Lajme
“Elektroseveri” nuk zbaton disa pika të marrëveshjes, në veri rryma ende shfrytëzohet pa faturim
Demokracia
22:02 | 19 Korrik 2022
Nënstacioni elektrik i Vallaçit në veri të Kosovës.

Share:

Pamja mbetet e njëjtë sikurse është parë shpesh viteve të fundit. Banorët e Mitrovicës së Veriut si rëndom nuk shqetësohen për energjinë e shpenzuar.

Kjo pasi deri më sot ata nuk paguajnë për këto shpenzime.

Kjo dëshmohet edhe me orët elektrike, të cilat janë të vendosura në ndërtesat më të mëdha në këtë komunë.

Vlerat në këto ora janë të pandryshueshme. Ato ose nuk regjistrojnë fare energjinë që harxhohet ose janë të fikura.

Përkundër kësaj disa nga banorët serbë thonë se orët e tyre janë funksionale.

Marrëveshja  e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë për Udhërrëfyesin për Implementimin e Marrëveshjes për Energjinë me 21 qershor në Bruksel ka hasur në barriera.

Në pikën dy të udhërrëfyesit thuhet se “brenda shtatë ditësh të pajisjes me licencë, Elektrosever do t’i ofrojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat e fundit të disponueshme të konsumatorëve në Veri.

Jo shtatë, por kanë kaluar 25 ditë nga marrja e licencës së Elektroseverit nga ZRRE-ja dhe kompania serbe nuk ka dorëzuar, ashtu siç parashihet me marrëveshje, të dhënat për konsumatorë.

Kështu thuhet në një komunikim të cilin e ka siguruar T7.

Në implementim ka hasur në problem edhe pika 3 e cila ka të bëjë me marrëveshjen e nevojshme teknike për operim në tregun energjetik të Kosovës.

Pavarësisht vonesave, asamblisti Skender Sadiku thotë se ka shpresa nga palët e treta që kjo marrëveshje do të implementohet  pa problem.

Kurse për këtë Aleksandar Arsinjeviç nga iniciativa “Mbijetesa Serbe” thotë se kjo marrëveshje duhet rishikuar.

Marrëveshja për energjinë për 4 komunat veriore u arrit me 21 qershor 2022 në Bruksel.

Të ngjashme