Lajme
Erdogani s’e do Suedinë në NATO pa përmbushjen e kushteve
Demokracia
21:40 | 03 Korrik 2023

Share:

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan e forcoi retorikën kundër Stokholmit të hënën vetëm pak ditë para takimit kritik midis zyrtarëve turq, NATO-s dhe suedezëve lidhur me kërkesën e vendit nordik për t’u bashkuar me aleancën.

Duke folur pas një takimi të kabinetit, Erdogani tha se vendi i tij nuk do të tërhiqet derisa Stokholmi të përmbushë kërkesat e Ankarasë për ratifikimin e pranimit. “Sa më shpejt që homologët tanë ta pranojnë këtë fakt, aq më i shëndetshëm do të jetë procesi”, tha Erdogani, duke shtuar, “Nga këtu ne i këshillojmë ata të veprojnë me rigorozitet dhe të bëjnë më mirë detyrat e shtëpisë”, raportojnë mediat e huaja, transmeton Klankosova.tv.

Duke aluduar në raportet e lajmeve rreth një hetimi të përbashkët suedez-amerikan mbi një ankesë për korrupsion që përfshin djalin më të vogël të Erdoganit, Bilalin, presidenti turk tha se vendi i tij nuk do t’i nënshtrohet “politikës së kërcënimeve të mbuluara” në një goditje të dukshme ndaj Suedisë dhe Shteteve të Bashkuara, pa përmendur asnjërin prej tyre.

“Ne e shohim qartë qëllimin e lojërave të pista që po luhen përmes mediave”, tha Erdogan. “E gjithë bota e di dhe duhet ta dijë se ne nuk do të dorëzohemi para kërcënimeve, provokimeve apo dinakërisë përmes kërcënimeve të mbuluara. … Është e qartë se ata që mendojnë se mund të shpëtojnë me goditje kaq të ulëta nuk na njohin ne, Turqinë dhe kombin turk”.

Në një raport ekskluziv javën e kaluar, “Reuters” raportoi se prokurorët suedezë dhe amerikanë po hetonin nëse një filial suedez i një kompanie amerikane ishte zotuar t’i paguante ryshfete Bilal Erdoganit teksa po përpiqej t’i shiste Turqisë aparatet e tij të alkomatografisë.

“Përfundimisht, nuk u pagua asnjë ryshfet”, thuhej në raport, duke shtuar se kompania suedeze u largua papritur nga projekti. Ndërsa zyrtarët e qeverisë turke e mohuan raportin dhe bllokuan qasjen e artikullit në internet, Erdogani nuk iu adresua këtij lajmi javën e kaluar, ndërsa kritikoi Stokholmin për dhënien e lejes për një protestë për djegien e Kuranit javën e kaluar.

Deklaratat e tij të hënën erdhën vetëm disa ditë përpara një raundi të ri negociatash të planifikuar për t’u mbajtur të enjten midis zyrtarëve turq, suedez dhe të NATO-s. Bisedimet kanë për qëllim kryesisht të bindin Ankaranë që të ratifikojë pranimin e Suedisë në aleancën transatlantike përpara se samiti vjetor i NATO-s të mbahet në kryeqytetin lituanez Vilnius më 11-12 korrik.

Stokholmi, NATO, administrata Biden dhe shumica e vendeve anëtare të aleancës kanë bërë presion për të finalizuar zgjerimin në një përpjekje për të paraqitur një front të fortë të bashkuar kundër Rusisë.

Ankaraja, nga ana tjetër, po kërkon me ngulm hapa më konkretë kundër individëve dhe grupeve me bazë në Suedi që i konsideron si terroristë.

Duke folur të hënën, Erdogani përsëriti qëndrimin e vendit të tij, duke thënë se vendi i tij pret që Suedia të sigurojë strehë për anëtarët e atyre grupeve. “Si Turqi, ne duam ta kuptojnë të gjithë se nuk do të tërhiqemi derisa këto të përmbushen”, tha ai.

Të ngjashme