Lajme
Embargo e naftës ruse, Komisioni Evropian në përpjekje për të bindur vendet e Evropës Lindore
Demokracia
10:21 | 16 Maj 2022

Share:

Bashkimi Evropian synon të bjerë dakord për një embargo me faza për naftën ruse brenda këtij muaj, pavarësisht shqetësimeve për furnizimin në Evropën Lindore, deklaruan katër diplomatë dhe zyrtarë, duke hedhur poshtë zërat për një vonesë ose zbutje të propozimeve.

Varësia nga nafta ruse në Bullgari, Republikën Çeke, Hungari dhe Sllovaki përbën pengesën më të madhe për një marrëveshje embargo që Komisioni Evropian propozoi në fillim të majit në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt.

Megjithatë, diplomatët dhe zyrtarët thanë se ishin optimistë për një marrëveshje, edhe pse presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen është përpjekur për të bindur kryeministrin hungarez Viktor Orban, kritizerin më të madh të embargos së propozuar.

“Do të ketë një marrëveshje,” tha një diplomat i lartë i BE-së, duke vënë në dukje se kishte fleksibilitet në nivelet e propozuara të tranzicionit dhe investimeve për vendet që mbështeten në naftën ruse, të cilët do të duhet të gjejnë burime të tjera furnizimi.

Një diplomat tjetër i lartë tha se marrëveshja ishte e mundur që të hënën kur ministrat e Jashtëm të BE do të takohen në Bruksel.

Një diplomat i tretë tha se kishte një mundësi për një marrëveshje më vonë gjatë javës.

“Kjo do të vendoset në nivelin më të lartë politik, midis Budapestit dhe Brukselit. Unë jam optimist”, tha diplomati.

Ndërsa shumica e shteteve të BE-së do të duhet të zbatojnë plotësisht një embargo ruse të naftës deri në fund të vitit, Hungaria ka marrë tashmë premtimin për një përjashtim deri në fund të vitit 2024, ndërsa përjashtimi për Sllovakinë dhe Republikën Çeke do të jetë deri në mesin e 2024. / ScanTv

Të ngjashme