobar-it, së paku në intervistën e tij të fundit dhënë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi të Evropës Juglindore, ishin bukur më të buta. 

“Është partner i zahmetshëm nganjëherë, por gjithsesi se partner”. Kështu iu përgjigj pyetjes së Institutit e cila ia shtroi dyshimin e deklaruar në VoA të Ambasadorit të SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, se Uashingtoni ka “probleme thelbësore” me Kurtin dhe se po provohet të kuptohet “nëse Kurti mund të llogaritet partner” i ShBA-së. Escobar bëri një kthesë të madhe në vlerësim dhe iu shmang vlerësimit të rreptë të sipërpërmendur. Kjo pasi para disa ditëve në Prishtinë, për Kurtin tha se nuk posedon “instinkt për të bashkëpunuar dhe për t’u bashkërenduar me ShBA’në” dhe se një gjë e tillë është “fatkeqe”; dhe atë jo për Kosovën, “por, për të”.

“Më duhet këtë ta bëj të qartë – zoti Kurti është partner i yni. Nganjëherë është partner i zahmetshëm, por gjithsesi se partner. Kosova është partneri i ynë. Serbia është partneri ynë. Andaj, edhe në të ardhmen, ne duam të përdorim marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën, dhe marrëdhëniet në përmirësim që kemi me Serbinë, për të gjetur mënyra ndërsjelltazi të pranueshme dhe përfitiuese në mënyrë që të dyja të mund të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Por, jo vetëm kaq, por që të dyja të hapin dyert e intregrimit për tërë rajonin. Kështu që ne duam të përdorim marrëdhëniet tona të mira për të ndihmuar në ndërmjetësim në të ardhmen”, ka thënë Gabriel Escobar këtë të diele.

Duke folur për Marrëveshjen e Ohrit për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sërish Escobar, qëndroi më i lehtë në vlerësime. Sa për krizat në veri, ai tha se “ishin krejtësisht të parashikueshme dhe të evitueshme”. S’i ka as një javë kur Escobar u shpreh se kryeminitsri kosovar, “kishte flakur tutje kërkesat e ShBA-së” në lidhje me instalimin e kryetarëve në godinat zyrtare komunale. Fokusin tash, Escobar e vendosi te çka duhet bërë para, e jo në krizat aktuale.

“Për Serbinë kjo do të thotë që t’i jep fund bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në organizata evropiane dhe ndërkombëtare; ndërsa për Kosovën që të nis procesin e zbatimit të Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe”, u shpreh ai, përcjell Nacionale.

“Po, në Ohër arritëm një marrëveshje. Marrëveshje ligjërisht e detyrueshme që hapi derën për një marrëdhënie paqësore, konstruktive dhe të parashikueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës sipas rregullave evropiane. Kur u larguam nga Ohri, u larguam optimistë. Në dy muajt që kur arritëm atë marrëveshje, kemi pasur shumë kriza politike dhe do të thoja se të gjitha ishin të parashikueshme dhe mund të shmangeshin. Pra, ne duhet të gjejmë një mënyrë për të de-përshkallëzuar proceset menjëherë, për të de-përshkallëzuar situatën dhe menjëherë të kthehemi në fokusin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit”.

Hiç më larg se dje, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur për Bloomberg, tha se është i gatshëm të ndërmerr hapat e tij shtensionues, por se pa i tërhequr Beogradi ato që ai i quan “milici fashiste” Prishtina nuk bën asnjë hap.

Të ngjashme