Lajme
Edhe një intervistë skandaloze e Donika Gërvallës, edhe një tjetër ofendim për qytetarët
Demokracia
08:09 | 23 Janar 2024

Share:

Pa njohjen bazike të Marrëveshjeve të arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë, Donika Gërvalla, krye-diplomatja e Kosovës, ka skandalizuar edhe me një intervistë të fundit dhënë Televizionit 1.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, tha Gërvalla, është një marrëveshje e arritur në vitin 2013, por që e ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe ka gjetur shkelje në 22 nene.

Derisa më pas tha se Asociacionin Kosova do ta pranojë, sepse “është shumë vështirë të refuzosh zbatimin e marrëveshjeve të kaluara sepse janë obligime ndërkombëtare”.

Marrëveshja e vitit 2013, të cilës i referohej Gërvalla, e quajtur zyrtarisht “Marrëveshja e Parë e Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve”, asnjëherë nuk ka shkuar për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Duke mos qenë asnjëherë për trajtim në këtë gjykatë, natyrshëm se as s’ka pasur si të dalë 22 herë shkelëse e Kushtetueses.

Kjo marrëveshje ishte arritur me 19 prill, ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës me 22 prill dhe dërguar në Parlamentin e Kosovës të njëjtën ditë për t’u votuar nga deputetët.

Gjithashtu, u votua edhe Plani i Zbatimit për këtë marrëveshje, përafruar më 22 maj 2013 nga Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe Kryeministri i Republikës së Serbisë dhe sërish miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 24 maj, 2013.

Marrëveshja dhe Plani i Zbatimit me t’u votuar në Kuvend u kthyen në Ligj të Kosovës, që sot ka emrin: Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të Planit të Zbatimit për këtë Marrëveshje.

Ligji sipas te cilit duhet te formohet Asociacioni

Çuditërisht, ministrja e Kosovës që merret edhe me dialogun dhe gjithashtu është zëvendës-ministre e Kosovës, nuk e ka haberin e këtij ligji.

Prandaj, pa informacione bazike në emision thotë “ai Asociacioni i hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese nuk mund të implementohet në Kosovë”.

Cilin Asociacionin e ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese e Kosovës?

Edhe sikur të mendonte Gërvalla për Marrëveshjen e Parimeve të Përgjithshme të vitit 2015, marrëveshje kjo që detajon parimet mbi të cilat duhet të ndërtohet Asociacioni, prapë do të ishte gabim.

Po ta dinte ministrja vetëm pak historikun institucional të Kosovës, do ta dinte po ashtu se vendimi i Gjykatës Kushtetuese asnjëherë nuk kishte nxjerr shkelje nga parimet e përgjithshme, madje obligonte formimin e Asociacionit sipas Marrëveshjes së vitit 2013.

Për më tepër, Gjykatës Kushtetues as nuk i ishte kërkuar që të shoh nëse marrëveshja për parimet ka shkelje, apo jo, por pyetja e dërguar nga atëherë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kërkonte përgjigje nëse kanë përputhje parimet e marrëveshjes me nenet e Kushtetutës.

Sikur Gërvalla të lexonte vendimin e Gjykatës që nuk është me volum më të madh se 39 faqe, do ta dinte se vendimi konstaton që “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe do te themelohet, siç; është paraparë me Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe shpallur nga Presidentja e Republikës së Kosovës”.

Çfarë kishte thënë vendimi tutje, ishte që marrëveshja për parimet e përgjithshme, nga të cilat duhej të formohej statutit i Asociacionit, kishin mungesë të plotë përputhshmërie me disa nga nenet e Kushtetutës së Kosovës, prandaj sugjeronte që kur të hartohet statuti të kihen parasysh këto nene.

Vendimi i Gjykates Kushtetuese

Megjithatë, mos-përputhshmëria e neneve me parimet, nuk nënkuptonte zbutje të Asociacionit në ndonjë formë.

Vendimi thotë se problemet janë që Asociacioni të mos prezantohet si institucion ekskluziv i mbrojtjes së të drejtave të serbëve dhe të bëhet e qartë se ka edhe institucione të tjera brenda Kosovës që i mbrojnë këto të drejta, siç është Parlamenti i Kosovës.

Vendimi gjithashtu thoshte që të sqarohet konkretisht se çfarë nënkupton termi “full overview” meqë në shqip ishte përkthyer si “vështrim” e në versionin serbisht si “auditim” dhe gjithashtu kërkohej që Asociacioni të mos ua merr të drejtat/obligimet për mbrojtjen e minoriteteve edhe institucioneve të tjera që kanë këtë funksion në Kosovë.

Në fakt, dërgimi i parimeve të përgjithshme te Kushtetuesja veçse e kishte komplikuar çështjen, sepse tashmë kërkohej kujdes të mos ketë shkelje e nuk identifikohej konkretisht ku janë shkeljet, meqë s’kishte statut për t’i parë nenet.

Me marrëveshjen e vitit 2015 ishte paraparë që pasi të formohet statuti të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dhe kështu do të kishte vlerësime konkrete nen për nen. Nëse ndonjë nga nenet do të ishte kundër-kushtetuese do të ishte i saktësuar cili dhe pse.

Por, drafti nuk u bë asnjëherë, deri në vitin 2013 kur qeveria të cilës i takon Gërvalla pranoi një draft që e tejkalon shumëfish Marrëveshjen e vitit 2013 e parimet e përgjithshme të vitit 2015, duke ofruar një formë të zgjeruar të autonomistë territoriale për serbët e Kosovës.

Ky draft-statut, veç tjerash, parasheh që kur Qeveria e Kosovës dhe Asociacioni të kenë paqartësi në interpretim të statutit të Asociacionit, atëherë zgjidhja të bëhet nga një aktor i jashtëm i tretë, siç është Bashkimi Evropian, duke e shmangur Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, si gjykata që është e thirrur për vlerësimin e aktit më të lartë juridik – Kushtetutën.

Por, kjo nuk është hera e parë e prezantimit të padijes së thellë të Gërvallës dhe me shumë mundësi nuk do të jetë e fundit.

Ajo, me mosnjohjen e asaj monumentale, në kaq shumë raste ka skandalizuar opinionin e brendshëm, si këtë herë këto dhe atë të jashtmin kur kritikonte SHBA-të për mosnjohje të qasjes ndaj Rusisë, apo kur përcaktonte para NATO-s se bombat e kujt ranë në Poloni.

Ka mundësi që Gjykata Kushtetuese do ta nxjerr një Asociacion anti-kushtetues, atë që e ka pranuar Donika Gërvalla dhe Albin Kurti në vitin që shkoi.

Pikërisht për shkak të kësaj mundësie të madhe që të shpërfaqet si i tillë, ai edhe po vonon të dërgohet në Kushtetuese.

Nëse dërgohet dhe po që se shpallet anti-kushtetues, atëherë do të jetë hera e parë në historinë e Kosovës që një Asociacion i pranuar në Bruksel do të jetë kudër-kushtetues dhe kjo qeveri do të jetë e para që shkeli Kushtetutën në dialog me Serbinë.

Të ngjashme